Klosi: Shembulli “Gruevski” do të vijë edhe në Tiranë
maqedonia
Klosi: Shembulli “Gruevski” do të vijë edhe në Tiranë

Klosi: Shembulli “Gruevski” do të vijë edhe në Tiranë

Tiranë, 14 nëntor - Lëshimi i urdhër-arrestit për ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski duket se do të shërbejë si shembull edhe për politikanët shqiptarë. Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi deklaroi dje gjatë një prononcimi të dhënë për gazetën “SOT” se ky rast është një sinjal që tregon se askush nga politikanët, sado i fuqishëm të jetë ai, nuk është i paprekshëm.

“Ky shembull duhet të shërbejë për të gjithë. Natyrisht duke qenë më afër, ne e perceptojmë më kollaj këtë si rast. Gruevski ka qenë një njeri i rëndësishëm. Bëri çfarë deshi në politikën maqedonase për 10 vjet dhe dukej i pacenueshëm. Por ja që erdhi koha që edhe ai duhet të përgatitet për të ndenjur disa kohë në burg. Është sigurisht një shembull që tregon se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm, nuk ka në këtë botë të paprekshëm, përfshirë edhe politikanët shqiptarë. Sot janë të paprekshëm, ndërkohë që nesër ndodhin situata të tjera që asnjëri nuk i parashikon”, tha Fatos Klosi.

Ai theksoi se shembulli “Gruevski” duhet të shërbejë si një mësim për të gjithë politikanët shqiptarë, me qëllim që të jenë më të kujdesshëm nëse nuk duan fund të njëjtë me ish-kryeministrin maqedonas.

“Në vende të vogla si ne, Maqedonia, Kosova, partnerët ndërkombëtarë janë shumë të rëndësishëm dhe partnerët janë të paparashikueshëm në kuptimin që sot janë aleatë me ty, ndërsa nesër pastaj shikojnë interesat e tyre dhe mund të vijë puna që të jenë kundër teje. Ky rast duhet të shërbejë si një mësim për të tërë. Unë nuk do t’ia uroja kurrkujt, por të gjithë ata që kanë në dorë vendime të rëndësishme duhet ta shohin edhe një herë këtë rast sepse nëse dikur kanë qenë një herë të kujdesshëm, tani duhet të jenë 2 ose 3 herë të kujdesshëm”, u shpreh ish-kreu i SHISH.

 

Fatos Klosi komentoi dje edhe kërkesën e Nikolla Gruevskit për azil politik në Hungari në një kohë kur për të është lëshuar fletë-arresti. Sipas Klosit, kjo është një taktikë e gabuar, ndërsa nënvizoi se nëse e njëjta situatë ndodh edhe në politikën shqiptare, politikanët tanë do ta kenë të pamundur të strehohen në vendet e Bashkimit Evropian. Ai shtoi se ndërkombëtarët, veçanërisht BE, janë ata që mbështesin reformën në drejtësi dhe luftën antikorrupsion, prandaj edhe arrestimet e politikanëve do të jenë nën mbikëqyrjen e tyre duke mos iu lënë hapësirë për arratisje.

“Kërkesa për azil politik më duket absurde sepse situata e Gruevskit nuk është diçka që është vendosur nga disa gjyqtarë. Është një gjë shumë e madhe që me përmbysjen e tij, që me daljen e përgjimeve, dukej që aty kishte diçka jo të vogël. Kështu që kërkesa për azil politik është thjesht një shpresë e tij e përkohshme për t’i shpëtuar arrestimit, por sigurisht nuk do ta ketë kollaj. Nëse e njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri, besoj se e kanë të qartë se nuk kanë ku kërkojnë azil politik. Praktikisht në të gjithë Evropën, përveç lindjes dhe Rusisë, pjesa tjetër është pjesë e BE. BE ka qenë një ndër nismëtarët e reformave këtu tek ne dhe një nga faktorët që ka kërkuar ndryshimin rrënjësor në drejtësi, luftë të hapur korrupsionit, kështu që më duket e vështirë që të bëhet diçka e tillë. Uroj që kurrkujt të mos i shkojë ndërmend diçka e tillë, më mirë të jenë të kujdesshëm sesa të shpresojnë në azil politik”, deklaroi Fatos Klosi.

Pak ditë më parë Gjykata e Apelit në Shkup la në fuqi dënimin me dy vite të Nikolla Gruevskit, i cili u dënua për shpërdorim detyre sepse bleu një mjet “Benz” me vlerë 580 mijë euro me paratë e shtetit. Ndërsa dy ditë më parë, Ministria e Brendshme e Maqedonisë lëshoi edhe një urdhër-arrest.

© ZHURNAL 14.11.2018, 08:56 | B.L. | 2,542 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Një kroat mashtroi një tetovar duke ia vjedhur 40 mijë euro!

Shkup, 14 dhjetor – Një qytetar nga Tetova humbi 40.000 euro me të cilat donte të blejë makina nga Italia, pasi u mashtruar nga një kroat, i cili deklarohej si pronar i kompanisë, ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme, shkruan "Zhurnal".

Policia e Tetovës e ka akzuuar personin M.K. (38) nga Kroacia për mashtrim të veprës penale. Sipas policisë A.G. (34) nga fshati Strimnicë i Tetovës, menaxher i kompanisë nga Strimnica, muajin e kaluar njoftoi se është mashtruar. Biznesmeni shpjegoi se më parë kishte kontaktuar me një person të panjohur, i cili është paraqitur si pronar i një firme në Milano të Italisë.

Banori nga Tetova ishte i interesuar të blejë makineri pune dhe më 26 nëntor 2018 ai dërgoi përfaqësuesin e tij në Itali, të cilit iu prezantuan makinat e punës. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesi i firmës nga Tetova i ka dhënë 8,000 euro si kapar, kurse si garancë iu është dhënë një fotokopje e letërnjoftimit të një personi nga Kroacia.

Pasi janë dakorduar për çmimin, A.G. i ka paguar edhe 32,000 euro firmës në Itali, por më pas M.K. i ndërpreu të gjitha kontaktet me qytetarin nga Tetova , kurse makineritë nuk iu dorëzuan atij.

© ZHURNAL 14.12.2018, 20:39 | B.L.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."