Hoxhaj fton qytetarët për bojkotimin e prodhimeve të Serbisë
kosova
Hoxhaj fton qytetarët për bojkotimin e prodhimeve të Serbisë

Hoxhaj fton qytetarët për bojkotimin e prodhimeve të Serbisë

Prishtinë, 8 nëntor - Enver Hoxhaj ka thënë se vendimi është marrë për të penguar Serbinë që të mos financoj fushata kundër Kosovës në një gjeografi botërore.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se masa mbrojtëse prej 10 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për produktet e importuar nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, i mbron interesat e shtetit të Kosovës, fuqizon atë si dhe i mbron prodhimet vendore.

Hoxhaj në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se vendimi është marrë për të penguar Serbinë që të mos financoj fushata kundër Kosovës në një gjeografi botërore.

Ai ka ftuar qytetarët e Kosovës që sa më shumë t’i bojkotojnë produktet serbe dhe të blejnë mallra të cilat prodhohen në Kosovë.

“Dikur i kemi thënë jo regjimit të Millosheviqit përmes bojkotit, rezistencës civile, luftës së armatosur – sot duam ta bllokojmë ekonominë serbe dhe vendimi është i duhur”, u shpreh ai.

Hoxhaj tutje tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbajë këtë vendim.

“Nëse ata e kanë luksin që të vazhdojnë, edhe ne do të qëndrojmë me vendimin që e kemi marrë si Qeveri e Republikës së Kosovës. Mendoj se vendimi si i tillë, i mbron interesat e shtetit të Kosovës, sovranitetin e Kosovës, integritetin territorial, por mbi të gjitha i mbron edhe prodhimet vendore”, tha ndër të tjera zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë se kjo taksë ka mundur të jetë edhe më e lartë.

Ai ka thënë se nëse nuk ka përmirësim nga ana këtyre vendeve, atëherë kjo taksë duhet të rritet.

“Nëse e shohim në aspektin ekonomik kjo tarifë ka mundur të jetë edhe më e lartë, por nëse nuk shohim përmirësim nga ana e Serbisë, atëherë kjo tarifë mund të rritet. Në aspektin politik, duke e ditur se çfarë barriera ka nga Serbia, atëherë Kosova do të duhej të vendoste embargo totale”, tha Panxha.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha se Kosova pa vështirësi të mëdha mund t’i zëvendësojë produktet e Serbisë, qoftë nga prodhimi vendor ose me produkte nga vendet e rajoni me të cilat ka raporte të mira.

“Zëvendësimi i produkteve nga Serbia në vendit tonë është lehtë i realizueshëm, kur kihet parasysh se Kosova mund të importojë nga të gjitha vendet e tjera të regjionit, apo të Bashkimit Evropiane, produkte që deri më tani janë importuar nga Serbia, por mbi të gjitha ato produkte mund të zëvendësohen edhe me produkt vendor”, tha Shahini.

Sipas tij, Serbia nuk ka as një produkt i cili nuk mund t’i zëvendësohet.

“Mbetet ngritja e ndjenjave të nacionalizmit ekonomik për të rritur konsumin e produkteve vendore. Po ashtu duhet t’i thuhet stop konsumimit të produkteve të një vendi siç është Serbia e cila nuk ka kërkuar falje për dëmet që i ka shkaktuar”, tha Shahini.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, brenda një viti, Kosova, nga Serbia importon mallra në vlerë prej 400 milionë eurove, ndërsa nga Bosnja e Hercegovina importon në vlerë prej rreth 80 milionë euro. Sa i përket eksporteve drejt këtyre vendeve janë minore.

© ZHURNAL 08.11.2018, 11:08 | Xh.I. | 462 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Gruevski s'mund të kërkojë azil politik, a do të ekstradohet në Maqedoni?

Shkup, 14 nëntor - Njohësit e çështjeve juridike thonë se kërkesa e Nikolla Gruevskit për azil politik nuk qëndron, sepse organet e drejtësisë në Maqedonisë nuk e ndjekin për shkak të ideve apo bindjeve të tij politike, por për shkak të veprave kundërligjore që i ka kryer.

“Bëhet fjalë për vepra penale për të cilat ka dëshmi Prokuroria speciale se të njëjtat janë kryer nga ai dhe për të cilën tanimë kemi një rast ku kemi edhe aktgjykim të plotfuqishëm i cili e ka gjetur personin të fajshëm dhe sipas së cilit  ai duhet të vuajë dy vjet burg dënim në rastin “Tanku”. Kështu që asnjëra prej këtyre veprave nuk është vepër penale politike. Asnjëra prej këtyre veprave nuk është vepër për të cilën Gruevski ndiqet për shkak të ideve të tij politike. Ai ndiqet për keqpërdorim të detyrës së tij zyrtare dhe kjo është vepër penale ordinare, vepër penale e përditshme e cila ndodh në çdo shtet dhe për të cilën nuk jepet azil politik”, tha Besa Arifi, Profesoreshë Universitare.

Duke u nisur nga kjo dhe fakti që Hungaria është vend anëtar i BE-së, profesori universitar Temellko Risteski nuk beson që Gruevski do të fitojë azil politik.

“Nuk bëhet fjalë për bindjet dhe veprat politike. Unë besoj se ligjvënësi në Hungari i respekton standardet ndërkombëtare dhe nuk besoj se do të fitojë azil, nëse është i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare që duhet të jetë sepse Hungaria është vend anëtar i BE-së”, u shpreh Temellko Risteski, Profesor Universitor.

Por duke pasur parasysh miqësitë mes Gruevskit dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban, sa ekziston mundësia që ish-Kryeministri të ekstradohet? Nga Ministria e Drejtësisë na thanë se po e kompletojnë dokumentacionin për kërkesën për ekstradim dhe arsyetimi për të njëjtën. Nga atje gjithashtu shpjegojnë se Maqedonia dhe  Hungaria janë nënshkruese të Konventës Evropiane për ekstradim dhe kjo përbën bazë që vendi ynë të kërkojë ekstradim. Megjithatë profesoresha Besa Arifi thotë se edhe nëse Hungaria nuk e pranon kërkesën e Gruevskit për azil politik, organet e atjeshme mund të vendosin që i arratisuri të mos ekstradohet.

“Sa i përket ekstradimit i njëjti nuk është obligim politik për shtetin por është obligim moral. Dhe në këtë drejtim Hungaria mundet të mos e ekstradojë asnjëherë Grueskin edhe pse mund të jenë përmbushur të gjitha kushtet që ekstradimi të ndodhë. Në këtë rast gjith­çka varet nga vullneti i organeve administrative të shtetit hungarez të cilat mund të vendosin në mënyrë diskecionale, pa u arsyetuar shumë,  se a do të bëjnë ekstradim ose jo”, tha Besa Arifi, Profesoreshë Universitare.  

Edhe pse tani dhënia e azilit politik dhe ekstradimi janë në dorë të qeverisë hungareze, dy profesorët universitarë mendojnë se përmes presioneve dhe sanksioneve unioni evropian mund ta detyrojë Hungarinë ta kthejë Gruevskin në Maqedoni.

© ZHURNAL 14.11.2018, 18:03 | B.M.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."