Ligji për Diasporën në bashkëpunim me bashkatdhetarët jashtë
kosova
Ligji për Diasporën në bashkëpunim me bashkatdhetarët jashtë

Ligji për Diasporën në bashkëpunim me bashkatdhetarët jashtë

Prishtinë, 8 nëntor - Bashkatdhetarë të shumtë në Francë, Suedi, Zvicër, Kroaci e Turqi kanë marrë pjesë në konsultimet publike të organizuara nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike për Projektligjin e Diasporës, rikujton kjo ministri përmes një njoftimi për media.

Njoftimi përmend se këto konsultime publike, në të cilat kanë marrë pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga partitë në pushtet dhe ato opozitare, kishin për qëllim dëgjimin e sugjerimeve të bashkatdhetarëve tanë për Projektligjin e Diasporës, i cili planifikohet të miratohet deri në fund të këtij viti dhe synon të rregullojë edhe më mirë raportet ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe diasporës sonë.

Gjatë konsultimeve publike janë shtruar një numër i madh i çështjeve, si: kartoni i gjelbër, mësimi i gjuhës shqipe, siguria e investimeve, funksionimi i qendrave kulturore, të gjitha këto të parapara në Ligjin e ri të Diasporës. Pas përfundimit të procesit të konsultimeve, këto komente do të diskutohen nga mekanizmat e sistemit të pushtetit për të gjetur vend në ligjin e ri, i cili do të procedohet në Qeveri në fillim të muajit dhjetor dhe, më pas, edhe në Kuvendin e Kosovës për aprovim final.

Në vazhdën e konsultimeve, MDIS-i, në bashkëpunim të ngushtë me misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, do të organizojë takimet edhe me bashkatdhetarët në Gjermani, Austri, Belgjikë, Itali, Mbretëri të Bashkuar dhe ShBA. Ministria lut bashkatdhetarët që për mbajtjen e këtyre takimeve të drejtohen tek ambasadat/konsullatat në shtetet respektive apo në faqen zyrtare të MDIS-it www.mdis.rks-gov.net.

© ZHURNAL 08.11.2018, 11:09 | Xh.I. | 347 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."