Kush do ta trashëgojë Angela Merkelin?
opinion
Kush do ta trashëgojë Angela Merkelin?

Kush do ta trashëgojë Angela Merkelin?

Shkruan ENVER ROBELI

Pas rënies masive të përkrahjes për partinë e saj CDU, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka vendosur ta dorëzojë postin e kryetares së partisë. Nëse shef i CDU-së zgjidhet Friedrich Merz, një antipod i Merkelit, atëherë ditët e saj si kancelare janë të numëruara.

Roland Koch, Ole von Beust, Friedbert Pflüger, Christian Wulff, Christoph Böhr, Friedrich Merz. Këta emra nuk i thonë asgjë lexuesve në viset shqiptare. Por këta emra nuk u thonë gati asgjë as të rinjve gjermanë. Të gjithë këta burra dikur kanë qenë politikanë me perspektivë në partinë konservatore CDU. Disa kanë luajtur rol të rëndësishëm si kryeministra në krahinat (landet) gjermane, të tjerët në Bundestag, në Parlamentin gjerman. Por të gjithë këta e kanë humbur betejën me shefen e partisë dhe kancelaren Angela Merkel. Disa prej tyre Merkeli i ka shtyrë anash me ashpërsi, disa të tjerë me kurthe të rëndomta politike, disa me durimin e saj stoik.

Por, ashtu siç i erdhi fundi Helmut Kohlit në vitin 1998, pasi gati dy dekadave në krye të Gjermanisë, tani edhe Angela Merkeli po e sheh perëndimin e karrierës së saj politike. Vitin e kaluar ajo kandidoi për herë të katërt për postin e kancelares. Këtë e bëri jo me vullnet të madh, por më shumë për shkak se ndihej disi e obliguar. Rrethanat ndërkombëtare po bëheshin dramatike. Në SHBA një politikan antipolitikan si Donald Trumpi ishte futur në Shtëpinë e Bardhë një vit më parë (2016), dhe po rrotullonte gjithçka që deri më tani karakterizonte rendin në botën perëndimore. Një shumicë britanike në referendum vendosi ta braktisë Bashkimin Evropian. Kudo në Evropë e djathta ekstreme po fitonte mbështetje. Ishte vetë Barack Obama që e kishte lutur kancelaren Merkel të qëndrojë edhe më tutje në politikë. Dhe ajo qëndroi. Mediat ndërkombëtare e shpallën “gruan më të fuqishme në botë”, publicistët e quajtën “mbretëreshë të Evropës”.

Por, rënia e mbështetjes në Gjermani për CDU-në, një fushatë agresive e mediave konservatore kundër Merkelit, rritja e përkrahjes për partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti ultrakonservatore, e cila po bëhet vatër e nacionalistëve antiemigracion, grindjet e pandërprera mes CDU-së dhe partisë simotër CSU nga Bavaria ndikuan që Merkeli gjatë verës të mendojë për dorëzimin e postit të shefes së partisë. Pas rezultatit të keq të CDU-së në landin e Hessenit, Merkeli tha se ka vendosur të mos kandidojë më për kryetare të partisë. Kongresi i ardhshëm i CDU-së mbahet në fillim të dhjetorit, në Hamburg.

Menjëherë pas paralajmërimit të Merkelit për largimin e saj nga kreu i partisë, tre kandidatë shprehën ambicie për t’i prirë CDU-së. Friedrich Merz, Jens Spahn dhe Annegret Kramp-Karrenbauer. Anketat e para tregojnë se tani për tani më së shumti përkrahje gëzon Friedrich Merz. (Spahn është ministër i Shëndetësisë dhe kritik i ashpër i politikës mikpritëse të Merkelit ndaj refugjatëve, Annegret Kramp-Karrenbauer është sekretare e partisë dhe besnike e Merkelit). Një anketë tregon se 32 për qind e gjermanëve do të dëshironin që Merz të ishte shef i CDU-së, 27 për qind mbështetin Kramp-Karrenbauer dhe vetëm 7 për qind Spahn. Vendimin, natyrisht, e marrin delegatët e CDU-së në dhjetor.

Kush është 62-vjeçari Friedrich Merz? Në fund të viteve ‘90 ai ka qenë ndër politikanët më të talentuar të CDU-së. Një yll prej të cilit pritej shumë. Brilant në aspektin retorik, gjuhëbrisk në formulimin e ideve dhe mendimeve, konservator i regjur sipas traditës së CDU-së. Por pasi u zgjodh kryetare e partisë, Merkeli ia ngushtoi dukshëm hapësirën e manovrimit Merzit, duke ia marrë postin e shefit të Grupit parlamentar të CDU-së. Në kabinetet e Merkelit Merzi nuk ishte anëtar. Raporti i tij me Merkelin është i acaruar, sepse Merzi nuk është pajtuar me gati asnjë vendim të Merkelit. Merzi thekson se duke përqafuar pozicione pothuaj të majta, CDU-ja i ka lënë hapësirë në krahun e djathtë një partie si Alternativa për Gjermaninë. Për dallim nga Merkeli, juristi Merz nuk ngurron të potencojë rëndësinë e patriotizmit gjerman, vlerave gjermane dhe kulturës udhëheqëse gjermane (“Leitkultur”). Njëra nga akuzat e përhershme që vjen nga qarqet konservatore të CDU-së është se Merkeli e ka socialdemokratizuar partinë dhe kështu ka humbur shumë mbështetës konservatorë. Por mbi të gjitha Merkeli urrehet për shkak se, siç thuhet, në verë të vitit 2015 “hapi dyert” për një milion refugjatë nga Siria dhe vatrat e tjera të krizave. Pranimi i refugjatëve ishte një akt unik i solidaritetit dhe humanizmit gjerman, për të cilin Merkeli do të mbahet në mend gjatë.

Friedrich Merz është larguar nga politika aktive në vitin 2009. Kur të martën u prezantua në Berlin si kandidat për shef të CDU-së, ai në stilin e James Bondit tha: “Zonja e zotërinj, unë quhem Friedrich Merz”. Para gazetarëve Merz tha se CDU-ja duhet t’i kthehet origjinës së vet konservatore, por njëkohësisht potencoi se nuk synon ta largojë Merkelin nga posti i kancelares nëse zgjidhet shef i partisë. Merzi nga mediat e majta gjermane përshkruhet si politikan neoliberal dhe shërbëtor i kapitalizmit grabitqar. Që nga viti 2016 ai ka mbikëqyrur filialin gjerman të Blackrock. Kështu quhet fondi më i madh në botë, i cili administron 6.400 miliardë dollarë. Blackrock është themeluar më 1988 në New York. Merzi ka edhe mandate të tjera drejtuese në kompani, sigurime dhe banka dhe në fabrikën zvicerane StadlerRail, e cila ndërton vagonë.

Në konferencën për media në Berlin Merzi u prezantua si “evropian i bindur” dhe “transatlantik i bindur”. Ai tha se angazhohet për një Gjermani të hapur ndaj botës, një Gjermani të bazuar në “etikën e krishterë” dhe në “iluminizmin evropian”. Të gjitha këto përbetime janë të rëndësishme për të përfituar mbështetjen e anëtarëve të CDU-së. Një gjë duket e sigurt që tani: Nëse shef i CDU-së zgjidhet Friedrich Merz, një antipod i Merkelit, atëherë ditët e saj si kancelare janë të numëruara.

© ZHURNAL 08.11.2018, 09:40 | Xh.I. | 580 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Gruevski s'mund të kërkojë azil politik, a do të ekstradohet në Maqedoni?

Shkup, 14 nëntor - Njohësit e çështjeve juridike thonë se kërkesa e Nikolla Gruevskit për azil politik nuk qëndron, sepse organet e drejtësisë në Maqedonisë nuk e ndjekin për shkak të ideve apo bindjeve të tij politike, por për shkak të veprave kundërligjore që i ka kryer.

“Bëhet fjalë për vepra penale për të cilat ka dëshmi Prokuroria speciale se të njëjtat janë kryer nga ai dhe për të cilën tanimë kemi një rast ku kemi edhe aktgjykim të plotfuqishëm i cili e ka gjetur personin të fajshëm dhe sipas së cilit  ai duhet të vuajë dy vjet burg dënim në rastin “Tanku”. Kështu që asnjëra prej këtyre veprave nuk është vepër penale politike. Asnjëra prej këtyre veprave nuk është vepër për të cilën Gruevski ndiqet për shkak të ideve të tij politike. Ai ndiqet për keqpërdorim të detyrës së tij zyrtare dhe kjo është vepër penale ordinare, vepër penale e përditshme e cila ndodh në çdo shtet dhe për të cilën nuk jepet azil politik”, tha Besa Arifi, Profesoreshë Universitare.

Duke u nisur nga kjo dhe fakti që Hungaria është vend anëtar i BE-së, profesori universitar Temellko Risteski nuk beson që Gruevski do të fitojë azil politik.

“Nuk bëhet fjalë për bindjet dhe veprat politike. Unë besoj se ligjvënësi në Hungari i respekton standardet ndërkombëtare dhe nuk besoj se do të fitojë azil, nëse është i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare që duhet të jetë sepse Hungaria është vend anëtar i BE-së”, u shpreh Temellko Risteski, Profesor Universitor.

Por duke pasur parasysh miqësitë mes Gruevskit dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban, sa ekziston mundësia që ish-Kryeministri të ekstradohet? Nga Ministria e Drejtësisë na thanë se po e kompletojnë dokumentacionin për kërkesën për ekstradim dhe arsyetimi për të njëjtën. Nga atje gjithashtu shpjegojnë se Maqedonia dhe  Hungaria janë nënshkruese të Konventës Evropiane për ekstradim dhe kjo përbën bazë që vendi ynë të kërkojë ekstradim. Megjithatë profesoresha Besa Arifi thotë se edhe nëse Hungaria nuk e pranon kërkesën e Gruevskit për azil politik, organet e atjeshme mund të vendosin që i arratisuri të mos ekstradohet.

“Sa i përket ekstradimit i njëjti nuk është obligim politik për shtetin por është obligim moral. Dhe në këtë drejtim Hungaria mundet të mos e ekstradojë asnjëherë Grueskin edhe pse mund të jenë përmbushur të gjitha kushtet që ekstradimi të ndodhë. Në këtë rast gjith­çka varet nga vullneti i organeve administrative të shtetit hungarez të cilat mund të vendosin në mënyrë diskecionale, pa u arsyetuar shumë,  se a do të bëjnë ekstradim ose jo”, tha Besa Arifi, Profesoreshë Universitare.  

Edhe pse tani dhënia e azilit politik dhe ekstradimi janë në dorë të qeverisë hungareze, dy profesorët universitarë mendojnë se përmes presioneve dhe sanksioneve unioni evropian mund ta detyrojë Hungarinë ta kthejë Gruevskin në Maqedoni.

© ZHURNAL 14.11.2018, 18:03 | B.M.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."