Regjistrimi i popullsisë
opinion
Regjistrimi i popullsisë

Regjistrimi i popullsisë

Nga Dijana Toska

RETRO  1994

Regjistrimi i popullsisë, në një shtet të brishtë si Maqedonia, ku klima e mosbesimit ishte shtrirë gati në të gjitha poret e jetës, asnjëherë s’u perceptua vetëm si operacion demografik. U punua shumë që ky operacion të kishte konotacione të tjera, e, më së paku, të qartësonte një herë e mirë hartën demografike të Maqedonisë.  Kishte shumë dyshime e rezerva nga ana e shqiptarëve, por shumë perfiditet e djallëzi nga pala maqedonase. Edhe njëra edhe pala tjetër, i bënte llogaritë e veta, por ajo që ngeli pa u llogaritur saktë me vite të tëra, ishte numri i shqiptarëve. Fatkeqësisht, kjo shifër, ose u fry pa nevojë nga eksponentë të caktuar të politikës shqiptare, ose u minimizua banalisht nga eksponentë maqedonas. Projeksioni matematikor për të gjetur diku mesin gati ishte i pamundur, sa për shkak të naivitetit shqiptar, po aq edhe për shkak të perfiditetit maqedonas.

Maqedonia e kishte regjistrimin e popullsisë ashtu si edhe ish-Jugosllavia në vitin 1991, por të cilin e bojkotuan shqiptarët. Kështu që të dhënat nga regjistrimi nuk ishin ekzakte dhe të vlefshme, pasi bazoheshin në vlerësime e projeksione. Andaj, subjekti shqiptar çdokund po paraqiste kërkesa për regjistrim të ri objektiv e real të popullsisë, por të friksuar nga izolimi ndërkombëtarë, më 1994 aprovuan ligjin për regjistrim, anise ishte i disfavorshëmpër shqiptarët.

Në ligjin e ri u inkorporuan zgjidhjet restriktive, siç është fakti i posedimit të dokumentit për shtetësi të RM, si kusht për regjistrim (neni 38), pastaj përdorimi i gjuhës amtare sipas deklarimit të mëparshëm personal, gjë që ishte në kundërshtim me praktikën botërore, ku shpallen zonat, gjegjësisht, rajonet shumëgjuhësore, në kundërshtim edhe me sekretin e të dhënave, pastaj barazia e gjuhës përmes përkthimit, ku gjuhët jomaqedonase ishin shkruar me shkronja shumë më të vogla se ajo maqedonase, më pastaj, pozita nënçmuese e regjistruesve dhe të instruktorëve shqiptarë, por edhe të tjerë, që në terren nuk kishin të drejtë të shkonin askund vetëm, por së bashku me regjistruesit e instruktorët maqedonas, ndërkohë që, këta të fundit, do ta kishin lirinë e plotë të lëvizjes. Pra, kuadri shqiptar i angazhuar, dukej qartë se do të ishte aty sa për sy e faqe dhe për numër e dekor pa ndikim praktik.

Partitë shqiptare, si subjekte autonome të shqiptarëve në Maqedoni, u gjendën para dilemës dhe para presioneve të shumta: të përkrahin regjistrimin, përkundër bindjeve të tyre se nuk do të jetë në rregull, apo ta bojkotojnë atë?

Mbretëronte frika nga pasojat historike, që mund të dalin nga ky regjistrim për brezat e ardhshëm, që me një operacion statistikor do të përcaktojnë tërthorazi edhe statusin e të zotit të shtëpisë apo të mysafirit në Maqedoni.

Nu pati guxim që gjërat të çohen deri në fund. Ndodhi dhe shqiptarët u regjistruan si të huaj në shtetin dhe në vendin e vet?

Demografi i njohur shqiptar, dr. Hivzi Islami, tërheqte vërejtjen se shifrat e dala nga regjistrimi do të përcaktojnë fatin e shtetit unitarist e, më pas, të drejtat demokratike të nacionaliteteve, që jetojnë në Maqedoni. Në bazë të shifrave, do të vuloset e drejta e shqiptarëve se ku do të mund ajo të përdorë gjuhën e vet amtare, ku do të mund të përdorë simbolet e veta dhe të drejtat e tjera. Pra, në bazë të shifrave fitohen ose humben të drejtat e tilla.

Frika nga pasojat historike, që mund të dalin nga regjistrimi

Ekspertët evropianë deklaronin se nuk ka arsye për shtyrje apo bojkotim, se dokumenti për shtetësi nuk është kusht për regjistrim, sepse qytetari mund të shënojë se është në procedurë, etj. Mirëpo, fakt ishte se me ligj dhe me udhëzime të Entit Republikan Statistikor, kusht për qytetarin për t’u regjistruar, ishte dokumenti i nënshtetësisë së Maqedonisëdhetë cilët këmbëngulin në dallimin, që duhet të kihet parasysh, ndërmjet “shqiptarëve nga Maqedonia” dhe “shqiptarëve që punojnë në Maqedoni.

Ndërkombëtarët ishin të mendimit se pasiguria e vazhdueshme rreth numrit të shqiptarëve në Maqedoni, si dhe një bojkot tjetër nga ana e tyre, janë arsyet më të rrezikshme se problemet e mundshme, që mund të dalin gjatë zhvillimit të regjistrimit.

Pala maqedonase kishte arritur ta bindë faktorin ndërkombëtar se shqiptarët më parë do ta zgjedhin rrugën e bojkotit, se sa të pajtohen me vlerësimet qeveritare se vetëm 22 për qind shqiptarë jetojnë në këtë shtet.

Të përkujtojmë: Dr. Denko Maleski, ambasador i Maqedonisë në OKB, në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të KB më 1992, njoftonte: “Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka vendosur të përsërisë regjistrimin e popullsisë nën një kontroll ndërkombëtar, me qëllim që të evitohen manipulimet me numrin e shqiptarëve”. Kjo letër ishte dërguar edhe në adresë të Konferencës Ndërkombëtare të Gjenevës mbi ish-Jugosllavinë, si dhe në atë të Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës, në bashkëpunim me Entin Statistikor, kishin organizuar një seancë dëgjimore me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të regjistruara në Maqedoni, me ç’rast, parimisht, partitë ishin pajtuar për regjistrim të ri të popullsisë. Ndërkohë, që regjistrimi i caktuar të mbahej në nëntor të vitit 1993, ishte shtyrë edhe disa herë nga qeveria, për t’u arritur, më në fund, pëlqimi që ai të mbahej në nëntor të vitit 1994, pasi Këshilli i Evropës, ishte pajtuar që ta mbulojë financiarisht.

Demokracia e shifrave - një politikë statistikore

Në një konferencë me gazetarë, Këshilli i Evropës dhe Grupi Ndërkombëtar i Krizës me seli në Bruksel, bashkërisht do të deklarojnë se “Rezultatet e përgjithshme ishin të një besueshmërie të pranueshme dhe numrat e dalë nga përgjigjet, ishin një pasqyrim i vërtetë i përkatësive etnike, që plotësuesit i kishin dhënë me vullnetin e tyre të lirë. Rezultatet do të ushqejnë një standard të besueshëm për planifikimin e zhvillimeve dhe ardhmërinë e vendit. Koha e ekzagjerimeve të mëdha në vlerësimet e popullsisë, ka kaluar, ndonëse palët e interesuara, përsëri do të mundohen të krijojnë dyshime për përfundimet”.

Shifrat vulosën fatin e shqiptarëve bashkë me garancën e faktorit ndërkombëtarë se ky regjistrim ishte i pari në historinë e këtij rajoni, që u zhvillua me pjesëmarrje ndërkombëtare në terren.

Matematikë:

Maqedonas - 66.5 për qind,

Shqiptarë - 22.9 për qind,

Turq - 4 për qind,

Romë - 2.3 për qind,

Serbë - 2 për qind.

Me regjistrimin e mbajtur në vitin 1991, Maqedonia kishte 2. 033. 964 banorë, ndërsa të dhënat e Entit Statistikor për vitin 1994, thonë se tani ajo ka 2. 075.196 banorë.

Pesëdhjetetetë për qind e popullsisë jetojnë në qytete: në Shkup – 450. 000, në Manastir – 85. 000, në Kumanovë - 70. 000, në Prilep – 70. 000, në Tetovë – 51. 000, në Veles – 47. 000, në Ohër – 43. 000, kurse në Maqedoni ekzistojnë 1. 753 vendbanime qytetesh e fshatrash.

Ndarja etnike sipas këtyre regjistrimeve: maqedonas – 1. 378 687 (66 për qind), shqiptarë  -478. 967 (23 për qind), turq – 81. 615 (4 për qind), romë – 47. 408 (3,5për qind), serbë – 39. 865, vlleh -  8. 571 dhe, të tjerë.

Ndarja sipas religjionit: ortodoksë - 1.355 815 (66,6 për qind), myslimanë – 611. 322 (30për qind),  katolikë – 10. 067 (0,5për qind), religjione të tjera dhe ateistë – 56. 756 (3për qind).

Sipas kësaj statistike, në 1 kilometër katror në Maqedoni jetojnë mesatarisht 80,7 banorë.

Nataliteti i popullatës është 9,83.

Gratë jetojnë më gjatë, përafërsisht deri në moshën 74 vjeçare, ndërsa burrat deri në 70 vjet.

© ZHURNAL 05.12.2018, 10:48 | D.J. | 4,198 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Ramiz Merko ndriçon Strugën për festa!

Shkup, 14 dhjetor - Fotografi Faton Murati ka postuar në rrjetin e tij në Facebook, një foto e cila tregon qytetin e Strugës me dekoret e festave të fundvitit. Kjo foto ka kapur momentin e shpërthimit të fishekzjarreve dhe dekorin e Strugës, me pemën e Vitit të ri dhe dritat vezulluese të vendosura nga Komuna e Strugës. 

© ZHURNAL 14.12.2018, 21:11 | B.L.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."