Gruas që i ranë djali dhe burri dëshmorë në luftë, i ndalet pensioni për faturat e rrymës
kosova
Gruas që i ranë djali dhe burri dëshmorë në luftë, i ndalet pensioni për faturat e rrymës

Gruas që i ranë djali dhe burri dëshmorë në luftë, i ndalet pensioni për faturat e rrymës

Prishtinë, 6 dhjetor - Shaha Haziri, të cilës i ranë dëshmorë në luftë djali dhe burri, jeton e vetme në fshatin Verbovc të Drenasit. Ajo nuk po arrin të shlyejë borxhin ndaj KEDS-it me pensionin që merr nga kategoria e familjes së dëshmorit.

E moshuara 73-vjeçare, pos mërzisë për djalin dhe burrin e vrarë në luftë, tani ka edhe hall se si të jetojë pa të ardhura.

Ajo nuk po arrin ta shlyejë borxhin për rrymën e shpenzuar.

Për këtë, kompania për furnizim me energji elektrike e ka dërguar lëndën me borxhin e saj te përmbaruesi privat.

75-vjeçarja, ditën kur kishte shkuar ta marrë pensionin si familjare e dëshmorit, e kishte kuptuar që nuk mund ta marrë atë pasi i është ndalur për pagesën e energjisë elektrike.

Por, ajo thotë se e ka paguar këtë borxh.

“Ma ka ndalë pensionin për shkak të rrymës. Nuk e ke paguar rrymën asnjëherë më kanë thënë. Iu thash se nuk e kam paguar sepse më kanë thënë se e kam pa pare. Kur më kanë prurë letrën e kam paguar. Në fillim kam paguar 50 euro, pastaj 30 apo 40 ashtu si kam pasë”, tregon Shaha Haziri.

Se e ka paguar energjinë elektrike ajo ka edhe dëshmi.

Shaha në këtë shtëpi jeton e vetme. Për të kujdesen fqinjët e saj. Sipas urdhrit përmbarimor shuma që duhet të paguaj është 645 euro si dhe shpenzimet administrative.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha se rasti nuk figuron si rast social apo përfitues si familje dëshmori në listën që e dërgon çdo vit Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

RTV Dukagjini ka kontaktuar me përmbaruesin që është caktuar nga Gjykata Themelore, për ta konfirmuar këtë lëndë.

“Ne nuk kemi qasje për ta parë se cilës kategori i përket personi. Na është dhënë urdhër që t’i ndalen mjetet, kjo pasi Banka Qendrore nuk na lejon të shohim se çfarë të ardhurash ka”, ka thënë përmbaruesi.

Pas njoftimit nga RTV Dukagjini, se bëhet fjalë për familje të dëshmorit përmbaruesi konfirmoi se do t’i lirohet llogaria e Shahe Ahmetit, dhe nga muaji tjetër ajo do t’i marrë të hollat.

Në listën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, emri i Shahe Hazirit ekziston në listën e përfituesit si familje e dëshmorit.

https://www.facebook.com/infoboxrtvdukagjini/videos/345301569536488/

© ZHURNAL 06.12.2018, 09:30 | Xh.I. | 455 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Mogherini i fton në takim udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perendimor

Bruksel, 14 dhjetor - Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, do të organizojë një takim joformal me liderët e Ballkanit Perendimor gjatë javës së ardhshme në Bruksel.

Në takimin e 19 dhjetorit, do të diskutohet për situatën në rajon, arritjet gjatë vitit 2018 si dhe planet për vitin e ardhshëm, ka njoftuar Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian.

“Në vitin 2018 është konfirmuar perspektiva e qartë evropiane, e bazuar në meritat dhe rezultatet, për të gjithë partnerët në Ballkanin Perendimor” thuhet në njoftim.

Komisioni Evropian, në shkurt, miratoi strategjinë për Ballkanin Perendimor, ndërkaq në samitin me BE-në në Sofje,në muajin maj, u mblodhën gjithë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perendimor, për herë të parë pas 15 vjetëve.

Në takimin e 19 dhjetorit do të marrë pjesë edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn.

© ZHURNAL 14.12.2018, 20:24 | T.E.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."