Regres në politikën e jashtme
kosova
Regres në politikën e jashtme

Regres në politikën e jashtme

Prishtinë, 10 janar - Viti që e lamë pas po vlerësohet se përbënë regres të plotë në politikën e jashtme. Dështimi për anëtarësim në Interpol dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, mos liberalizimi i vizave për kosovarët dhe mungesa e njohjeve, janë disa nga dështimet që po i adresohen shërbimit diplomatik.

Përveç këtyre, vlerësohet se shërbimi diplomatik është politizuar skajshëm, madje thuhet se në diplomacinë kosovare punësohen militantë partiak dhe që nuk kanë njohuri se si funksionon politika e jashtme, transmeton kp.

Një akuzë drejtuar MPJ-së është edhe heshtja karshi lajmeve që shteti i Serbisë ka bërë gjatë gjithë vitit për heqjen e njohjeve nga disa shtete.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, shprehet se Ministria e Punëve të Jashtme gjendet para kolapsit. Për më tepër ai thotë se 80 përqind e atyre që janë në shërbimin diplomatik kosovar nuk njohin as definicionet themelore të politikës së jashtme.

“Diplomacia kosovare që nga themelimi i saj është ndërtuar mbi baza jo të meritokracisë, por mbi baza të familjarizimeve, nepotizmave, përkatësive të ngushta dhe shumë të theksuara politike dhe kjo ka qenë evidente që nga momenti i themelimit.

Në vitin e fundit ajo që është vërejtur është fakti se është ndjekur një trend i përcaktuar paraprakisht, ndërkohë që kontingjenti që udhëheq me Ministrinë e Jashtme kam përshtypjen dhe të krijojnë përshtypjen që nuk e kanë idenë çka është politika e jashtme. Si të tillë ne kemi pasur efektet e deritashme negative. Mendoj që flasim për një resor qeverisës i cili gjendet para kolapsit dhe fillimi i kolapsit mendoj që është dështimi për t’u anëtarësuar në Interpol, një organizatë teknike, megjithatë mbështetje ndërkombëtare dhe që vërtet kjo ka qenë hap për të ardhur keq dhe që shënon një rënie drastike të shërbimit tonë të jashtëm”, është shprehur ai.

Sa i përket lajmeve për heqjen e njohjeve nga disa shtete, Hoti thotë se këtë shteti serb e ka bërë për ta dobësuar pozicionin e Kosovës dhe për ta forcuar pozicionin e vet.
Vitin që e lamë pas të dështuar sa i përket politikës së jashtme e quan edhe Artan Murati nga KDI, i cili thotë se viti 2018, përbënë një nga vitet më të dobëta të historisë së diplomacisë kosovare.

“Nëse flasim për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe qasjen e MPJ-së për proceset shtetbërëse të Kosovës, viti 2018 është një nga vitet më të dështuara dhe më të dobëta të historikut të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për faktin se përveç që kemi dështuar të anëtarësohemi në shumë organizata ndërkombëtare ku kemi synuar që të anëtarësohemi, kemi pasur edhe tendencë të tërheqjes së njohjeve, ndonëse zyrtarisht siç thuhet prej MPJ-së, kemi marrë vetëm një njoftim nga një shtet.

Mirëpo, është evidente dhe është qarkulluar shumë shpesh edhe kjo çështja e tërheqjes së njohjeve prej shteteve të tjera.

Në anën tjetër raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti kanë qenë më të brishta sesa viteve të kaluara dhe kjo në masë të madhe ka ndikuar edhe për shkak të mosliberalizimit të vizave, ku është krijuar një klimë negative karshi BE-së. Mirëpo, edhe vendosja e taksës të 100 përqind për mallrat serbe nga ana e Kosovës si duket ka pasur ndikim edhe tek zyrtarët e BE-së, të cilët i kemi pa që kanë dal dhe kanë kërkuar të hiqet kjo taksë”, ka thënë ai.

Mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe mungesa e njohjeve për Rasim Alija nga D4D, paraqesin dështim të plotë të politikës së jashtme të Kosovës.

“Tek pjesa e politikës së jashtme kemi një dështim komplet të kësaj qeverie, dështimi në Interpol, dështimi në UNESCO, dështime të tjera, ngrirja e njohjeve komplet, madje edhe tërheqja e njohjeve prej disa shteteve që veç e kanë njohur Republikën e Kosovës, do të thotë në të gjitha sferat e qeverisjes e atyre që preokupojnë qytetarët e Kosovës kemi bilancë negativ”, ka thënë Alija.

Ndërkaq, analisti politik Belul Beqaj thotë se politika e jashtme e Kosovës është reflektim i dështimeve të politikës së brendshme të Kosovës.

“Politika e jashtme reflekton gjendjen e proceseve dhe situatës që është brenda Kosovës, meqë zhvillimet e brendshme nuk kanë qenë në përputhje me pritjet dhe premtimet të cilat i kanë dhënë jo vetëm qeveritarët, por edhe ata të cilët kanë bashkëpunuar me ta. Nuk është dashur të presim ndryshime pozitive spektakulare, por gjithsesi edhe zhgënjime të cilat kanë ndodhur jo vetëm me rastin e mos pranimit të Kosovës në Interpol, por edhe me proceset e fillimit të rishikimit të njohjeve që i kanë pasur disa shtete karshi shtetit të Kosovës. Pra, mendoj që politika e jashtme është reflektim i dështimeve edhe të politikës së brendshme dhe nuk mund të konsiderohet se është definitivisht e suksesshme”, ka thënë ai.

Kosova këtë vit është njohur vetëm nga një shtet, Barbadosi. Për mungesë të njohjeve një faj sipas Arton Demhasaj nga organizata Çohu, e ka edhe ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me shtetin serb.

“Ti je në një proces dialogues dhe që nuk e dinë cili ka me qenë marrëveshja finale dhe çka ka me sjellë ajo marrëveshje është problem t’i me i bind shtetet me iu thënë njohna tash me këta kufij që i kemi, ndoshta këta kufijë munden me ndryshuar pas një kohe dhe pastaj mund ta rishikoni njohjen e juaj, kështu që kjo mund të jetë një problem kryesor që mund ta pengoj edhe lobimin derisa nuk e kemi të qartë tashmë pas kalimit të një rezolute në Kuvendin e Kosovës, të paktën ish bërë e qartë që nuk do të ketë lëvizje të kufijve. .... Në një situatë të tillë është problem me prit nga vende të caktuara me njohtë Kosovën derisa flasim për një proces dialogues i cili potencialisht mundet edhe me i lëviz kufijtë”, ka thënë ai.

© ZHURNAL 10.01.2019, 13:16 | Xh.I. | 2,084 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."