Kryeprokurori që i ka hyrë misionit të zbardhjes së vrasjeve të pasluftës në Pejë
kosova
Kryeprokurori që i ka hyrë misionit të zbardhjes së vrasjeve të pasluftës në Pejë

Kryeprokurori që i ka hyrë misionit të zbardhjes së vrasjeve të pasluftës në Pejë

Kur e ka marrë detyrën e Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, ka dhënë një zotim. Ka thënë se do t’ua heq pluhurin të gjitha rasteve të vrasjeve të pasluftës që kanë ndodhur në rajonin e Dukagjinit. E ato nuk janë pak, por bëhet fjalë për 115 raste të tilla kriminale, shkruan AktivPress.

 

Për heqjen e pluhurit mbi këto lëndë, siç thotë Kurmehaj, është dashur jo më pak se një vit e gjysmë.

 

Po, pse u desh kaq kohë e gjatë për këtë punë? Kryeprokurori e ka një shpjegim!

 

“Ato lëndë nuk kanë qenë mirë të sistemuara. Nuk kanë qenë të kompletuara. Na është dashur të bashkëpunojmë me EULEX-in e me KFOR-in. Disa raste kanë qenë të regjistruara në Polici, por nuk kanë qenë të paraqitura te ne, apo e kundërta. Disa raste i kanë pasur dy-tri fleta. Kështu që na është dashur një kohë mjaftë e gjatë për t’i kompletuar 115 rastet e vrasjeve të pasluftës”, thotë Kurmehaj në paraqitjen e parë para medieve për vitin 2019.

 

Tash, ai është optimist se gjërat kanë rënë në binarë, për atë edhe i ka përcaktuar objektivat për sivjet.

 

“Duke marrë parasysh faktin se po të punohej me 115 raste përnjëherësh nuk do të kishte qenë serioze nga ana jonë, atëherë ne i kemi shënjestruar 10 raste të vrasjeve, prej të cilave 6 do të jetë më me prioritet”, shpjegon Kurmehaj.

 

Këto raste të vrasjeve i përkasin periudhës 1999-2000.

 

Të gjitha rastet, siç thotë ai, janë shënjestruar në bazë të provave të cilat ata i disponojnë në shkresat e lëndëve.

 

Ai është optimist se me angazhimin e prokurorëve përgjegjës të cilëve u janë ndarë lëndët dhe në bashkëpunim edhe me sektorin e hetimeve të Policisë, këto raste do të zbardhen brenda këtij viti, ndonëse disa prej tyre kërkojnë bashkëpunim juridik ndërkombëtar.

 

Si vështirësi në zbardhjen e këtyre rasteve, Kurmehaj e sheh gjetjen e dëshmitarëve.

 

“Në këtë distancë kohore prej 20 vjetësh është pak e vështirë të gjinden dëshmitarët”, thotë ai.

 

Kurmehaj, megjithatë beson se nëse zbulohen disa prej këtyre rasteve, atëherë do të jetë më e lehtë edhe puna e dëshmitarëve, shkruan AktivPress

 

“Ne kemi menduar që eventualisht me zbulimin e disa rasteve të vrasjeve, do të inkurajojmë familjarët e të dëmtuarve, por edhe qytetarët që t’i paraqesin dëshmitë dhe provat që kanë, dhe kështu do të na ndihmojnë edhe neve që t’i zbulojmë këto raste”, shprehet Kurmehaj.

 

Ky Kryeprokuror jep një pasqyrë pozitive të punës së prokurorëve në Pejë, veçmas në dy vjetët e fundit.

 

Në vitin 2017, siç tregon ai, në Pejë janë kryer pesë vrasje dhe të pestat janë zbuluar.

 

Një ngecje ka ndodhur në vitin që e lamë pas, pasi prej katër vrasjeve që janë shënuar në këtë regjion, njëri prej tyre ende nuk është zbuluar.

 

Por Kurmehaj beson se brenda vitit, edhe ky rast do të zbardhet.

 

Ai ka thënë se për përmbushjen e objektivave për vitin 2019, do të mbaj takime periodike me prokurorët e tjerë për të parë se deri në ç’masë janë përmbushur ato.

Në njërin prej sektorëve është angazhuar edhe vet. Tash priten vetëm rezultatet.

© ZHURNAL 10.01.2019, 18:49 | T.E. | 2,202 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."