Nuk ekzistojnë “zotërat”. Ekziston Zoti!
opinion
Nuk ekzistojnë “zotërat”. Ekziston Zoti!

Nuk ekzistojnë “zotërat”. Ekziston Zoti!

Besimtar nuk mund të bëhet askush sepse ka vendosur ose paska zgjedhë të bëhet besimtar ndërkohë që mendjen dhe shpirtin e tijë nuk e përmbushë fluidi i dashurisë ndaj Zotit, ndajë mirësisë, ndaj humanitetit.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Lexova këtyre ditëve një shkrim të çuditshëm në të cilën një autor shtronte dilemën : “Pse duhet besuar në diçka që nuk e dijmë se si duket dhe nuk e kemi parë asnjëherë, pse duhet besuar Zotin, pse të mos besojmë zotërat e vjetër të cilëve ju kanë besuar romakët dhe grekët e vjetër, ilirët, vikingët…”. Unë, thjeshtë, mendoj se nuk ka kurfarë kuptimi të polemizohet në këtë drejtim me njerëz që akoma nuk ia kanë qartësuar vehtes dallimin mes “zotërave” dhe Zotit dhe pastaj shkojnë e merren me besimin e me fenë.

Këtij autori dhe bashkëmendimtarëve të vetë po ua bëj disa kundërpyetje : Pse njeriu shpreson anipse shpresa nuk shihet, pse e do popullin e vetë anipse dashuria nuk mundë të shihet me sy, pse beson në një të ardhme më të mirë anipse nuk e sheh, pse beson se do të përfundojë studimet, pse beson se do të përmirësojë gjendjen e vetë materiale,pse beson se do të shërohet nga ndonjë sëmundje, pse beson se klubi i tijë i zemrës do fitojë titullin e kampionit ?

Nuk ka asnjë dyshim se është normale dhe njerëzore të shpresosh e të besosh në gjërat që i përmenda anipse ato nuk mundë të shihen me sy. Por, pse duhet të krijohen dilema rreth besimit te Zoti ?

Besimi, definitivisht, i jep kuptim jetës së njeriut duke qëndruar mbi atë që është materiale dhe racionale, por nuk i eliminon keto të dyjat.Feja është udhërrëfyes në rrugën tonë jetësore dhe njëkohësisht është edhe caku që e synojmë, është ndihmësja jonë për të tejkaluar vështirësitë, hallet e dertet. Pra, dilema nuk është a duhet dhe pse duhet të besojmë, me rëndësi është Kujt dhe në Cka do besojmë. Filozofi i madh Spinoza ka thënë se Zoti është fuqia e shpëtimit tonë, ndërkaq Ajnshtajni ka qenë i bindur se vetëm te Zoti është përgjegja për gjërat e shumta që ne nuk i dijmë e nuk i kuptojmë. Dhe, autori i dilemës për të cilën po bisedojmë është shumë largë nga niveli intelektual e shkencor i Spinozës dhe Ajnshtajnit.

Astronomi F. Hoyle, ndërkaq, ka thënë se” mundësia që jeta në tokë të krijohet rastësisht është e njejtë me mundësinë që një uragan i fortë që përfshinë një hekurishte të bashkojë pjesët e nevojshme dhe të prodhojë nje Boeing 747 “. Kjo do të thotë se nuk egziston kurfarë mundësie që një botë të egzistojë nëse Zoti nuk ka vendosur që ajo të egzistojë, se Zoti është Krijuesi i cili përkujdeset për universin.

“Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet(i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë”( El Ihlas: 1-4) “Ai është i Pari dhe i Fundit, i Dukshëm dhe i Padukshëm; dhe Ai i di të gjitha!” [El Hadidë:3]).

Këtë besojnë besimtarët dhe nuk e vejnë në dyshim besimin në Zot e aq më pakë kanë nevojë të besojnë në “zotëra” të ardhur nga legjendat. Ata janë të bindur se Zoti i ka krijuar të gjithë njerëzit të barabartë, se Zoti nuk ju jep përparësi popujve, kombeve dhe racave të caktuara, nuk i favorizon të pasurit ndaj të varfërve…

Sidoqoftë, askush nuk është besimtar e as që mundë të bëhet besimtar duke u mbështetur mbi arsyet dhe shkaqet që ia ofron dikush. Kjo sepse besimi i vërtetë dhe i drejtë është dhuratë nga Zoti dhe rruga e vetme deri te Zoti kalon nëpër besimin e sinqertë. Të gjithë njerëzit që kanë marrë këtë dhuratë nuk kanë dilema se për çfarë duhet besuar Zotin, pse është Zoti Krijues dhe Sundimtar i botërave. Dhe,poashtu, besimtar nuk mund të bëhet askush sepse ka vendosur ose ka zgjedhë të bëhet besimtar ndërkohë që mendjen dhe shpirtin e tijë nuk e përmbushë fluidi i dashurisë ndaj Zotit, ndajë mirësisë, ndaj humanitetit. Interesi subjektiv dhe dobia e planifikuar nuk është besim i drejtë siç nuk është i drejtë besimi që bazohet në faktin se duke besuar, njeriu do të ik nga dënimi për veprat që i bën në kundërshtim me urdhërat e Zotit.Dashuria ndaj Zotit dhe besimi nuk njohin kushtëzime dhe ekuivoke

Përfundimisht, përkundër dallimeve që janë evidente mes kulturave dhe civilizimeve të ndryshme, të gjitha ato kanë pikë përbashkuese besimin në Zot, mbështetja në Zot paraqet një dimension të veçantë dhe shumë të rëndësishëm të civilizimit njerëzor, të shoqërisë dhe të njeriut në përgjithësi. Të kërkuarit e Zotit është detyrë dhe obligim i parë i njeriut kurse liria e besimit është liria elementare e çdonjërit nga ne. Jeta e njeriut është reflektim ndaj Zotit dhe është rrugë që shpie drejtë Zotit

“Allahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm. Atë nuk e zë as kotja as gjumi, gjithçka që ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tijë.Askush s’mundë të ndërmjetësojë tek Ai pos me lejen e Tijë, Ai e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që Ai e di të tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar, Kursija e Tijë(dija, sundimi) përfshinë qiejtë dhe tokën, kujdesi ndaj të dyave nuk i vjen rëndë, Ai është më i larti, më i madhi”(El Bekare:255].

Ja,mes tjerash, këto janë disa nga arsyet për çfarë njeriu duhet të besojë “diçka që nuk e sheh” dhe për të cilat duhet të besojë Zotin dhe jo “zotërat”.

© ZHURNAL 10.01.2019, 19:42 | T.E. | 9,513 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."