Kosova bëhet me ambasadë në Portugali
kosova
Kosova bëhet me ambasadë në Portugali

Kosova bëhet me ambasadë në Portugali

Prishtinë, 11 janar - Kosova hap ambasadën e saj në Portugali. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e cila thotë se Kosova bëri edhe një shtrirje të re diplomatike në Europë me hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës edhe në një shtet të rëndësishëm në Europë, i cili është anëtarë i NATO-s dhe Bashkimit Europian, Republikën Portugeze.

“Të enjten, me anë të një ceremonie zyrtare nga shteti pritës u akreditua edhe zyrtarisht, Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në shtetin portugez, Ylber Kryeziu, i cili i dorëzoi letrat kredenciale, Presidentit të Republikës portugeze, Marcelo Rebelo de Sousa. Ambasadori Kryeziu i përcolli Presidentit të këtij shteti de Sousa urimet e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe përkushtimin Institucional për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve”, thuhet në njoftim.

Republika e Kosovës vendosi të hapë për herë të parë Ambasadë në shtetin portugez gjatë vitit të kaluar, veprim ky, që u mirëprit dhe vlerësua lart edhe nga autoritetet e shtetit pritës.

Portugalia e ka njohur Republikën e Kosovës pak muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdimësi ka ofruar mbështetje për konsolidimin e shtetit të ri dhe integrimin e tij në Organizatat Ndërkombëtare.

© ZHURNAL 11.01.2019, 13:23 | Xh.I. | 2,209 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."