Shqipëria të enjten ratifikon Protokollin për Maqedoninë në NATO
Tiranë, 10 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi ka thënë se të enjten Kuvendi i Shqipërisë pritet ta ratifikojë protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.
Në takimin me ambasadorin maqedonas Danço Markovski ai tha se data e parë e mundshme për ratifikim është 14 shkurti kur është planifikuar seanca e Kuvendit, ndërsa qeveria veçmë e ka miratuar këtë vendim.
Kryetari i Kuvendit përgëzoi për arritjen historike e të shumëpritur, e cila është përshëndetur nga të gjitha institucionet shqiptare dhe që është një lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin.
“Maqedonia në NATO është mirëpritur nga të gjitha institucionet shqiptare, si suksesi i një vendi fqinj, me të cilin gjendemi gjeografikisht në të njëjtin rajon, por me të cilin ndajmë vizionet e së ardhmes së përbashkët euro-atlantike”, ka thënë Ruçi.
© ZHURNAL 10.02.2019, 15:51 | T.E. | 3,593 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."