Venezuela, dështimi i rradhës i socializmit
opinion
Venezuela, dështimi i rradhës i socializmit

Venezuela, dështimi i rradhës i socializmit

Robert Nesimi

Kriza e Venezuelës ka hyrë në radarin politik vetëm këto javët e fundit, por në të vërtetë ky shtet është në krizë pothuajse të përhershme gjatë gjithë kësaj dekade. Katalizator i krizës së tanishme ishte vendimi i kryetarit të Parlamentit Huan Guaido, që në suaza të kushtetutës së vendit përkohësisht të marrë rolin e Presidentit, derisa të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike. Ky vendim erdhi disa ditë para inaugurimit për herë të dytë të presidentit aktual Maduro, i cili fitoi zgjedhjet e kalua që u bojkotuan nga opozita, pasi kandidatët e saj u burgoësn ose thjeshtë nuk u lejuan të marrin pjesë në zgjedhje.

Guaido menjëherë u njoh si kryetar legjitim nga të gjitha shtetet fqinje dhe thuajse e gjithë hemisfera perëndimore, me përjashtim të disa qeverive të majta si Kuba, Meksiko ose Bolivia. Hapin e njëjtë e ndërmorrën edhe pjesa më e madhe e shteteve të Europës, duke përfshirë dhe Maqedoninë. Pikërisht kjo listë shtetesh, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u bënë burim teorish konspiracioni që flasin për një tentim grushteti të ndihmuar nga jashtë, me qëllim të anashkalimit të vullnetit të popullit të Venezuelës dhe legjitimitetit të Maduros. Këto teori tërheqin paralele me intervenimet në Irak apo Libi, gjoja për shkak të begatisë së Venezuelës me naftë. Por këto teori injorojnë realitetin e thjeshtë se Venezuela nën Çavezin dhe Maduron ngadalë u shndërrua në shtet të dështuar, në diktaturë të vërtetë që solli vetëm mjerim për popullatën e atjeshme, aq sa detyroi miliona njerëz të ikin drejt vendeve fqinje dhe më larg. Ashtu siç ju përshtatet, këto teori më tepër gjejnë vend në qarqe propagandistike anti-perëndimore dhe akoma më tepër tek lëvizjet e ndryshme të majta në Perëndim, që kësisoj tentojnë të maskojnë realitetin e egër të asaj si duket një qeverisje e vërtetë socialiste.

Venezuela është ndër shtetet më të begata me pasuri natyrore në Amerikën Latine. Ajo ka rezervat më të mëdha të naftës në botë dhe është vendi i vetëm i Amerikës Latine anëtare e OPEK-ut. Në sajë të kësaj pasurie ajo ishte vendi më i përparuar i kontinentit gjatë viteve të 60-ta dhe 70-ta, por morri tatëpjetën në vitet e 80-ta kur çmimet e naftës u ulën ndjeshëm. Në vitin 1998 për kryetar vendi zgjodhi Hugo Çavezin (gjashtë vjet më parë ai kishte udhëhequr një grushtet të dështuar të ushtrisë), i cili fitoi me një platformë populiste socialiste. Çavez shpejtë konsolidoi pushtetin, pikë së pari duke ndërruar kushtetutën që i lejoi të mbetet kryetar deri në vdekjen e tij në 2013. Duke shfrytëzuar çmimet e larta globale të naftës dhe të ardhurat financiare që sollën këto në buxhetin e shtetit, Çavezi nisi një kampanjë populiste dhe nga aspekti fiskal kryekëput të papërgjegjshme, të dedikuar përmirësimit të kushteve në shëndetësi, arsim dhe banim për shtresat e ulta të popullsisë. Gjatë dekadës së parë ai kështu arriti të bëhet model i të majtës globale, si shembull i një “socializmi që funksionon”. Mori lëvdata nga intelektualë dhe politikanë të shquar perëndimorë si Krugman, Çomski, Stiglic, Korbin e të tjerë.

Nga ana tjetër Çavez dhe regjimi i tij i “socializmit të ri” po shkatërronin themelet ekonomike të Venezuelës. Siç diktonte doktrina e tij socialiste Çavezi kreu ekspropriim, nacionalizim dhe vuri nën kontrollë direkte të shtetit industri të tëra dhe tokë, dramatikisht rriti shpenzimet publike, vendosi kontrolle të çmimeve dhe kapitalit dhe ndërmorri një sërë masash tjera nga literatura marksiste. Maduro që e trashëgoi pas vdekjes, vazhdoi politikat e tij, që kah fundi i dekadës veçmë po tregoheshin rrënuese.

Rezultati përfundimtar i kësaj kampanje masive socialiste ishte shndërrimi i Venezuelës në shtetin më të varfër të kontinentit dhe sipas çfarëdo definicioni në një shtet të dështuar. Nacionalizimi i industrive të ndryshme largoi nga vendi plot kompani të huaja që kishin ndihmuar zhvillimin e tij teknologjik, si dhe ikjen e plot profesionistëve lokalë që u zëvendësuan me të njohur të pushtetit. Sipas disa analizave sektori privat u përgjysmua brenda një dekade. Kur çmimet e naftës ranë, e vendit nuk i kishte mbetur gjë tjetër për të eksportuar, ai u ballafaqua me mungesa të shumta të gjërave elementare për jetë si ushqimi, medikamentet e mjete higjienike si sapuni. Siç binte liria ekonomike (Venezuale tani rangohet në vendin e 188 në botë), ashtu binin edhe indikatorët kryesorë ekonomikë. BPV ra 6% në 2016, 14% në 2017 dhe më tepër se 16% në 2018. Inflacioni u ngrit nga 70% në 2014 deri 4000% në 2017 dhe eventualisht arriti shifrën e pabesueshme 2.500.000% në janar të këtij viti. Niveli i varfërisë, “suksesi” shumë i reklamuar i regjimit të Çavezit, tejkaloi 80% në 2018. Deri atëherë më tepër se 3 milionë venezuelas kishin ikur nga vendi, duke kërkuar jetë më të mirë si refugjatë në vendet fqinje, si Kolumbia e Brazili.

Pas këtyre ngjarjeve nuk është e çuditshme që shumica e venezuelasve kërkojnë ndryshime dhe që Maduros i duhen nivele gjithnjë e më të mëdha represioni për të ngelur në pushtet. Pas kësaj krize një-dekadëshe akti i pranimit të Guaidos si kryetar legjitim nga pjesa dërmuese e Amerikës Latine, SHBA-ve dhe Europës është për t’u përshëndetur, jo kritikuar.

Njëkohësisht është për keqardhje që e majta globale vazhdon të justifikojë regjimin e Maduros dhe fajin për mizerjen e Venezuelës vazhdon t’a kërkojë te fuqitë e huaja dhe ndërhyrja nga jashtë. Padyshim kjo ka të bëjë me lëvdatat që kohë më parë i bëheshin regjimit bolivarian, që trumbetohej si model i një vendi të suksesshëm socialist. Heshtja e tanishme e këtyre intelektualëve të majtë flet për mohimin e tyre të realitetit dhe refuzimin për të pranuar se modeli socialist asnjëherë nuk funksionon në praksë. Siç është dëshmuar kushedi sa herë në histori, ai përherë përfundon me rrënim ekonomik, hiperinflacion, varfëri dhe eventualisht pritje të gjata në rradhë për ushqim dhe medikamente, njëlloj siç ndodhi në kohën e ish-Jugosllavisë.

Realiteti i egër me të cilin përballet tani Venezuela edhe njëherë vërteton se modeli socialist ka qenë dhe mbetet model i dështuar. Ai duhet të shërbejë si paralajmërim kundrejt lloj-lloj politikanësh që përqafojnë populismin e majtë ekonomik, këtu dhe jashtë.

© ZHURNAL 19.02.2019, 16:24 | Xh.I. | 2,143 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."