Akoma me qëndrime të kundërta – profesoreshë!
opinion
Akoma me qëndrime të kundërta – profesoreshë!

Akoma me qëndrime të kundërta – profesoreshë!

Shkruan: Mr. Hajrie Elezi-Veliu

Kohëve të fundit temë aktuale janë zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në prill të këtij viti. Sa më shumë që po afrohet data e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale aq më interesant bëhet edhe gara në mes kandidatëve potencial për kryetar shteti. Çfarë presidenti i duhet shtetit tonë? Një president shteti që do të përfaqëson unitetin e qytetarëve, që do të rikthej shpresën tek e ardhmja dhe i zhveshur nga ngjyrat politike.  Dikur, një senator amerikan me emrin Alan Simpson është shprehur kështu në Universitetin  Harvard: “Nëse keni integritet, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Nëse nuk keni integritet, asgjë tjetër nuk ka rëndësi “.  Kjo ishte mënyra më e thjeshtë dhe e bukur për të theksuar rëndësinë primare që ka karakteri njerëzor i një udhëheqësi politik, qoftë president apo udhëheqës i një rrafshi më të ulët. Sipas autorëve të ndryshëm, rreshtohen katërmbëdhjetë cilësi vetjake të ndryshme të udhëheqësve, por karakteri mbetet gjithnjë kryesori. Ndershmëria dhe integriteti janë dy komponenta kryesore që krijojnë një lider të mirë. Një president i mirë i një shteti promovon unitet në mes qytetarëve në vend të ndarjes. Edhe pse qytetarët janë thelbi për zhvillimin e një shteti kryetari i shtetit e ka atë përgjegjësi ti udhëheqi ato në progres . Për atë arsye edhe quhen udhëheqës  ose  kryetar të shtetit.

Një ndër kandidatët që do të garojë për president shteti është edhe  Gordana Siljanovska – Davkova një profesoreshë e imja nga Fakulteti juridik ‘Justiniani i parë’ në Shkup. Unë i takoj gjeneratës së artë e them këtë për arsye se të gjithë kolegët dhe koleget e mija të fakultetit që kemi studiuar atë kohë sot janë në pozita kyçe në institucione akademike dhe shtetërore ( profesorë fakulteti, gjyqtarë, avokatë, noterë, kolegë të mijë të punësuar në Qeveri etj.) të gjithë këto me një notë mesatare të lartë dhe me një nivel të lartë të profesionalitetit. Më kujtohet si sot se isha viti i parë në Fakultet dhe profesoresha në fjalë që është kandidate  e partisë opozitare për kryetare shteti më ligjëronte lëndën Sisteme politike. Gati të gjithë profesorët e këtij fakulteti ishin edhe akademikë por edhe pjesëmarrës aktiv  në skenën politike në vend. Sapo kisha filluar vitin  e parë me një notë mesatare të lartë dhe në radhë kisha provimin në fjalë. Amfiteatri ishte përplot me studentë dhe profesoresha në fjalë mi parashtroi tri pyetje. U përgjigja saktë dhe rrjedhshëm dhe profesoresha më thotë: “9 kolege e nderuar”. “Nuk e pranoj i them unë” dhe ajo menjëherë më parashtron edhe një pyetje sërish i përgjigjem pa asnjë gabim. Dhe si sot e mbaj mend fytyrën e saj cinike dhe me një qeshje artificiale me thotë: Dua të ta parashtroj një pyetje kolege: Po i them unë. Po të kisha thotë një parti politike unë a do ishe anëtare e partisë politike ku do jem unë?: Dhe unë menjëherë i përgjigjem  JO për arsye se unë dhe ti kemi qëndrime të kundërta për shumë çështje.  Ashtu pra kolege urdhëro indeksin kemi përfunduar provimin më tha dhe shoh që më ka shënuar 9  dhe nuk mund ti mbaja lotët nga diskriminimi i profesoreshës.    Ato lotë nuk i kam harruar  dhe vazhdoj ti mbaj mend edhe pse magjistrova po në atë fakultet dhe tani jam në prag të doktoraturës.

Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite  kanë ndryshuar shumë rrethana po si duket unë dhe profesoresha kemi akoma shumë qëndrime të kundërta. Dua ti them se ne akoma kemi qëndrime të kundërta për Ligjin e gjuhëve, për Marrëveshjen e Prespës për Marrëveshjen kornizë të Ohrit etj. Ajo kohë më parë deklaroi se: Ligji për përdorimin e gjuhës është në kundërshtim me Kushtetutën dhe rrënon Marrëveshjen kornizë të Ohrit. Unë dua ti them se ky Ligj jo vetëm që është në pajtueshmëri por bile është edhe i vonuar për shqiptarët. Gjuha profesoreshë paraqet shpirtin e kulturës. Diversiteti gjuhësor është simbol i diversitetit kulturor, dhe nga kjo pikëpamje llojllojshmëria gjuhësore paraqet simbol të kulturës; të cënosh dikë nga kjo e drejtë do të thotë të cënosh identitetin e tij. Së dyti, gjuha profesoreshë paraqet mjet për shprehje dhe u mundëson qytetarëve pjesëmarrje në aktivitetet shoqërore. Në këtë kontekst, politika gjuhësore luan një rol kyç në procesin e tranzicionit demokratik. Së treti, gjuhët janë të vlefshme si arritje kolektive njerëzore dhe shprehje e kreativitetit dhe origjinalitetit njerëzor. Kjo është e mbrojtur me argumentet e UNESCO-së për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore. Së katërti, gjuha mund të shërbej, në të gjitha sferat e jetës, ti bashkojë njerëzit ose ti ndaj. Të drejtat gjuhësore mund ti bashkojnë shoqëritë, kurse konfliktet mbi të drejtat gjuhësore mund të kontribuojnë në shkaktimin ose ndezjen e konflikteve. Në shoqërinë tonë multi-etnike dhe multi-kulturore, respektimi ndaj gjuhëve dhe kulturave të ndryshme është elementi kyç. Realizimi i të drejtës së përdorimit të gjuhës së bashkësive etnike në komunikimin me institucionet shtetërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut është në pajtueshmëri me Konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave nacionale dhe Kartën Evropiane për gjuhët regjionale ose të pakicave. E drejta ndërkombëtare e identifikon pjesëmarrjen e bashkësive etnike dhe të drejtat e tyre, si bazë për paqe dhe stabilitet dhe si masë për mbrojtje nga paraqitja e konflikteve. Si rrjedhojë e kësaj, që të ruhet stabiliteti në një shoqëri multietnike, nuk është e mjaftueshme vetëm në mënyrë gjenerale të vlerësohet diversiteti (llojllojshmëria) e madhe etnike, por të gjendet edhe një gjuhë e përbashkët politike dhe një kod i sjelljes. Nëpërmjet ndërtimit të besimit profesoreshë, pjesëmarrja në jetën publike mund të krijojë lojalitet ndaj shtetit dhe shoqërisë. Por ndonjëherë është e nevojshme edhe ndryshimi i percepcionit: mbrojtja e të drejtave të bashkësive etnike duhet të shihet si thelbësore për interesin e shtetit. Nëse shteti  tregon lojalitet ndaj tyre, duke ju ofruar mundësi për pjesëmarrje efektive, mund të presi në këmbim lojalitet të bashkësive etnike ndaj saj. Për atë arsye është me rëndësi të kuptohet rregulla e demokracisë për kyçjen e ‘tjetrit’ e bashkë me të edhe parimi i inkluzionit, sundimi i së drejtës dhe kultura politike të jenë imperativ i pandashëm në shoqëritë multietnike.

Sa i përket Marrëveshjes kornizë të Ohrit profesoreshë kjo marrëveshje është një hap për një shoqëri gjithëpërfshirëse, që është betonuar mbi traditën multietnike dhe para se gjithash në mardhëniet e mira njerëzore. Marrëveshja kornizë e Ohrit paraqet bazë të mardhënieve ndëretnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.  Sipas asaj, Marrëveshja kornizë ishte e orientuar kah integrimi i plotë i bashkësive etnike që gjatë kohë pjesëmarrja e tyre mvareshte nga vullneti i shumicës. Marrëveshja kornizë dhe zbatimi i saj është dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të Republikës së Maqedonisë së Veriut për procesin e stabilizimit, për ndërtimin e besimit në institucionet dhe afrimin kah Bashkimi Evropian. Kemi qëndrime të kundërta për Marrëveshjen e Prespës se si shtet profesoreshë  ngelëm 27 vite mbrapa. Po ja që sot realiteti është shumë më ndryshe shpresojmë që të hapërojmë me hapa më të shpejta dhe të sigurta drejt një të ardhme më të mirë.

Dhe në fund në Konventën e mbajtur nga VMRO-ja para disa ditëve profesoresha në fjalë deklaroi se shpreson në përkrahjen dhe votat e studentëve  shqiptarë, turq, vlleh etj. Dua ti them se jo vetëm studentët shqiptar por as një shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk do ta përkrahi. Më mirë e ka të kthehet prej aty nga ku vjen dhe  bashkë me  ish kolegun e  saj Ivanovin  le të thurrin deklarata antishqiptare se edhe ashtu garën e ka të humbur.

Për atë arsye dëshiroj dhe shpresoj që partitë shqiptare në pushtet do të gjejnë një kompromis dhe do të dalin me një kandidat të përbashkët një kandidat që do të jetë i dëshmuar profesionalisht në sferën e vet, një kandidat që ne si shqiptar do të krenohemi.  Jo që nuk e kemi por është koha të ulemi dhe ta gjejmë midis shoqërisë tonë.


22.02.2019
  Shkup

© ZHURNAL 23.02.2019, 13:47 | B.M. | 33,415 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."