“Rusia synon të minojë çdo hap të Ballkanit për integrim në NATO”
maqedonia
“Rusia synon të minojë çdo hap të Ballkanit për integrim në NATO”

“Rusia synon të minojë çdo hap të Ballkanit për integrim në NATO”

Komandati i forcave amerikane në Evropë, Gjenerali, Curtis Scaparrotti, ka thënë se Rusia vazhdon të jetë “kërcënim kryesor” për sigurinë euro-atlantike dhe ka shprehur shqetësime për modernizimin e programit ushtarak të Moskës.

Duke folur në një seancë të Dhomës së Përfaqësuesve më 13 shkurt, Scaparrotti ka thënë se Rusia synon të minojë çdo hap drejt integrimit të Ballkanit në aleancën euro-atlantike, përmes dezinformimit dhe mbështetjes së forcave ekstreme në rajon.

“Rusia ka vazhduar të jetë konkurente strategjike dhe është kërcënimi kryesor për stabilitetin e ambientit euro-atlantik” ka thënë ai para Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura.

“Derisa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë superioritet ushtarak në botë, rritja e kapaciteteve ruse rrezikon përparësitë tona ushtarake dhe sfidon aftësitë tona për të vepruar në mënyrë të pakontestueshme në të gjitha fushat, si dhe zvogëlon mundësitë tona për të luftuar agresionin rus”.

Ai po ashtu ka përmendur se teksa Moska synon të shtojë kapacitetet ushtarake, SHBA-ja mund të vazhdojë të jetë superiore vetëm duke investuar në mbrojtje.

“Jam shumë i shqetësuar për modernizimin e programit të tyre. Është program i vërtetë që presidenti rus, Vladimir Putin ka arritur ta rrisë. Ne ndonëse, siç e përmenda kemi një forcë dominuese, në vjetet që vijnë duhet të investojmë”, ka thënë ai.

Gjenerali amerikan ka shprehur shqetësime edhe për rrugët që po krijon Rusia në Ballkan, rajon në të cilin SHBA-ja ka “investuar shumë dhe është tejet i rëndësishem për sigurinë e Evropës”.

“Nëse flasim në përgjithësi, këto përpjekje janë duke dëmtuar integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike, Bashkimi Evropian dhe NATO.

Ky është objektivi i tyre i përgjithshëm”, ka thënë Scaparrotti para Komitetit amerikan.

“Fillimisht ata e bëjnë një gjë të tillë përmes dezinformimit, përmes fondeve dhe mbështetjes ndaj disa partive. Ne shohim se një gjë tillë është rritur në Ballkan në gjashtë apo tetë muajt e fundit”.

Komandanti i NATO-s ka thënë të jetë i shqetësuar për mundësinë që Rusia të tentojë të pengojë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj për anëtarësim në aleancë.

“Mund të them se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, tani anëtar i 29-të, dhe Maqedonisë së Veriut që mund të jetë anëtarja e 30-të, është pikërisht ajo që Rusia nuk dëshiron të shohë. Mendoj se ata do të vazhdojnë të adresojnë këtë gjë me Maqedoninë e Veriut, ashtu siç kanë tentuar të ndikojnë në anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Autoritetet në Malin e Zi, të cilat i janë bashkuar NATO-s në qershor të vitit të kaluar, kanë akuzuar dy zyrtarë rusë, të inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU, për organizim të tentimeve të dështura për grushtshtet, në mënyrë që t’i parandalojnë këtij shteti, anëtarësimin në aleancë.

© ZHURNAL 14.03.2019, 09:49 | Xh.I. | 4,512 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."