Ekspertët me kritika për reformat në shërbimet e sigurisë
maqedonia
Ekspertët me kritika për reformat në shërbimet e sigurisë

Ekspertët me kritika për reformat në shërbimet e sigurisë

Shkup, 18 mars - Kritika të shumta në debatin e parë publik në Kuvend pas leximit të parë të ligjit për Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe ligjit për koordinimin e njësive të sigurisë. Profesorët e sferës së sigurisë vlerësojnë se trupi koordinues i njësive të sigurisë do të lejonte përqendrim të fuqisë te kryeministri meqë ligji nuk parashikon që anëtarë të këtij trupi të jenë edhe presidenti i vendit dhe kryetari i Kuvendit. Një pjesë e ekspertëve ngritën edhe çështjen e përgjimeve të cilat ligjërisht do t’i mundësohen DSK-së së reformuar edhe pa ndërmjetësimin e ATO-së.

"Përmes ligjit të ri për koordinim të bashkësive të sigurisë, institucionit President, ekziston rreziku që t’i merren kompetencat dhe t’i pamundësohet t’i zbatojë detyrimet e rregulluara me Kushtetutë në sferën e sigurisë. Pse me ribrendimin e DSK-së në Agjenci për Siguri Kombëtare përsëri është paraparë ndjekja e komunikimeve jashtë ATO-së, meqë e formuat ATO-në?", tha Marjan Gjurovski, prodekan në Fakultetin e Sigurisë.

Profesorët e sigurisë kërkonin qartësim të dispozitave edhe sa i takon bashkëpunëtorëve të ASK-së.

"Ajo që mendoj se duhet të futet në ligj është që të potencohet se vetë bashkëpunimi i fshehur është e ndaluar që të dhënat që i jep ai ose që i siguron, të keqpërdoren kurdoherë, të përdoren kundër tij. Ky është procesi i lustrimit që ishte deri tani", u shpreh Zllate Dimovski, profesor.

Drejtuesit e dikasterit të Brendshëm, si institucion që ka propozuar ligjet, theksuan nevojën e ndryshimeve në shërbimet e sigurisë.

"Reforma në shërbimet e sigurisë dhe zbulimit është e rëndësishme për të gjithë ne dhe atë për më shumë aspekte. Para së gjithash, nga aspekti i qasjes së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO, por, mbi të gjitha edhe për vendosjen e një sistemi të sigurt për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe sigurisë së qytetarëve dhe shtetit", tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

"Reformat në sistemin e sigurisë ishin të domosdoshme. Arbitrariteti institucional dhe fuqia e pushtetit nga sfera e sigurisë, jashtë kuadrit institucional dhe atij ligjor, jo vetëm që prishi balancing dhe respektin e ndarjes së pushteteve në shtet por ka goditur rëndë marrëdhëniet ndëretnike duke kultivuar konfliktin mes grupeve të interesit mbi baza etnike dhe fetare, përfshirë për së fundi herë edhe goditjet mbi grupet e interesit mbi baza ideologjike dhe politike partiake", deklaroi Agim Nuhiu, zv. ministër i Brendshëm.

Agjencia për Siguri Kombëtare parashihet të zëvendësojë DSK-në famëkeqe por të jetë jashtë Ministrisë së Brendshme. Drejtorin e saj do ta propozojë kryeministri dhe do të zgjedhë Qeveria. Trupi koordinues për bashkësitë e sigurisë do të drejtohet nga kryeministri dhe në të do të marrin pjesë ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe drejtorët e njësive të shërbimeve të sigurisë, përfshirë edhe Agjencinë e Inteligjencës e cila është nën kompetenca të Presidentit.

© ZHURNAL 18.03.2019, 16:10 | Xh.I. | 1,032 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."