Të jetosh me terorizmin
opinion
Të jetosh me terorizmin

Të jetosh me terorizmin

Duke dëgjuar korin e njerëzve-sorra me  mendje të ikur që me krakamën e vetë krijojnë simfoninë e pështirë kakofonike e cila paralajmëron vetëm kaos, tensione e shqetësime në vend, nuk ka si të mos shtrohet pyetja: a ia vlenë t’i thërasësh vetëdijes aty ku vetëdije s’ka?

 

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

 

Ditëve që shkuan, dëgjuam se MPB kishte organizuar një aksion për të penguar një aktivitet terrorist dhe pastaj u paraqit edhe ambasada amerikane në Shkup e cila i paralajmëroi qytetarët e vetë të jenë të vëmendshëm sepse mundë të ndodhë ndonjë sulm terrorist. C’ është e vërteta, opinioni nuk kuptoi më shumë detaje lidhur me aktivitetin e MPB dhe paralajmërimin e ambasadës amerikane por, mbetet fakti se e tërë ajo punë nuk mundë të ishte ndonjë hajgare. Thjeshtë, sepse me terorizmin nuk bëhet hajgare.

 

A është terorizmi “specialitet islamik”

 

Sidoqoftë, reagimi i opinionit me këtë rast ishte shumë disonant. Cuditërisht, një pjesë e “analistëve dhe ekspertëve”, përfshirë këtu edhe njohësit shqiptarë të kësaj lëmie, mbetën të heshtur anipse në raste të tjera nuk ngurojnë të analizojnë bile edhe borën që kishte rënë vitin e kaluar në këtë kohë. Ata që megjithatë u deklaruan, kryesisht mbanin qëndrimin se Maqedonia nuk qenka e rrezikuar nga terorizmi që mundë t’a nxitin luftëtarët që po kthehen nga fushëbetejat e ISIL. Ndërkaq,bashkësia internetiste e fejsbukiste që vepron si zakonisht nga erësira, konstatoi se “Shqiptarët po n’a e sjellin ISIL-in në Maqedoni për të n’a tmeruar e për të na larguar nga vendi” dhe kërkuan shfarosjen  e “mjekroshave” me farë e fis. Disa, si proevropianë të dëshmuar që qenkan, ia mbajtën gajlen Evropës që qenka e rrezikuar nga depërtimi i Isilistëve përmes Maqedonisë.

 

Edhepse po mbisundon një bindje tjetërfare, dua të theksoj se terorizmi kursesi nuk është “specialitet” eksluziv i muslimanëve sepse shumë përpara se të paraqiten Al Kaeda dhe Isil, botën dhe Evropën në veçanti, e kanë tronditur akte të shumta teroriste të kryera  nga organizata që nuk kanë pasur kurfarë lidhje me Islamin.

 

Kështu, Irgun Zvai Leumi dhe Lehi ose Banda e Shternit janë organizata hebreite që kanë bërë aksione teroriste qysh në kohën e krijimit të shtetit të Izraelit. ETA(Euskadi ta Askatasuna) dhe IRA((Irish Republican Army)janë organizata që përbëheshin nga katolikë. RAF(Rote Armee Fraktion)ka qenë organizatë majtiste gjermane e ngjajshme me Brigadat e Kuqe(Brigate Rosse) që vepronin në Itali.Babar Kalasa është grup militant i Sikëve kurse Tigrat Tamilë janë nga Shri Lanka.

 

Të gjitha këto organizata e kanë mbajtur Evropën nën ethe në vitet e shtatëdhjeta e tetëdhjeta, kurse kronoogjia e sulmeve teroriste nëpër Evropë dëshmon se brënda 45 vjetëve kanë humbur jetën mbi dhjetëmij njerëz. Kjo,sipas bazës botërore të terorizmit që gjendet në Universitetin në Merilend e që e përcjellë me përpikshmërinë më të madhe këtë dukuri .

 

Pra, terorizmi nuk është diçka e re për Evropën dhe botën sepse bombat e kurdisura dhe vdekjet e njerëzve të pafajshëm kanë qenë gjëra që kanë sunduar lajmet dhe kanë mbushur morgjet shumë përpara daljes në skenë  të terorizmit të ashtuquajtur “islamik”.Por, duhet thënë se duke u përballur që moti me sulme teroriste, Evropa i ka ndërtuar mekanizmat e vetë mbrojtës dhe organizativ, paçka që praktika ka dëshmuar se mbrojtje e sigurtë nga terorizmi nuk ekziston.

 

Shansi i dytë

 

Dhe, tani po i kthehem Maqedonisë për të thënë fjalë-dy:

 

Pikësëpari, më duhet të përsëris faktin e mirënjohur se gjatë muajve në vijim pritet deportimi dhe riatdhesimi i një numri luftëtarësh nga Maqedonia të cilët kanë luftuar në Siri dhe Irak e të cilët për momentin janë të burgosur në shtete të ndryshme. Cfarë do bën Maqedonia në një sitruatë të këtillë ?

 

S’do mend se kjo përgjegje ju takon atyre të cilët janë të thirur të menaxhojnë situata të këtilla.Por,jam i sigurtë se vetëm ligji ekzistues i Maqedonisë së Veriut që sanksionon qytetarët tanë që kanë marrë pjesë në luftëra të huaj nuk mjafton për t’ia dalë në krye me ata.Besoj thellë se çdokush në jetë meriton shansin e dytë, besoj në mundësinë e resocializimit të njerëzve të cilët kanë rënë ndesh me ligjin. Dhe, mbi të gjitha besoj dhe jam i bindur se familjet e atyre njerëzve, gratë dhe fëmijtë nuk guxojnë të paragjykohen po përkundrazi duhet t’ju mundësohet funksionimi normal në shoqëri.    

 

As që dua të merrem me bilmezët që thonë se “mjekroshët duhet të zhduken me farë e fis kur të kthehen…”, e as me ata të cilët mendojnë se “shqiptarët po e sjellin Isilin në Maqedoni për t’i elimnuar maqedonasit…”. Nuk merrem me ata sepse ata përveç mungesës elementare të qëndrimit human ndaj njerëzve, e kanë problem edhe mendjetrashësinë .

 

Po them edhe sot, siç kam thënë shumë herë :Nuk ka asnjë dyshim se veprimet e grupeve të caktuara radikale që parapëlqejnë veshjen me petkun e Islamit, kanë ndikuar dukshëm në nxitjen e islamofobisë dhe në gatimin e imazhit sipas të cilit “ Islami dhe muslimanët e refuzojnë progresin dhe tolerancën,të drejtat e njeriut dhe principet  demokratike…”. Por, po ritheksoj se edhe islamofobia është terorizëm dhe islamofobët janë po aq  teroristë të rrezikshëm sikurse “radikalët islamik”.

 

Për momentin,ekziston një diskurs negativ politik, medial, internetist e fejsbukist që Islamin dhe muslimanët i  paraqet dhe i konsideron si cak mbi të cilin mundë të zbrazen frustracionet dhe dështimet e individëve e grupacioneve që kanë dështuar të kyçen në rrjedhat pozitive e progresive të shoqërisë.

 

Ky diskurs, përfudimisht, nuk është ai që  ofron zgjidhje në  luftën për parandalimin e përhapjes së veprimtarisë radikale e teroriste në Maqedoni. Zgjidhje ofron vetëm veprimi i mençur e ineteligjent i shoqërisë në përgjithësi, kyçja e organizatave joqeveritare në projekte të ndryshme të cilat synojnë tejkalimin dhe jo thellimin e ndasive mes pjesëtarëve të etnive dhe feve të ndryshme.

 

Në këtë vazhdë, po përkujtoj se Bashkësia fetare Islame e Maqedonisë së Veriut qysh para disa vitesh, kur akoma nuk bëhej fjalë për ndërprerjen e luftimeve në Siri e Irak, e përgaditi një projekt shumë serioz dhe gjithëpërfshirës lidhur me resocializimin e atyre që kthehen nga luftërat. Ai projekt besoj se është bazë e mirë për tejkalimin e rrezikut të shpërthimit të radikalizmit në Maqedoni, posaçërsiht sepse u prit me shumë konsideratë edhe nga faktori ndërkombëtar.

 

Maqedonia nuk e ka luksin e të jetuarit me terorizmin, ajo duhet të kërkojë e të gjejë mënyrat për të bërë dialog e për të tejkaluar situatat që prodhojnë dhunë.

 

© ZHURNAL 02.03.2019, 12:47 | T.E. | 7,375 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."