Shpenzimet e larta do t'i shtrenjtojnë banesat
ekonomi
Shpenzimet e larta do t'i shtrenjtojnë banesat

Shpenzimet e larta do t'i shtrenjtojnë banesat

Shkup, 22 mars – Çmime më të larta të banesave në periudhën e ardhshme për shkak të rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve për materiale ndërtimore dhe për të punësuarit, pret Oda Ndërtimore pranë Lidhjes së Odave Ekonomike.

“Nëse dëshirojmë, ndërsa duhet të ndërtojmë banesa cilësore, është fakt se çmimi do të rritet, ndërsa sa do të jetë përqindja do të tregojë tregu dhe ky është realiteti, tha sot në konferencën për shtyp Ivica Jaqimovski, kryetar i Odës Ndërtimore pranë LOE-së.

Siç potencoi, rritja e vazhdueshme e shpenzimeve për materiale ndërtimore dhe për të punësuarit në kompanitë ndërtimore, e dikton edhe rritjen e çmimit të banesave cilësore dhe në periudhën e ardhshme nuk do të mundet të ofrohet ndërtim cilësor me çmime më të ulëta.

Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, theksoi Jaqimovski, e konfirmojnë gjendjen dhe tregojnë se shpenzimet në ndërtimtari për objekte të reja për banim individual në tremujorin e katërt të vitit të kaluar në krahasim me tremujorin e njëjtë nga viti 2017 janë më të larta për 5,9 për qind, shpenzimet për materiale janë rritur për 3,2 për qind, ndërsa për të punësuarit për 13 për qind.

Rritja e shpenzimeve është rezultat i rritjes së çmimit të energjensëve dhe transportit dhe për materialet të cilat importohen dhe për ata nga prodhimtaria shtëpiake. “Nëse në vitet e kaluara, duke përjashtuar dy të fundit në pjesën e ndërtimit të lartë kishte vazhdimësi dhe stabilitet, në kushtet e tanishme të pasigurisë juridike investitorët nuk kanë mundësi që të investojnë. Ajo që mund të presim në periudhën e ardhshme është se nuk do të mundet të ofrohet ndërtim cilësor me çmime më të ulëta, sepse rritja e shpenzimeve e dikton edhe rritjen e çmimit të banesave cilësore, tha presidenti i Odës Ekonomike.

Siç tregoi, shfrytëzimi i materialeve cilësore, me zbatim të trendeve më të reja për ndërtim të banesave më efikase energjetike me cilësi të lartë, kushtojnë më shumë, por në afat të gjatë nënkuptojnë kursim të dyfishtë.

“Në hap me arritjet botërore në ndërtimtari, është e nevojshme ndjekja dhe zbatimi i teknologjive më të reja dhe standardeve në drejtim të rritjes së konkurrencës dhe cilësisë së ndërtimit. E gjithë kjo kushton, kohë, mjete dhe punë. Çmimi i banesave në të ardhmen do të lëviz në linjë të rritjes dhe kjo varet vetëm nga cilësia e ndërtimit, lokacioni, infrastruktura dhe ambienti i volitshëm afarist”, tha Jaqimovski.

Ai përkujtoi edhe se viti i kaluar ishte një nga më të këqijtë për ndërtimtarinë, sektor nga zhvillimi afatgjatë i të cilit varet rritja e 26 degëve ekonomike dhe të të gjithë ekonomisë./Zhurnal.mk

© ZHURNAL 22.03.2019, 14:55 | Z.H. | 1,217 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."