Një dinamikë eksodi; për pasojat do të flasim më vonë!
opinion
Një dinamikë eksodi; për pasojat do të flasim më vonë!

Një dinamikë eksodi; për pasojat do të flasim më vonë!

 

nga Lirim BEGZATI

 

Një ditë kur u nisëm rrugës së “kurbetit”, para disa dekadave, nuk kemi mundur me e ditur se çfarë perspektivash na presin pas disa dekadave, nuk mund t’i imagjinonim të gjitha sfidat të cilat kanë me na përcjellur gjatë rrugëtimit tonë të mërgimtarit, në ambientet e reja të jetës sonë.

 

Një analizë e parë që e bënim, kur u larguam nga vendi ynë, nuk na mundësoi asnjëherë që ta dinim atë se si ka me u dukur më vonë raporti ynë me vendin e origjinës dhe me atë të huaj, e gjithë kjo nën kontekstin e dëshirës që të mos e largonim aspak nga mëndja projektin e kthimit eventual në vendin tonë të origjinës !

 

Një thënie iniciale na thoshte “ Jam i detyruar të largohem nga vendi imë, por duke premtuar se një ditë do të kthehem sërish aty”. Sa bukur tingëllonte kjo në të kaluarën. Nuk janë të paktë ata që nuk kanë mundur kurrë të imagjinojnë atë se, një ditë, pesha e thënies së tillë do të zbehet në mënyrë drastike!

 

Një dëshirë e flaktë për me u kthyer një ditë në vendlindje, filloi të ballafaqohet me dëgjimin e shprehjes së dëshirave të llojit : “Vetëm të largohem nga ky vendi imë, dhe as që do të më shkonte mëndja të kthehem këtu një ditë”, ashtu siç dëgjojmë nga disa sot, nga ata që i janë afruar revoltës ekstreme.

 

Një iluzion i paparë! Sot, i madh e i vogël, tregon kureshtjen - por jo vetëm kaq - ndaj nevojës së emigrimit, ndaj nevojës për me u larguar nga vendi, ndaj dëshirës apo domosdoshmërisë për me kërkuar një perspektivë më të mirë jashtë vendit.

 

Një rrugë me dy binare paralele ! “Kryesorja me u larguar nga këtu, nga vendi ynë”, dëgjojmë pra nganjëherë nga ai “i vendit”. “Në gjendjen ku kemi arritur, por edhe për shumë arsye të tjera, e kam vështirë ta imagjinojë të kthehem një ditë në vendlindjen time” thotë “i huaji!.

 

Një problematikë që i prek gati se të gjitha horizontet e shoqërisë sonë, të gjitha familjet tona, të gjitha kategoritë e popullatave të trojeve tona, pa kursyer gati askënd, qoftë në viset tona, qoftë në vendet ku jetojmë, veprojmë apo punojmë.

 

Një çështje ende e pa kuptuar në tërësinë e saj, apo thjesht e pa definuar dhe vështirë për me trajtuar, jo aq lehtë me i rënë në fije vetëm përmes një diskutimi apo nëpërmjet të përmbledhjes së disa shkrimeve, publikimeve apo analizave!

 

Një pyetje që ngërthen në vete një sërë temash të natyrave të ndryshme të cilat, nëse disa prej tyre i gjejnë përgjigjet e caktuara, qofshin ata edhe të pjesërishme, kjo nuk vlen gjithmonë edhe për shumë të tjera, ngase të shumta janë ata që mbeten pa përgjigje apo i nënshtrohen njëfarë dikutabiliteti.

 

Një debat dhe një reflektim shumëdimensional që shpejt përballen me interpretime të shumëllojshme, si me vlerësime konstruktive dhe me vizionet kundërthënëse, ashtu edhe me të ndeshurit me realitetet e pashmangshme që na shoqërojnë dhe që nuk iu pëlqejnë çdokujt!

 

Një traditë e pareshtur e largimeve gati se masive nga vendi, një traditë e dëshirës ose e vullnetit të lirë, apo një rezultat i imponuar nga rrethanat e caktuara!?! Një domosdoshmëri gati se e paevitueshme, tingëllon në analizën e të shumtëve prej atyre që gjinden në këtë situatë!

 

Një emërues i përbashkët i gjithë kësaj; shumë pyetje, përgjigje, analiza e reflektime mund të shpalosën në horizontet e kësaj teme që nuk njehë kufi!

 

Një dinamikë eksodi, kurse për pasojat do të flasim më vonë!

 

Neuchâtel (Zvicër), 24 mars 2019

 

© ZHURNAL 24.03.2019, 13:37 | B.M. | 3,850 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."