Ahmeti e ftoi VMRO-në të mos tërhiqet nga dialogu për PSP-në
maqedonia
Ahmeti e ftoi VMRO-në të mos tërhiqet nga dialogu për PSP-në

Ahmeti e ftoi VMRO-në të mos tërhiqet nga dialogu për PSP-në

Shkup, 24 mars – Lideri i BDI-së Ali Ahmeti sot e ka ftuar partinë më të madhe opozitare maqedonase të vazhdojë pjesëmarrjen në grupet e punës pranë Ministrisë së Drejtësisë lidhur me ligjin për Prokurorinë publike me të cilin zgjidhet edhe fati i PSP-së.

“Kishim takime. Apeloj deri te opozita të mos tërhiqet nga dialogu dhe të arrihet pajtueshmëri për të mirën e shtetit”, ka deklaruar Ahmeti, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjatë shënimit të 20 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë në organizim të BDI-së, ku kanë marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, si dhe kryetari i BFI-së, Reis ul ulema Sulejman Rexhepi.

Me qëndrim për dialogun me opozitën sot doli edhe LSDM përmes zëdhënësit të tij, Kostadin Kostadinov.

“Atë që e dëgjuam nga grupet e punës se nuk ka asnjë lëvizje të qëndrimeve, e dini se pozicioni i LSDM-së është i qartë, i palëkundur dhe parimor, ajo nënkupton se nuk do të jetë e ndryshueshme, pasi është në pajtueshmëri me rekomandimet e BE-së, e ai është sigurimi i shtetit të vërtetë juridik. Për fat të keq, partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE nuk e mbështet gjithë atë proces  duke u udhëhequr nga parimet e saja bazë, e ajo është amnistia për kriminelët e pushtetit të kaluar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski”, ka thënë sot Kostadinov.

I pyetur nëse kanë filluar bisedime me deputetët për marrjen e dy të tretave të shumicës, ai ka thënë se LSDM është parti e cila i jep shans dialogut.

“Është rradha të bisedojmë me partinë më të madhe opozitare, do të shohim se si do të jetë epilogu i atyre takimeve dhe më pas gjithë ai debat të kalojë në Kuvend”, shton Kostadinov.

Grupet e punës nga pushtetit dhe opozita të premten nuk arritën të afrojnë qëndrimet rreth Ligjit për Prokurorinë publike.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska pas takimit theksoi se VMRO-DPMNE-ja e ka shkelur marrëveshjen e parë të cilën e kemi bërë, e ajo ishte që në takimin e sotëm të kenë dorëzuar amendamente konkrete me të cilat do të përmirësohej teksti ligjor nëse ka hapësirë për këtë.

“Në vend të kësaj, morëm një material në të cilin vendosën dokumente ndërkombëtare të cilat supozohet se nuk janë zbatuar. Të gjitha dokumentet të cilat janë vendosur në atë që e dorëzoi VMRO-DPMNE-ja, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me PP-në janë zbatuar në këtë ligj, një pjesë janë zbatuar në Ligjin për procedurë penale, ndërsa një pjesë janë zbatuar në Kodeksin e prokurorëve publikë.  Ka edhe një dokument të cilin ata e theksojnë e që aspak nuk ka të bëjë me PP-në, por  ka të bëjë me nëpunësit publikë dhe në të  qartë qëndron se ai nuk ka të bëj për çfarëdo lloj organesh në kuadër të gjyqësorit, deklaroi Deskoska.

Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja pas takimit theksoi se në takimin e sotëm ishin numëruar tri pika për zbatimin e 15 rezolutave të cilat duhet të pranohen në këtë ligj, ndërsa, të cilat, siç tha, janë sipas standardeve ndërkombëtare.

VMRO-DPMNE-ja opozitare dorëzoi deri te Ministria e Drejtësisë tri parime të cilat do të insistojnë që të zbatohen në Propozim ligjin për Prokurori Publike – zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare të cilat kanë të bëjnë me Prokurorinë dhe prokurorët, mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe pavarësinë, neutralitetin, llogaridhënien, efikasitetin dhe efektivitetin në luftën kundër krimit.

Shumica pret që ligji për Prokurori Publike të sillet deri në fund të marsit, gjegjësisht para fillimit të fushatës për zgjedhjet presidenciale. Ky është edhe një nga kushtet për hapjen e bisedimeve me BE-në në qershor.

© ZHURNAL 24.03.2019, 18:29 | T.E. | 6,230 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."