EDITORIAL: “Bomba e pashpërthyer” demografike në Maqedoni të Veriut midis shqiptarëve e maqedonasve
maqedonia
Editorial: “Bomba e pashpërthyer” demografike në Maqedoni të Veriut midis shqiptarëve e maqedonasve

Editorial: “Bomba e pashpërthyer” demografike në Maqedoni të Veriut midis shqiptarëve e maqedonasve

Shkup, 25 Mars, Zhurnal.mk – Maqedonasit këtyre ditëve po tentojnë që të imponojnë vendime ligjore me qëllim që të përmbysin trendin e zvogëlimit të numrit dhe përqindjes së tyre në vend, duke tentuar që përmbysin trendin e rritjes së numrit dhe përqindjes së shqiptarëve dhe pakicave të tjera të vendit.
 
Partitë politike maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE këtyre ditëve ndodhen në një panikë të heshtur nga publiku për shkak të shifrave të cilat thonë se numri i popullatës maqedonase nuk po rritet por ai po zvogëlohët, përderisa i jo-maqedonasve, e sidomos ai i shqiptarëve, po rritet.
 
Shifrat zyrtare që janë publikuar ndër vite deri më tash nga agjencioni i statistikave në Shkup nuk sqarojnë në shifra konkrete e të detajuara këtë trend brengosës për maqedonasit, por panika e politikanëve maqedonas tash po vërehet përmes çështjes mjaft aktuale për shtesat e fëmijëve dhe regjistrimit të ardhshëm të popullatës.
 
Shqiptarët në Maqedoni të Veriut me dekada janë ankuar se numri i tyre i vërtetë është më i madh sesa që thonë shifrat zyrtare të publikuara nga organet shtetërore të vendit, e ndërkohë se edhe numri i vërtetë i maqedonasve është më i vogël sesa numri i tyre zyrtar.
 
Është e vështirë që të gjesh ndonjë shqiptar në Maqedoni që iu beson këtyre të dhënave publike nga agjencioni i statistikave të Maqedonisë së Veriut.
 
Shifrat e dhëna zyrtare për regjistrimin e vitit 2002, sipas të cilave në Maqedonia asaj kohe paska pasur vetëm 25.2 për qind shqiptare e maqedonas 64.2 për qind, për shqiptarët e vendit nuk janë të besueshme.
 
Simptomat e shqetësimeve të palës maqedonase tash kanë filluar që të konfirmohen publikisht edhe me nismën e LSDM-së për një ligj të ri për shtesat e fëmijëve.
 
Draft-ligji i hartuar  - tashmë duke u negociuar midis LSDM-së dhe partive shqiptare në pushtet -  në formën e tij të tashme për rezultat primar pritet që të ketë zvogëlimin e numrit të fëmijëve shqiptarë që do të merrnin shtesa. Ky propozim i de-motivon prindërit për të shtuar familjen.
 
Mirëpo në të njëjtën kohë, ky propozim nga LSDM, nuk thotë gjë tjetër pos një të fshehur të madhe nga vet zyrtarët maqedonas se populli maqedonas viteve të fundit nuk i ka punët mirë me numrin e tij, dhe sidomos jo me trendin e shtimit, bilanci i të cilit është negativ për shkak se numri i tyre po zvogëlohet e i shqiptarëve po rritet.
 
Fjalorit të zyrtarëve të LSDM-së se ligji i deritashëm i hartuar në kohën e pushtetit midis VMRO-DPMNE dhe BDI-së nuk e pati efektin e pritur për stimulim e lindshmërisë, tash i janë bashkuar edhe anëtarët e vet VMRO-DPMNE.
 
Që të dy partitë maqedonase tash kanë të njëjtin qëndrim për masat ligjore që duhet ndërmarrë për të ndalur trendin e rritjes së numrit të shqiptarëve dhe të pakicave të tjera, pikërisht përmes propozimeve për ligjin e ri për shtesat e fëmijëve.
 
Që nga regjistrimi i vitit 2002 nuk ka pasur regjistrim të popullatës. Ai që filloi në vitin 2013 u ndërpre pas një jave.
 
U bënë plot 17 vite dhe nuk pati regjistrim e as freskim të ligjit për regjistrim të popullatës.
 
Këtë vit kanë filluar negociatat, përkatësisht përpjekjet për të sjellë një ligj të ri për regjistrimin e popullatës së vendit.
 
Pra në vitin 2019, në të njëjtën kohë po ndodhin përpjekjet për ligj të ri për shtesa fëmijësh dhe ligj të ri për regjistrim, i cili është paraparë që të mbahet në Prill të vitit 2020.
 
Nuk është e vështirë që të konstatohet lidhshmëria e ngushtë midis këtyre dy ligjeve.
 
Maqedonasit e dijnë saktësisht pse po e kërkojnë zvogëlimin e buxhetit për shtesat e fëmijëve por para publikut po përdorin argument krejtësisht manipulues para publikut.
 
Të njëjtit maqedonas e dinë saktësisht se si duhet që të duket ligji i ri për regjistrim të popullatës po ashtu.
 
Ndërkohë, anëtarë të partive politike shqiptare në opozitë kanë filluar të flasin se draft-ligji i hartuar nga LSDM për shtesa të fëmijëve synim të drejtpërdrejt e ka të sulmojë e ta frenojë trendin e përqindjes së fëmijëve të lindur shqiptar, i cili sipas të dhënave publike që qarkullojnë nëpër internet e që burim e kanë agjencionin e statistikave të Maqedonisë së Veriut, ndodhet në rreth 34 për qind nga krejt të lindurit qytetarë të vendit. Të lindurit maqedonas janë me përqindje prej 51 për qind, por jo më shumë, shkruan Zhurnal.mk.
 
Zyrtarët shqiptarë e partnerë në qeveri me LSDM-së deri më tash nuk janë duke folur në publik se cilat janë detajet e negociatave të tyre me qeveritarët maqedonas për ligjin për shtesa fëmijësh.
 
Maqedonasit, pra LSDM dhe VMRO-DOMNE, e dijnë saktësisht se prapa shifrave të përgjithësuara publike për natalitetin fshehen të dhëna e detaje që sqarojnë të vërtetën pse dhe si po zvogëlohet numri i maqedonasve, ndërsa ai i shqiptarëve po rritet.
 
Zhurnal.mk nga burimet qeveritare mëson se javëve të fundit përbrenda qeverisë ka një betejë të vërtetë negociatash me LSDM-në e cila po tenton që të frenojë lindshmërinë tek familjet shqiptare përmes ligjit të ri të propozuar për shtesa fëmijësh.
 
Kjo bëhet me synimin për të ndalur shpejtësinë e shtimit të shqiptarëve me të cilin zvogëlohet dallimi i përqindjes midis maqedonasve dhe shqiptarëve, por edhe midis maqedonasve dhe krejt jo-maqedonasve të vendit.
 
E njëjta betejë, po sipas të njëjtave burime, në të njëjtën kohë është duke ndodhur edhe për ligjin e ardhshëm për regjistrimin e popullatës.
 
Edhe aty LSDM dhe VMRO-DPMNE synojnë një ligj i cili do të bënte që rezultatet e regjistrimit të vitit të ardhshëm të ruanin përqindjen e secilës bashkësi etnike aty diku të njëjtë me shifrat e regjistrimit të vitit 2002.
 
Prandaj, politikat dhe vendimet e qeverisë dhe parlamentit, që pritet që të merren gjatë këtij viti për çështje sociale dhe demografike, pra për natalitetin dhe regjistrimin e popullatës do të jenë kyçe për krejt të ardhmen e Maqedonisë së Veriut nga aspekti ndër-etnik.
 
Këto vendim-marrje në pritje do të ndikojnë drejtpërdrejtë pra në trendin e ardhshëm të numrit të maqedonasve, shqiptarëve dhe krejt etnive të tjera në Maqedoni të Veriut, përkatësisht në raportin forcave (për nga numrat dhe përqindja) midis maqedonasve dhe jo-maqedonasve.
 
Kjo është beteja për të kontrolluar dhe mbajtur të heshtur para publikut « bombën e pashpërthyer» demografike në Maqedoni të Veriut e cila është fshehur me vite të tëra nga publiku shqiptar.
 
Ajo mund të shpërthejë me apo pa kompromise politike që mund të arrihen në qeveri dhe parlament midis partive maqedonase dhe shqiptare për ligjin e ri për shtesat dhe për ligjin për regjistrimin, shkruan Zhurnal.mk.

© ZHURNAL 25.03.2019, 08:37 | B.M. | 28,867 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."