Lista Serbe reagon për shkarkimin e zëvendësministres së Drejtësisë
kosova
Lista Serbe reagon për shkarkimin e zëvendësministres së Drejtësisë

Lista Serbe reagon për shkarkimin e zëvendësministres së Drejtësisë

Prishtinë, 25 mars - Lista Serbe ka reaguar lidhur me shkarkimin e zëvendësministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Vesna Mikiq.

Sipas kësaj partie, shkarkimi i Mikiqit për shkak të siç thuhet në reagim ” qëndrimit të saj personal rreth agresionit të NATO-s kundër RFJ-së e cila është një e vërtetë absolute është dëshmi se Haradinaj, Thaçi dhe Veseli vazhdojnë me emërimet politike të serbëve privat”.

“Është dërguar edhe një mesazh i qartë se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve duan të kenë në institucionet e tyre një iluzion të multietnicitetit dhe të dëgjuesve, të cilët do të jenë dekor dhe vëzhgues të vuajtjeve të popullit serb, megjithëse nuk kanë reputacion apo mbështetje në popullin serb “, thonë në Listën Serbe.

Ky vendim i Haradinajt për shkarkimin e zëvendësministres serbe erdhi pasi ajo kishte deklaruar gjatë ditës së djeshme se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid i planifikuar ndaj shtetit dhe popullit serb, njofton Klan Kosova.

“Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave”.

“Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq”, ka shkruar Haradinaj në Facebook me rastin e shkarkimit të Mikiqit, 

© ZHURNAL 25.03.2019, 16:05 | Z.H. | 725 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."