Kadri Veseli e pranon peticionin për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit
kosova
Kadri Veseli e pranon peticionin për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit

Kadri Veseli e pranon peticionin për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit

Prishtinë, 26 mars - Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, peticionin që kërkon shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit.

Iniciativa për këtë peticion u mor pas vrasjeve që ndodhën në dy kazino, në Suharekë dhe më pas edhe në Lipjan, njofton Klan Kosova.

I pari i Suharekës kishte bërë të ditur të dielën se në këtë peticion janë mbledhur 11 mijë nënshkrime nga qytetarët.

“Këtë të drejtë kushtetuese e kërkuan qytetarët dhe bashkarisht me subjektet politike, u organizuam që kjo të realizohet si reagim qytetar, ndaj ngjarjeve tragjike që ndodhën në komunën tonë”, kishte shkruar ai në Facebook.

Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme ka nxjerrë një rezolutë e cila i kërkon Qeverisë t’i pezullojë aktivitetet e të gjitha lojërave të fatit.

Sipas kësaj rezolute, Qeveria duhet që brenda 30 ditësh ta procedojë në Kuvend Projektligjin e ri që i ndalon të gjitha llojet e lojërave të fatit për një periudhë 10 vjeçare.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të shfuqizohet ligji ekzistues për lojërat e fatit./Zhurnal.mk

© ZHURNAL 26.03.2019, 10:48 | Z.H. | 179 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."