ZGJEDHJET E PRESIDENTIT NË MAKEDONINË VERIORE
opinion
ZGJEDHJET E PRESIDENTIT NË MAKEDONINË VERIORE

ZGJEDHJET E PRESIDENTIT NË MAKEDONINË VERIORE

Shkruan: Ibrahim Kelmendi


Gjithandej ca patriotë, edhe patriotë të mërdhezur, irracional, bile edhe naiv deri në marrëzi, por edhe disa komplotistë shqipfolës, po zhurmojnë patriotikisht kundër votimit të kandidatit të koalicionit qeverisës, duke preferuar kandidatin e pavarur, për të vetmen meritë: na qenkësh shqiptar. Kam hezituar të shpreh mendimin, meqë mendoja më taktike është të simuloja neutralin. Por, edhe heshtja nuk të shpëton dot nga fajësimet, nga të dy palët.

Makedonia Veriore tashmë është Republikë e përbashkët e makedonëve dhe shqiptarëve. Raportet etnike duhet të jenë përafërsisht: 70 % mekedonë me 30 % shqiptarë. Meqë kryetari i Parlamentit është shqiptar, vetëm patriotët naiv mund të mendojnë se u takon dhe mund ta imponojnë me vota edhe presidentin shqiptar.
Në Makedoninë multietnike ndërkohë është normalizuar përcaktimi: partia fituese makedone të bëjë koalicion qeverisës me partinë fituese shqiptare. Meqë ky përcaktim po konsolidohet, atëherë racionale e patriotike është, të kuptosh se njëri nga tre postet kryesore të Republikës, - kryetari parlamentit, kryeministri apo presidenti, - duhet të jetë shqiptar.
Përse nuk qenkësh racionale e patriotike, nëse partia më e madhe shqiptare, BDI-ja, në koalicion qeverisës me partinë më të madhe makedone, LSDM-ja, meqë janë marrë vesh që kryetarin e Parlamentit ta zgjedhin kandidatin shqiptar të BDI-së, dhe e kanë zgjedhur, tani të angazhohet për ta votuar për president kandidatin makedon, që e ka propozuar partneri koalicionues, LSDMJ-ja?

Nuk kam besuar që Blerim Reka është kaq egocentrik e naiv! E vlerësoja për të përgatitur profesionalisht dhe racional. Kësaj radhe po me rezulton të jetë marionetë apo mercenar i kamufluar i VMRO-së, meqë votat që do t’i marrë Blerimi nga shqiptarët naiv, do të jenë vota për kandidaten e VMRO-së, duke i dhënë shans asaj të garoj në raundin e dytë, meqë në rundin e parë, mund që votat për Blerimin do t’ia pamundësojnë kandidatit të koalicionit qeverisës të zgjedhet president.

Uroj, shqiptarët të votojnë kandidatin e koalicionit qeverisës, që të mos rrezikojnë të arriturat e Makedonisë Verione – me perspektivë të mirë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, para Serbisë, Shqipërisë e Kosovës, pos anëtarësimit në NATO, që tashmë po realizohet!

Votoni me mendje racionale, e jo me bark emocional!

Gjatë debatit mund që do të prezantohen edhe arsyetimet tjera, historike e kombëtare, që, fatkeqësisht, po i shpërdorojnë ata që po propagandojnë Blerim Rekën.

***
Këtu keni edhe pozicionimin propagandistik të ish-Bashkëveprimtarit tonë, Gëzim Mekuli
(v.j. e redaksisë së Zhurnal.mk, Mekulli është anëtar dhe aktivist i partisë politike Vetëvetdosje, shih linkun: https://www.facebook.com/votojgezimmekulin.vetevendosje/timeline?lst=692184917%3A100001874472865%3A1554981357 )

Shih linkun e shkrimit, të mekullipress:
https://www.mekulipress.com/po-ky-eshte-ai-ali-ahmeti-i-cili-fton-shqiptaret-me-votu-kandidatin-pendarovski-per-president/?fbclid=IwAR3h-q6wQhQa3lhcUOqYFYP74zcPWxFx-8Dnh2rEvBKEtE0QyCHJiDSWIRo

© ZHURNAL 11.04.2019, 13:13 | B.M. | 2,887 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."