Një e pesta e popullsisë thuhet se e ka lëshuar Kosovën
kosova
Një e pesta e popullsisë thuhet se e ka lëshuar Kosovën

Një e pesta e popullsisë thuhet se e ka lëshuar Kosovën

Instituti EPIK ka bërë publikimin e fundit ku ka trajtuar zhvillimet e fundit në lidhje me migrimin e qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian, shkruan Gazeta Express.

Studimi është emërtuar EPIK – IKJA E MADHE: Si kanë ikur nga Kosova 1/5 e popullatës.

Sipas këtij studimi, në periudhën 2008-2018, gjithsej 203.330 qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin dhe kanë bërë kërkesë për azil në BE. Por sipas të dhënave të mbledhura edhe 141.330 qytetarë janë gjetur të pranishëm ilegalisht nëpër vendet e BE’së.

Nga viti 2016 Kosova ka shënuar një rënie të kërkesave për azil, si dhe rënie në numrin e shtetasve të Kosovës që u gjetën ilegalisht në BE. Këto të dhëna tregojnë për plotë 344 mijë e 660 qytetarë që kanë vendosur të largohen nga Kosova. Me fjalë të tjera këto përfaqësojnë plot 20% apo 1/5 e popullsisë së Kosovës që e kane lëshuar vendin.

Destinacionet kryesore të azilkërkuesve ishin: Gjermania, Hungaria, Franca, Belgjika dhe Suedia. Ndërsa vendet kryesore në të cilën u gjetën ilegalisht të pranishëm qytetarët e Kosovës ishin: Gjermania, Hungaria, Austria dhe Franca.

Në fund Instituti shton se të dhënat kanë korrelacion të fortë me të dhënat e EUROSTAT’it mbi demografinë në Kosovë. Në vitin 2008 Kosova kishte 2.153.139 qytetarë. Deri në vitin 2018 popullsia ka rënë në 1.798.506, një rënie prej 354.633 qytetarë, ose 16.5% e popullsisë së Kosovës.

© ZHURNAL 15.04.2019, 21:42 | T.E. | 490 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."