Televizioni i madh gjerman, ZDF: Zemërimi ka nxjerrë në shesh mijëra qytetarë
shqiperia
Televizioni i madh gjerman, ZDF: Zemërimi ka nxjerrë në shesh mijëra qytetarë

Televizioni i madh gjerman, ZDF: Zemërimi ka nxjerrë në shesh mijëra qytetarë

Tiranë, 15 prill - Protesta e opozitës e zhvilluar mbrëmjen e të shtunës duket se ka tërhequr jo pak vëmendjen e ndërkombëtarëve. Protesta e paralajmëruar më herët nga Partia Demokratike, e cila përfshiu në brendësi të saj një pjesë të mirë të kauzave qytetare, si: Banorët e “Astirit”, Aktivistët e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, “Kuksianët”, “Fermerët”, “Naftëtarët” dhe “Studentët”, por jo vetëm, kauza këto të cilat prej kohësh janë ngritur kundër qeverisë në kërkim të të drejtave të tyre, është pasqyruar nga media ndërkombëtare.

Televizioni gjerman ZDF, ka vendosur t’i kushtojë një hapsirë të rëndësishme kësaj proteste duke raportuar se zemërimi ka nxjerrë me mijëra njerëz në shesh, dhe është shprehur se vendi nuk është më në paqe.

“Për muaj të tërë, opozita në Shqipëri po kërkon pa sukses dorëheqjen e qeverisë. Zemërimi ka nxjerrë në rrugë mijëra njerëz. Por aty nuk ka paqe.

Gjatë përplasjes së dhunshme mes policisë dhe demonstruese u plagosën disa persona. Mijëra njerëz kërkuan sërish përpara parlamentit dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kur demonstruesit u përpoqën që të hynin në parlament, policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopa gome, njofton media lokale.

Opozita ka bërë thirrje për dorëheqjen e Ramës prej muajsh të tërë. Ajo e akuzon qeverinë për korrupsion dhe manipulim zgjedhor”,- raporton ZDF.

Ndërkohë që zhvillimet e protestës së të shtunës janë ndjekur në kohë reale nga mediat ndërkombëtare si VOA (Zëri i Amerikës), EuroNews, si dhe janë pasqyruar përmes shkrimeve edhe në media të tjera si “Associated Press”,“Daily Mail”, Deutsche Welle, “Il Fatto Quotidiano“, “Ëashington Post” , “Reuters”, “La Republica” etj.

Kujtojmë se protesta e të shtunës nga një protestë paqësore shpërtheu në dhunë, tensione dhe përplasje fizike mes policisë dhe protestuesve, duke lënë disa persona të plagosur. Ndërsa policia ka filluar me procedimet dhe arrestimet e protestuesve, ku deri më tani raportohen për 61 të proceduar, 37 prej të cilëve i ka arrestuar me akuzën “për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi Policinë” dhe “për shkatërrimin e pronës shtetërore e private gjatë zhvillimit të protestës së opozitës.”

© ZHURNAL 15.04.2019, 09:14 | Xh.I. | 1,055 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."