Gjeneral Parllaku: 10 korriku, datë që nuk duhet harruar. Rusët dhe Serbët duan destabilizimin e Ballkanit me kufijtë
opinion
Gjeneral Parllaku: 10 korriku, datë që nuk duhet harruar. Rusët dhe Serbët duan destabilizimin e Ballkanit me kufijtë

Gjeneral Parllaku: 10 korriku, datë që nuk duhet harruar. Rusët dhe Serbët duan destabilizimin e Ballkanit me kufijtë

Në emër të dënimit të diktaturës nuk duhet të mohojmë Luftën Nacional Çlirimtare

 

Rrahman Parllaku

 

Të ftuar nga Organizata e Veteranëve të Pavarur demokratë të Luftës Nacional Çlirimtare në një mbledhje jubilare përkujtimore të Konferencës së Pezës, njërës

 

nga datat më të shënuara të Luftës Antifashiste dhe të Historisë së Kombit tonë, konferencë mbarë kombëtare,kjo jo vetëm nga përbërja e pjesëmarrësve, por edhe se

 

shprehte aspiratat e bashkimit të gjithë shqiptarëve në luftën për liri me parullën e saj lapidar, “ të bashkimit të popullit në luftë pa dallim feje, krahine e ideje” ,

 

me një program të qartë lufte për çlirim kombëtar,vetëvendosje dhe për formën e qeverisjes së vendit, që do të vendoste populli pas çlirimit me vullnetin e tij të lirë. Duke përkujtuar këtë datë historike ne prisnim të dëgjonim nga folësi, vlerësime objektive për rolin që kanë luajtur forcat politike dhe ata që e përfaqësonin në këtë konferencë, si u morën e u zbatuan prej saj në praktikën e luftës anët më pozitive që e çuan popullin

 

tonë në fitoren e lirisë, të metat, gabimet e shtrembërimet që ju bënë programit të luftës duke dëmtuar çështjen kombëtare.

 

Lufta Nacional Çlirimtare zë një vend të veçantë në Historinë tonë Kombëtare

 

 

Ajo zë një vend të veçantë në Historinë tonë Kombëtare. Është në nderin e popullit tonë që me Luftën Nacional Çlirimtare u bashkua me koalicionin më demokratik të kohës, luftoi krahas aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë e popujve të robëruar që shkatërruan fashizmin barbar. Duke pohuar ato që ka mohuar diktatura, duke u dhënë vendin që meritojnë për kontributin në luftë gjithë patriotëve, duke dënuar shtrembërimet e veprimet ekstremiste të kryera nga udhëheqja e partisë komuniste e komandave të veçantë në luftë dhe menjëherë pas çlirimit, askush nuk ka të drejtë të mohojë luftën e gjakun e derdhur për çlirimin e vendit, qofshin këta patriotë, të rinj komunistë, ata që ranë për një ideal, çlirimin e vendit dhe vendosjen e pushtetit demokratik, tjetër se shkel amaneti i tyre nga diktatura e u deziluzionuan e u persekutuan pjesa më e vendosur e atyre që mbetën gjallë. Askujt nuk i jepet e drejta të mohojë gjakun e sakrificat e tyre në luftën e shenjtë për liri. Dëgjova me respekt fjalën e presidentit Berisha para përmendores të të rënëve të Luftës së Vlorës, ku midis të tjerash tha se do të nderojë të gjithë ata që dhanë jetën në luftë për liri e pavarësi kombëtare. Tu jepet fund veprimeve antikombëtare që prekin kujtimin e të rënëve për liri dhe monumentet historike të kombit tonë. U indinjova shumë kur kalova vjet gjatë lumit të Vlorës e pashë të shkatërruar përmendoren e kapiten Sali Vranishtit, siç e ka quajtur populli në këngë heroin e Luftës së Vlorës më 1920, ashtu siç na indinjon pa masë edhe prishja e shumë përmendoreve e lapidarëve të ngritur për heronjtë e partizanët e Luftës Nacional Çlirimtare. Unë kam bindjen se me fitoren e demokracisë historia do të shkruhet nga historianë të ndershëm, në bazë të dokumenteve pa shtrembërime e deformime të ndikuara nga forca politike të caktuara, nuk do të shkruhet nga institute” që e shkruanin atë siç ua diktonte zyra e diktatorit, as siç duan ta shtrembërojnë e deformojnë forca të caktuara ekstremiste e arriviste. Ndjej kënaqësi kur kujtohen njerëz të vrarë e të persekutuar për pikëpamjet e tyre politike, për qëndrimin opozitar ndaj diktaturës dhe që nuk kanë bërë asnjë krim ndaj kombit, përkundrazi ka pasur shumë prej tyre që kanë kryer vepra patriotike, kanë kontribuar në luftën për çlirim, si dhe në demokratizimin e jetës së vendit dhe indinjohesh kur forca të caktuara duke përfituar nga vendosja e demokracisë kërkojnë të rehabilitojnë, të quajnë heronj deri kuislingë e kriminelë të njohur që së bashku me fashistët italianë e nazistët gjermanë kanë vrarë mijëra vetë e kanë bërë shkrumb e hi krahina të tëra dhe bashkë me ta edhe komandantë bandash të njohur për terror ndaj popullit. Organizatat e veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare, nëse janë vërtetë të tilla, duhet të mbrojnë e të njohin mbi baza të drejta këtë luftë. Ata duhet të dënojnë

 

diktaturën e Enver Hoxhës dhe krimet e kryera prej saj dhe të dënojnë shtrembërimet që i janë bërë historisë së Luftës Nacional Çlirimtare.

 

Kombit tonë o sot o kurrë i duhet bashkim e jo përçarje, aq më tepër kjo duhet të kuptohet e kërkohet nga veteranët, po t’i kenë të shenjta interesat kombëtare e jo të mbjellin përçarje siç ka vepruar Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare, që me qëndrimin e tij konservator çoi në përçarjen e vetë kësaj organizate dhe u përpoq të përçante edhe organizatën

 

e oficerëve në pension e të liruar, duke krijuar të ashtuquajturën BKUR. Organizatat e veteranëve të luftës duhet dhe mund të bashkohen vetëm duke larguar nga drejtimi i tyre gjithë konservatorët që akoma kanë nostalgji për diktaturën e diktatorin, të atyre që në ndërgjegje u rëndojnë mëkatet e rënda të së kaluarës, që nuk mbështesin zhvillimet demokratike në Shqipëri ose që janë nën ndikimet partiake e të forcave ekstremiste. Ky bashkim mund të arrihet , kur ne veteranët t’i shikojmë gjerat të çliruar nga ndrydhja e 50 vjetëve të diktaturës, ku çdo kërkesë ose mendim për të ndryshuar diçka nga ajo që e kishte vendosur udhëheqja e diktaturës quhej herezi e veprimtari e armikut të klasës dhe këtë luftë klase e shtrinte edhe brenda familjes. Tani duhet t’i analizojmë gjerat me sy kritik, të hedhim poshtë e të dënojmë me forcë çdo gjë që ka dëmtuar interesat e kombit, të mbështesim me të gjitha forcat zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe luftën e vëllezërve tanë, që jetojnë në trojet e tyre, për liri, vetëvendosje e bashkim kombëtar.

 

 

 

Si ka vepruar diktatura me klerikët e të gjitha feve në Sshqipëri

 

Rrahman Parllaku

 

Replikë me Zoti Fritz Radovani, rreth artikullit me titull “Kush është ky armik i popullit”, botuar në Gazetën “Rilindja Demokratike”, datë 12 Korrik 1995.

 

Në këtë artikull në mes të tjerash shkruhet “Në vitin 1944, At Metia është Pravieal i Françeskanëve të Shqipërisë në qytetin e Shkodrës, në fund të janarit 1945, në përplasjen e parë me komunistët e kuq, me Mehmet Shehun, Shefqet Peçin dhe Rrahman Parllakun, të cilët gjoja erdhën për një vizitë “miqësore” jo vetëm fillojnë plaçkitjen e muzeut e të bibliotekës së Fretërve, por edhe kërkojnë nga At Matia që klerikët duhet të bashkëpunojnë me komunistët dhe në një të ardhme duhet të shkëputeshin nga Vatikani….(Dosje Nr. 1302. Arkivi i Ministrisë Brendshme).

 

Në këto pjesë të këtij artikulli që citoi më lart zoti Radovani ka lejuar pa dashje ose nuk e di me saktësi, them pasaktësi, pasi nuk njihemi bashkë e nuk mendoj se e ke bërë me keqdashje. Unë nuk do të hedh poshtë përmbajtjen e artikullit në përgjithësi, pasi në atë ka mjaft të vërteta për atë si ka vepruar diktatura me klerikët e të gjitha feve në Shqipëri e për ata katolikë në veçanti, por në një artikull edhe një e pavërtetë e vetme e dëmton besueshmërinë e përmbajtjes së tij, aq më tepër kur u referohet dokumenteve arkivore siç shkruan autori i këtij artikulli. Duke mos u besuar magjive, por ligjeve të fizikës që nuk e pranojnë që një trup të mund të gjendet në një

 

kohë në dy vende të ndryshme, unë nuk mund të ndodhesha në atë takim “miqësor” tek At Matia Prenushi në Shkodër, pasi nga fillimi i dhjetorit 1944 e deri në fund të marsit 1945 komandoja Divizionin V të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare në luftimet për çlirimin e Sanxhakut e të Bosnjes nga nazistët gjermanë. Helikopter nuk kisha që të më sillte nga vend-komanda e Divizionit në Novi Varosh të bisedoja me At Matinë në mëngjes në Shkodër e në darkë të kthehesha në vendkomandë e të drejtoja luftimet atje. Po të isha në Shqipëri e të më ngarkonin të takohesha me At Matinë për të biseduar për bashkëpunimin e udhëheqjes katolike me pushtetin në fuqi mund të shkoja në atë takim, pasi siç thuhet në artikull ky ka qenë edhe objekti i atyre bisedimeve, por nuk besoj se do ta filloja takimin, siç thuhet në artikull, nga plaçkitja

 

e muzeut dhe e bibliotekës së Fretërve. Kam bindje se asnjeri nga personalitetet që mund të shkonte në takim nuk do ta fillonte takimin siç shkruhet në artikull. Këto pasaktësi i kanë ulur vlerën artikullit. I kërkoj redaksisë së gazetës tuaj të korrigjojë këtë pasaktësi të lejuar në adresën time.

© ZHURNAL 16.04.2019, 15:36 | B.M. | 3,828 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."