Notër Dam dhe Çarshi Xhamia
opinion
Notër Dam dhe Çarshi Xhamia

Notër Dam dhe Çarshi Xhamia

H. Sulejman ef. Rexhepi Reisul Ulema i BFI së

Para disa ditësh u dogj katedrala e famshme Notër Dam në Paris, monumenti më i vjetër i kësaj metropole europiane dhe shenjë dalluese me të cilën mburen të gjithë parisienët dhe të gjithë francezët. Përtej kësaj, Notër Dam është moniument me vlerë universale, dhe objekti më i vizituar nga turistë të shumtë. Mbi të gjitha, Notër Dam është shtëpi e Zotit, vend ku madhërohet Zoti dhe vend në të cilin besimtarët katolikë kanë gjetur prehje ndër shekuj…

Sëkëndejmi, nuk duhet të habitemi fare se në këtë fatkeqësi dolën në pah solidariteti dhe dëshira për të rimëkëmbur Notër Dam. Nga të gjitha anët e botës u dërguan mesazhe keqardhjeje dhe në të njejtën kohë u tubuan donacione nga biznismenë të ndryshëm.

Për të qenë i kompletuar i tërë solidariteti dhe keqardhja për djegjen e një shtëpie të Zotit, Presidenti francëz Makron e quajti këtë fatkeqësi një fatkeqësi mbarëkombëtare dhe projektin e rindërtimit të sajë poashtu e karakterizoi si projekt mbarëkombëtar. Në ditën që Notër Dam po digjej, partitë politike në Francë i ndalën aktivitetet e veta sikur të ishte shpallur luftë dhe të gjithë duhej të bëheshin bashkë. Sa e bukur kjo!

Dhe, duke e përcjellur fatin e katedrales së famshme e duke lakmuar për qëndrimin civilizues të francezëve, disi vetvetiu më shkrepi një krahasim mes Notër Dam dhe fatit të Çarshi Xhamisë në Prilep, që është poashtu një shtëpi e Zotit dhe monument kulture, ndoshta jo aq i vjetër sa katedralja e Parisit, por ama edhe lashtësia 550 vjeçare e sajë nuk është për t’a anashkaluar.
Mjerisht, Çarshi Xhamia e Prilepit që ishte dhe duhet të jetë një lez i çarshisë dhe i qytetit, ka njëzet vjetë që po vazhdon të qëndrojë vetëm si monument që përkujton urrejtjen e njerëzve të cilët e dogjën dhe tani po e shndërojnë në një deponi plehërash. Po përkujtoj se qysh me Marrëveshjen e Ohrit ishte paraparë që të rindërtohen edhe Çarshi Xhamia, edhe Manastiri i Leshkës, që të dyja të djegura. Me të gjitha përpjekjet e Bashkësisë Islame për ta rindërtuar, Çarshi Xhamia po e përjeton vdekjen e sajë të dytë, anipse Manastiri i Leshkës u ndërtua para shumë vjetësh. Shtëpia e Zotit dhe monument i vjetër i kulturës islame në Prilep nuk do ngjallet me premtime boshe që ndërthuren me ndërkëmbëza dhe pengesa administrative e politike. Ajo ringjallet kur të shpallet projekt i rëndësisë së veçantë pas të cilit do të reshtohemi të gjithë, ashtu siç po bëjnë në Paris.

Duke e krahasuar fatin e Çarshi Xhamisë dhe të Notër Dam, po më tingëllojnë paksa ironike shprehjet e solidaritetit dhe premtimet për donacione që po shkojnën nga Shkupi drejtë Parisit . Ato, në esencë janë shumë njerëzore, por ironik është fakti se ata që premtojnë ndihmë për renovimin e katedrales së djegur, ka njëzet vjetë që e kanë përpara syve një objekt fetar dhe monument kulture që po kërkon vetëm një çikë mirëkuptim. E mirëkuptimi dhe solidariteti s’janë askund, ato po i drejtohen e po i premtohen Parisit dhe Francës, qytetit dhe shtetit që brënda një dite siguruan fondin prej një miliardë dollarësh për ringjalljen e katedrales së tyre të djegur.

© ZHURNAL 18.04.2019, 09:46 | Xh.I. | 8,379 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."