Nëse Reka humb, a është e moralshme dorëheqja e Selës dhe Kasamit?!
maqedonia
Nëse Reka humb, a është e moralshme dorëheqja e Selës dhe Kasamit?!

Nëse Reka humb, a është e moralshme dorëheqja e Selës dhe Kasamit?!

Shkup, 19 prill – zhurnal.mk – Zgjedhjet presidencale zhvillohen ditën e diel, më 21 prill. Secili kandidat  pret të tubojë vota për të hyrë në rrethin e dytë zgjedhor, që parashihen të ndodhin më 5 maj. Secila nga partitë, që mbështesin kandatin e tyre, ka shpresa se do të grumbulloj votat e duhura. Analistët dyshojnë se kandidati i Ziadin Selës dhe i Bilall Kasamit, përkatësisht Aleancës dhe Besës, Blerim Reka, nuk do të arrijë numrin e votave, për të kaluar në garën e dytë. Por, pyetja lind se çfarë përgjegjësi duhet të mbajë partia e Selës dhe e Kasamit nëse Reka nuk kalon në rrethin e dytë?!

Për zhurnal.mk, nga Lëvizja Besa përgjigjen se nuk mund të japin konkluzion se si do të përfundojë rrethi i parë i zgjedhjeve, ndërsa përgjegjësinë do ta vendosin më vonë.

“Pyetjes tuaj do t’i përgjigjemi pas zgjedhjeve pasi që për momentin ne jemi të fokusuar vetëm në arritjen e rezultatit sa me të mirë në këto zgjedhje presidenciale”, tha nga Lëvizja Besa, zëdhënësi Elmedin Memishi.

Nga partia e Aleancës Shqiptare, nuk prononcohen në lidhje me këtë pyetje. Por, lideri i BDI-së, Ahmeti ka thënë që Mickovski e ka informuar atë se në takimin midis Mickovskit dhe Selës këta të dy janë dakorduar që të dilet edhe me kandidat shqiptar në zgjedhjet presidenciale. Kjo le dyshime që kjo marrëveshje vlen edhe për rrethin e dytë, ku votat e Rekës do ti shkojnë Gordana Siljanovska Davkovës nga VMRO DPMNE.

Disa analistë, për zhurnal.mk, thanë se nuk mund të konkludojnë, për humbjen e Rekës dhe konkluzjonet do të mbeten pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Mirëpo, analisti Bashkim Selmani e sheh humbjen e Rekës si fitore të partive, që e përkrahin këtë kandidat, sepse ata nuk do të japin dorëheqje për përkrahjen e kandidatëve fitues në raundin e parë të zgjedhjeve.

“Në zgjedhjet presidenciale, vetë kandidati u pronocua se është i pavarur dhe tani realisht nuk ka ndonjë element që do ti zgjeronte moralisht apo juridikisht për të vepruar ose edhe për të dhënë dorëheqje. Ajo më tepër është veprim i moralshëm dhe akt i njëanshëm, të cilët e verifikojnë në veprimtarinë e tyre, por unë nuk besoj sepse shqiptarët kanë nevojë për tu përforcuar dhe nuk kanë nevojë për dorëheqje”, tha për zhurnal.mk, Bashkim Selmani, analist politik. Ai shton se në gjithë historinë e këtij shteti si pozita ashtu edhe opozita, në dështimet nuk ka dhënë përgjegjësi as heqje dorë. “Në Maqedoni nuk ka ndodhur ndonjëherë, qoftë partitë politike apo funksionet ose institucionet e ndryshme që nuk kanë rezultate të suksesshme të japin dorëheqje. Nuk është emancipim kulturor i partive dhe institucioneve që aty ku gabohet edhe të jepet dorëheqje”, tha Selmani. Ai nuk është optimist se do të kalojë kandidati Reka në raundin e dytë të zgjedhjeve. “Shihet që asnjë nga politikat shqiptare nuk ka dalë me platformë mbi problemet aktuale që i tangojnë shtetit, ku edhe do ti zgjidhnin. Problemi kyç është se shqiptarët nuk kanë unitet, por po të kishin dalë më një kandidat konsesual do të ishte shumë më mirë, tashmë e kanë çoroditur edhe votuesin”, tha Selmani.

Nga ana tjetër analisti politik Agim Jonuz, për zhurnal.mk, thotë se sa do që të fitojë vota kandidati Reka, partite opozitare, që përkrahin atë do të fitojnë në të ardhmen.

“Të dy partitë kanë përgjegjësi të mbajnë dhe të vazhdojnë në atë që kanë deklaruar. E para të qëndrojnë dhe të përcjellin idetë dhe në premtimet që i kanë propozuar në platformat e tyre politike. Përgjegjësia nuk mund të jetë sanksionuese deri sa nuk arrihet, në të kundërtën secili rezulat i tyre do të jetë sukses, a në këndvështrim të saj se janë opozitë, që nuk kanë shumë resurse dhe votat që do ti merr kandidati i tyre, sado që  të jenë votat, do të jetë një pasuri për ato, pra pasuri politike, për asye se pesha politike me idetë e tyre duhet mbajtur si luftë për të ardhmen. Ndërsa, për kandidatin Reka secila përgjegjësi është e panevojshme, sepse prej përpara dihet se sasia e fuqisë që ekziston për të është e kufizuar. Secili rezultat që të del, opozita është e suksesshme, kështuqë është e pasigurtë për përgjegjësi”, tha Agim Jonuz, analist politik.

 

© ZHURNAL 19.04.2019, 14:35 | D.K. | 8,874 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."