Kuvendi ta zgjedhë Presidentin, partitë të ndara në qëndrime
maqedonia
Kuvendi ta zgjedhë Presidentin, partitë të ndara në qëndrime

Kuvendi ta zgjedhë Presidentin, partitë të ndara në qëndrime

Shkup, 19 prill - Ideja e kryeministrit Zaev që në rast mos-arritjes së censusit, presidenti të zgjidhet në parlament ose të hiqet censusi, kundërshtohet ashpër nga kreu i opozitës Hristjan Mickoski. Në rast se vjen deri te ndryshimi i Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit, Mickoski druan se do të shkelet vullneti i popullit dhe se zgjedhja e kryetarit do të shndërrohet në pazare të ulëta politike.

"Ky është një skenarë për suspendimin e vullnetit të qytetarëve, shkatërrimin dhe pezullimin e të drejtës së qytetarëve që drejtpërdrejtë në zgjedhje të rregullta ta zgjedhin presidentin e tyre. Dihet mirë se kush e ka shumicën në Parlament, ashtu siç dihet edhe mënyrën në të cilën kanë ardhur deri tek ai numër. Me zgjedhje të tillë të presidentit, zgjedhja do të shndërrohet në tregti me shërbime në vend se të jetë vullnet i qartë i qytetarëve, i shprehur në zgjedhje. Skenarin që e paralajmërojnë, është për të treguar se përsëri mund të ia dalin edhe pa popullatë", tha Hristjan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi në emisionin Click Plus se edhe për të është e pranueshme që Presidenti i vendit të zgjidhjet nga Kuvendi, nëse nuk sigurohet cenuesi i nevojshëm në zgjedhjet presidenciale.

"Këtë tezë ne e kemi ngritur ka më shumë se 10 vite, asokohe nuk ka pasur mbështetje nga miqtë tanë ndërkombëtarë dhe tani duket se është e arsyeshme të mendohet. Mund të zgjidhet edhe prej Parlamentit", u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se me heqjen e censusit de-faktorizohet vota shqiptare ndërsa për zgjedhjen e presidentit të parlament, do të pranonin por vetëm nëse shtohet posti i zëvendës presidentit të shtetit.

"Pavarësisht, edhe në zgjedhje të drejtpërdrejta por edhe nëse zgjidhet në Kuvend, insistimi ynë do jetë që të vendohet edhe pozita e nënkryetarit të shtetit, që nuk do të thotë se duhet domosdoshmërish të jetë shqiptarë, mund të jetë kryetari shtetit maqedonas të jetë zëvendësi shqiptar, apo kryetari shqiptarë dhe zëvendësi maqedonas", theksoi Flakron Bexheti, Aleanca për Shqiptarët.

Kryeministrit Zaev ndërkaq përsëriti se beson thellësisht që do të arrihet censusi dhe se do të kemi zgjedhje demokratike, megjithatë, ai nuk përjashton mundësinë e ndryshimit të kushtetutës për zgjedhjen e presidentit në parlament, edhe nëse arrihet censusi në këto zgjedhje.

"Censusi është diçka që të gjithë e kemi për obligim të angazhohemi të arrihet, e dyta nuk kemi pasur arsye të flasim me VMRO-DPMNE-në sepse të dy konceptet mendojnë se do kenë suksese në aspiratat tona për të fituar zgjedhjet. Ndërsa kjo që thoni ju është e mundur edhe nëse kemi zgjedhje të suksesshme", deklaroi Zoran Zaev, kryeministër i RMV-së.

Ideja e zgjedhjen e presidentit në kuvend daton që më herët por tani u aktualizuan nga zërat se VMRO-DPMNE-ja mund të bojkotoj zgjedhjet në rrethin e dytë të votimeve duke rrezikuar në këtë mënyrë arritjen e censusit prej 40% nga numri i përgjithshëm i votuesve në Maqedoninë e Veriut.

© ZHURNAL 19.04.2019, 16:27 | Xh.I. | 1,228 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."