Akademi solemne për ditëlindjen e Muhamedit (a. s.)
maqedonia
Akademi solemne për ditëlindjen e Muhamedit (a. s.)

Akademi solemne për ditëlindjen e Muhamedit (a. s.)

Tetovë, 19 prill - Më 18 prill, 2019, Myftinia e BFI të Tetovës realizoi Akademi Solemne me një program të begatshëm në nderim të ditëlindjes së njeriut më të dashur dhe më të përkryer, Muhamedit (a. s.), ku çdo pikë e shfaqur para të pranishmëve në fokus kishte nderimin e figurës më të ndritur të njerëzimit.

Të pranishëm në akademinë solemne ishin Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reis’ul-Ulema haxhi Sulejman ef. Rexhepi; Myftiu i Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi; Myftiu i Shkupit, mr. Qenan ef. Ismaili; Myftiu i Gostivarit, Shaqir ef. Fetahu; Myftiu i Kërçovës, h. Murat ef. Huseini; Myftiu i Strugës, Mr. Salim ef. Sulejmani; Koordinatori i Myftinisë së Shtipit, mr. Nasir ef. Rexhepi; Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së, Irsal ef. Jakupi; Kryetari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, hfz. Mehas ef. Alija, Drejtori i Përgjithshëm i medresesë “Isa Beu”, prof. Ibrahim ef. Idrizi; myftiu i mëparshëm i Tetovës, Alifekri ef. Esati; Dekani i Fakultetit Filozofik, prof. dr. Ibish Kadriu; profesorë nga Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore, hoxhallarë nga diaspora, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe arsimore, anëtarë të Rijasetit, anëtarë të Myftinisë, profesorë, profesoresha, hoxhallarë, afaristë, studentë, nxënës, nxënëse, mysafirë dhe media.

Programi filloi me lexim të Kuranit famëlartë nga hfz. Mujdin Limani.

Myftiu i Tetovës, prof. dr. Qani ef. Nesimi, në emër të Myftinisë përshëndeti të pranishmit. Fjalën përshëndetëse të rastit e paraqiti Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema haxhi Sulejman ef. Rexhepi. Ai në fjalën e tij mes tjerash tha: “Islami është fe e paqes, e dashurisë, e humanitetit, e solidaritetit dhe e progresit. Sonte jemi këtu për t’i dërguar salavate Muhamedit (a. s.) dhe për t’i thënë se nuk do të devijojmë nga ajo që ai na ka mësuar nga ajetet kuranore dhe hadithet e tij.”

Koordinatori i medresesë “Isa Beu”, Paralelja e Shtrirë e Vajzave në Tetovë, mr. Beqir ef. Memeti, paraqiti një ligjëratë shumë mbresëlënëse dhe kuptimplote, ku mes tjerash përmendi: “’E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.’ [El-Enbija: 107] Ai është mëshirë për botët, pasi që u bë epiqendër dhe në atë pozicion e vendosi tjetrin në plotësimin e nevojave të tij. Ai është mëshirë për botët edhe për vetë faktin që kurrë nuk tha ‘O Zot, e çka mund të bëj unë me një popull ose me një shoqëri, të cilën e kanë mbuluar errësira dhe padrejtësitë?’ Përkundër gjendjes së pafavorshme për misionin e tij, ai mendonte dhe kërkonte mundësi që të kontribuojë për të mirën e një shoqërie, atëbotë të zhytur në injorancë, në amoralitet dhe shumë devijime të kësaj natyre. Kurani e thekson këtë në mënyrën më të thuktë, duke potencuar: ‘Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali!’ [El-Kalem: 4] Përpjekja për të mbrojtur diçka që është e vërtetë, duke u bazuar vetëm në pasion dhe emocione, është reaksion momenti dhe kohëzgjatja e kësaj përpjekje është e shkurtër, siç janë edhe vetë emocionet. Por, përqafimi dhe jetësimi i asaj të vërtete ta kënaqë shpirtin, ta freskon mendjen, ta përforcon besimin dhe krijon lidhshmëri të ngushtë mes nesh dhe besimit në ne. Ky besim reflekton dritën, bujarinë dhe sinqeritetin e përkushtimit tonë ndaj rrugës së Pejgamberit të fundit, mëshirës së botës, Muhamedit (a. s.) - tha Ef. Memeti.
Programi përfundoi me muzikë instrumentale-shpirtërore, interpretuar me nej nga virtuozi Hadis Sadiki.

Në nderim të këtij manifestimi, Myftinia e Tetovës për të gjithë mysafirët dha një darkë modeste në restorantin “Arra”.

© ZHURNAL 19.04.2019, 20:04 | T.E. | 6,574 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."