Israja dhe Mi`raxhi
opinion
Israja dhe Mi`raxhi

Israja dhe Mi`raxhi

Shkruan: Rexhep Ziberi

Falënderimi i takon Allahut fuqiplotë i Cili e barti robin Tij nga Meka në Mesxhidul Aksa, e prej aty për mbi shtatë palë qiej, ndërsa përshëndetjet tona qofshin mbi Zotëriun dhe Mësuesin e njerëzimit, Muhamedin a.s prijësin e të gjithë pejgamberëve në namaz nw natën e Isras dhe Mi’raxhit si dhe vulën e të gjithë pejgamberëve.
Israja dhe Mi’raxhi janë një ndodhi në vete, që në faqet e historisë islame shënojnë një ngadhënjim shpirtërorë të Muhamedit a.s, një fitore të madhe për muslimanët, si dhe fillimin e një ibadeti të madh në Islam, namazit.
Shprehja Isra, në gjuhën shqipe do të thotë udhëtim nate, respektivisht, ta bartesh dikend gjatë natës prej një vendi në vendin tjetër, që nënkupton udhëtimin e Muhamedit a.s mbrenda një kohe të natës nga xhamia e shenjtë Qabes, në Meke, deri në xhaminë e shenjtë Aksa, në qytetin e shenjtë të Palestinës dhe kthimi i tij pas Mi’raxhit përsëri në Meke.
Mi’raxh don të thotë ngritja e Muhamedit a.s në të njejtën natë nga xhamija e Aksasë e deri në sferat më të larta të gjiyhësisë, ku i Dërguari a.s pa mbretërinë më të madhe të Allahut fuqiplotë, dhe shkoi deri atje ku nuk kishte shkelur kemba e asnjë pejgamberi dhe asnjë meleku.

Miraxhi, sipas asaj që rrëfen Ibni Haxheri, është ngjitëse ose shkallë që bëhet fjalë për një ngjitëse të veçantë nga ari dhe nga argjendi që shërbeu për ngritjen e Muhamedit a.s si mjet udhëtimi prej Mesxhidul-Aksas deri mbi shtatë palë qiej kur ai la burakun si mjet udhëtimi deri në Kuds. Lidhur me këtë ngjarje Allahu fuqiplotw emwrtoi njw sure tw plotw nw Kuranin famwlartw dhe po nw tw njejtwn sure në Kuranin famëlartë thotë: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit, gjer në Mesxhidi Aksa, rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit)”. (Isra-1).

Urtësitë e udhëtimit.

Kjo mrekulli-ngjarje ka ndodhur pas sprovave dhe persekutimeve më të mëdhaja që u bënë ndaj Pejgamberit a.s dhe besimtarëve. Pejgamberit a.s i vdiq gruaja Hadixheja radijallahu anha, e cila e besoi si të dërguar të zotit e para kur nuk e besoi askush, i vdiq xhaxhai Ebu Talibi, u persekutua në Taif, u persekutuan shokët e tij që pranuan fenë Islame si nga familjarët, zotërinjtë, vëllezërit, e kështu me radhë nga të gjithe ateistët e asaj kohe. Andaj Israja dhe Miraxhi vijnë si ngjarje freskuese dhe shtrirje e krahut të ndihmës Pejgamberit a.s nga Krijuesi Absolut, sikur don t’i thot se o Muhamed nëse për ty pak është toka unë ty ta hapi edhe qiellin.

Israja dhe Miraxhi, ishin respek i veçantë për Pejgamberin a.s, forcim për shpirtin e tij, ngase atë vit, kur ai shkoi në Taif për të përhapur fjalën e Allahut f.p, por fatkeqësisht ai ishte zhgënjyer nga sjelljet e banoreve te Taifit dhe ishte maltretuar nga tw rinjte e Taifit deri në pikën e fundit.

Pejgamberi, alejhi selam u kthye i përgjakur nga Taifi, me zemër të thyer, me këmbë të gjakosura, u drejtua kah Allahu fuqiplotë, siç rrëfen Ibni Is’haku, dhe tha:
“O Zoti im! Ti je Zot i të dobëtëve! Ti je Zoti im! Te kush po me le, tek i largëti që të më shikoje i mrrolur, apo te armiku, që ka mbizotëruar mbi mua? Nëse kjo nuk është shkak i hidhërimit Tënd ndaj meje, fare nuk brengosem. Mëshira Jote është më e gjërë për mua.

Kërkoj mbrojtje me dritën e Fytyrës Sate, e cila ka ndriçuar errësirat, dhe nën të cilën janë rregulluar dhe sistematizuar dunjaja dhe ahireti, që të mos jesh i hidhëruar ndaj meje. Ty të takon falënderimi derisa të kënaqesh dhe se nuk ka forcë përveçse me Ty”. Kjo ishte lutja dhe ankesa e parë dhe e fundit që Muhamedi a.s iu drejtua Allahut fuqiplotë dhe pas këtij dëshprimi dhe pikëllimi të Muhamedit a.s, kur e prekwn krijeswn mw tw dashur tw Krijuesit Suprem, Allahu f.p e dërgoi Xhibrilin a.s i cili iu drejtua pejgamberit a.s se Allahu fuqiplotë të bënë selam dhe të thotë se a ke dëshirë që këto dy kodrat e Taifit ti bashkoj dhe ta bëjë hi e pluhur këtë popull dhe këtë vend? Por Muhamedi a.s edhe pse i prekur deri në palcë tha njw jo tw madhe! Sepse ndoshta nesër nga mesi banorëve të këtij vendi do të ketë njerwz të atillë që do të thonë, La Ilahe Il-lallah Muhamedu-rresullah! Ky është Muhamed Mustafaja, mësuesi i gjithë njerësisë, mëshira e gjithë njerëzisë dhe vula e gjithë pejgamberisë.

Kjo mrekulli e veçantë ka edhe urtësi të shumta ndër të cilat rradhisim: Që t’i bëhet e mundur Muhamedit a.s që të shoh argumentet e madhërisë se Allahut fuqiplotë në qiej, të shikoje ngjarje e ndodhi të ndryshme, në të cilat padyshim se manifestohet forca e Allahut fuqiplotë. Andaj nëse Isait a.s iu ringjallen disa të vdekur, Muhamedit a.s iu ringjallën pejgamberët. Nëse Musait a.s Allahu f.p i foli në tokë, Muhamedit a.s i foli në qiell. Nëse Ibrahimi a.s shikoi në madhësitë e qiellit nga toka, Muhamedi a.s i shikoi mbi qiej. Nëse Sulejmanit alejhis-selam, i erdhi froni i Belkisës sa çelë e mshelë sytë, Muhamedit a.s i erdhi po kështu Kudsi, dhe u vendos mbi shtëpinë e Akilit, ku Muhamedi a.s me ndihmën e Xhibrilit e përshkroi para kurejshitëve politeistw në detaje. Nëse era e Sulejmanit a.s barti ushtrinë në distancën kohore njëmuajshe për një kohë të shkurtër, Muhamedi a.s përshkroi distancën qindra milion viteshe për një kohë shum më të shkurtër se kjo.

Koha dhe Historiku i ngjarjes

Për ditën, javën, muajin dhe vitin e Isras dhe Mi’raxhit janë bërë diskutime të shumta në mesin e dijetareve Islam, por ajo që konsiderohet si më e saktë është se Israja dhe Mi’raxhi kanë ndodhur një vit e katër muaj para hixhretit. Këtë mendim e përfaqësojnë shumica e dijetarëve Islam. Ndërsa sa i përket natës së Isras dhe Miraxhit, shumica e e tyre mendojnë se ajo ka ndodhur në natën e 27 të muajit Rexheb që gjatë këtij viti 2019 sipas kalendarit solar perputhet me natën e dytw të muajit Prill, e martw nw mbrwmje. Israja dhe Miraxhi në Kur’an janë përmendur në mënyrë të përgjithshme. Për Isran flet ajeti i parë i Sures Isra ndërsa për miraxhin flasin 12 ajete në kaptinën En-Nexhm. Në hadithin e Pejgamberit a.s është sqaruar në detaje historiku i ngjarjes. Mbi këtë mrekulli të veçantë janë transmetuar Hadithe nga 25 sahabij të mëdhenjë, të cilat Hadithe arrijnë gradën e autenticitetit më të saktë në transmetimin e Haditheve.
Nga Ashabët eminent që transmetuan këto Hadithe mund të rradhisim: Enes b. Malik, Omer b. Hattab, Ali Ibni Ebi Talib, Abdullah Ibni Mes’ud, Ebu Dherr El Gafariu, Malik b. Sa’sa’, Ebu Hurejre, Ebu Seidi, Ibni Abbasi, Abdullah B. Amr, Xhabiri, Hudhejfe, Burejde, Ebu Ejjubi, Suhejb Err Rrumi, Ummi Hani, Aishe, Esma etj, Allahu fuqiplotw qoftë i kënaqur me të gjithë këto.

Transmeton Imam Muslimi nga Enesi se Pejgamberi, a.s. ka thënë:
“Ma sollën Burakun, i cili ishte kafshë, më e madhe se gomari dhe më e vogël se mushka, e vënte thembrën atje ku i përfundonte shikimi. Hipa në të derisa arritëm në Kuds, ku e lidha për vendin, ku i lidhin Pejgamberët, alejhimus-selam, pastaj hyra në xhami dhe fala dy rekatë namaz.
Pastaj dola ndërsa Xhibrili ma solli një enë me verë dhe një tjetër me qumësht. E zgjodha qumështin, ndërsa ai me tha: E zgjodhe natyrshmërinë. Pastaj u ngritëm në qiellin e dunjasë. Kërkoi Xhibrili që t’i hapej dera. Kush je ti pyeti rojtari (meleku)? Tha: Xhibrili. Kush është me ty, pyeti prapë? Xhibrili u përgjigj, Muhamedi a.s, A i është dërguar shpallja?: Po.
U hap dera kur ja Ademi. Me dëshiroi mirëseardhje dhe u lut për mua për të mirë.
Pastaj u ngritëm në qiellin e dytë, ku Xhibrili kërkoi leje hyrjeje. Kush je ti- pyeti rojtari? Tha: Xhibrili, Kush është me ty pyeti? Muhammedi. A i është dërguar shpallja? Tha: Po.U hap dera kur ja dy djemtë e tezes, Isai, i biri Merjemes dhe Jahjaja, i biri i Zekrijasë. Më dëshiruan mirëseardhje dhe u lutën për hajr për mua. Pastaj u ngritëm në qiellin e tretë. Xhibrili kërkoi leje. Kush je ti u pyet? Tha: Xhibrli, Kush është me ty pyeti përsëri meleku? Muhammedi. A i është dërguar shpallja? Tha: Po.U hap dera kur ja Jusufi, i bukuri, i cili me dëshiroi mirëseardhje dhe u lut për mua.
Pastaj u ngritëm në qiellin e katërt. Xhibrili kërkoi të hapej.
Kush je ti pyeti rojtari? Tha: Xhibrili.Kush është me ty- pyeti përsëri? Muhammedi. A i është dërguar shpallja? Tha: Po.U hap dera kur ja Idrisi, i cili më dëshiroi mirëseardhje dhe u lut për mua. Pastaj u ngritëm në qiellin e pestë. Xhibrili kërkoi leje hyrjeje. Kush je ti pyeti rojtari? Tha: Xhibrili. Kush është me ty pyeti përsëri? Muhamedi. A i është dërguar shpallja? Tha: Po. U hap dera kur ja Haruni, i cili më dëshiroi mirëseardhje dhe u lut për mua. Pastaj kaluam në qiellin e gjashtë. Xhibrili kërkoi leje hyrjeje. Kush je ti pyeti rojtari? Tha: Xhibrili. Kush është me ty pyeti përsëri? Muhamedi. A i është dërguar shpallja? Tha: Po U hap dera kur ja Musai, i cili më uroi mirëseardhje dhe u lut për mua. Pastaj kaluam në qiellin e shtatë. Xhibrili kërkoi leje hyrjeje. Kush je ti pyeti rojtari? Tha: Xhibrili. Kush është me ty- pyeti përsëri? Muhamedi. A i është dërguar shpallja? Tha: Po.U hap dera, kur ja Ibrahimi, e cili ishte mbështetur me shpinë ne Bejtu’l Ma’mur. Çdo ditë aty hynin shtatëdhjetë mijë melek;, të cilët me nuk ktheheshin kurrë në të. Pastaj shkuam në Sidretu’l Munteha, kur ja gjethet e saj ishin sikurse vesh elefanti ndërsa frytat e saj sikurse vorbë e madhe. Kur e mbuloi nga urdhri i Zotit çka e mbuloi, ndryshoi, dhe askush prej krijesave të Allahut nuk ka mundësi ta përshkruaj bukurinë e saj. Më frymëzoi çka më frymëzoi, e m’i obligoi 50 namaze për çdo ditë dhe natë. Zbrita derisa arrita tek Musai, i cili më tha: Çka i obligoi Zoti yt ummetit tënd? Pesëdhjetë namaze- ia ktheva.
Kthehu te Zoti yt dhe lute për lehtësim ngase ummeti ytë nuk kanë mundësi për këtë. Unë i kam sprovuar izraelitet- i tha Musai. U ktheva te Zoti im dhe i thashë: O Zoti im! Lehtësoja pak ummetit tim? Ia lehtësoi duke ia hequr pesë namaze.U ktheva te Musai dhe i thashë: M’i hoqi pesë namaze.Tha: Ummeti yt nuk kanë mundësi për këtë. Kthehu te Zoti yt dhe lute për lehtësim! Vazhdova të shkoja te Zoti im e te kthehem te Musai derisa tha: Muhamed! Ato janë pesë namaze për çdo ditë dhe natë. Për çdo namaz llogaris dhjetë, dhe kështu bëhen pesëdhjetë. Kush dëshiron ta bëjë ndonjë të mirë, por nuk e bën, ia shkruaj një të mirë, ndërsa nëse e bën ia shkruaj dhjete të mira. Ndërsa kush don ta bëjë ndonjë të keqe por nuk e bën, nuk i shkruhet atij asgjë, e nëse e bën i shkruhet një e keqe. Zbrita tek Musai dhe e lajmërova. Më tha: kthehu te Zoti dhe lute për lehtësim? Thashë: U ktheva te Zoti im aq sa edhe u turpërova”.
Pejgamberi a.s në këtë udhëtim ka parë shumë melekë të Allahut f.p, duke filluar nga kujdestaret e dyerve e deri tek melekt tjera në vende tjera. Ai ka pare Xhibrilin në formën e tij origjinale nga afërsia siç e ka parë më parë në një distancë më të largët.
Muslimi transmeton nga Mesruku se Pejgamberi a.s kësaj radhe, (pra në këtë udhëtim) e kishte parë Xhibrilin në formën e tij, në të cilën është krijuar, që kishte zënë hapësirën e qiellit.
Buhariu transmeton nga Ibni Mes’udi se në sqarimin e ajetit: “E ishte afër sa dy harqe (dy kutë) apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli”. (Nexhm, 9-10) ka thënë: E ka parë Xhibrilin, i cili kishte gjashte qindë pale krahë”.
Ne sqarimin e ajetit: “Ai (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet”. (Nexhm, 18), Ibni Mes’udi ka thënë: E ka parë refrefin e gjelbër, i cili kishte zënë horizontin.
Se çka është refrefi, mësojmë nga transmetimi i Imam Ahmedit dhe Tirmidhiut se Ibni Mes’udi ka thënë: “Ai (Muhamedi) e ka pare Xhibrilin, i cili kishte një rrobw nga refrefi, qe kishte mbuluar hapësirën ne mes tokës dhe qiellit”.
Me këtë na behet e qartw se refrefi është rrobë. Madje këtë e argumenton dhe ajeti Kur’aor: “Aty rrinë të mbështetura në mbështetëse të gjelbra e shtroja të bukura”. (Rrahman-76).
Muhamedi a.s nw këtë natë pa edhe Bejtul mamurin që sipas Imam Gazaliut në veprën e tij Ihja ulumu-ddin, Bejtul Ma’muri është një xhami e ngritur në qiell nga ana e Allahut fuqiplotë që nga koha e Nuhit a.s, atëherë kur ndodhi vërshimi i ujit në rruzullin tokësorë, dhe këtë xhami sipas këtij transmetimi këtë xhami qiellore e bëjnë tavaf shtatëdhjetë mijë melek dhe asnjëherë atyre që veç më kanë bërë tavaf nuk do të ju vjen rradha për të bërë tavafin tjetër deri në ditën e gjykimit për nga numri i madh i melekëve që presin rend dhe rradhë për të bërë tavaf.

Sidretul Munteha

Sidretul Muntehaja është pemë, në piken më te lartë të qiellit. Shkaku se përse është quajtur me këtë emër ekzistojnë transmrtime të ndryshme. Imam Neveviu thotë: “Është quajtur Sidretu’l munteha ngase dituria e melaikeve përfundon atje, dhe askush, përveç Pejgamberit a.s nuk e ka kaluar atë”.
Disa te tjerë kane thënë: “Për shkak se atje përfundojnë shpirtrat e dëshmorëve”.
Disa te tjerë kane thënë: “Aty mbaron, është caku i fundit, i diturisë se çdo Pejgamberi të dërguar apo meleku te afërm”.
Sa i përket vendit te saj, ajo është ne qiellin e shtate, siç ka thënë Kurtubiu, edhe pse në një Hadith, tw cilin e transmeton Imam Muslimi, thuhet se ajo është nw qiellin e gjashtw. Megjithatë, shumica e dijetarwve ndajnë mendimin se ajo gjendet nw qiellin e shtatw.
Ibni Haxheri, duke bashkuar këto thënie, konkludon: Rrënjët e Sidret’ul munteha-sw janë në qiellin e gjashtw ndërsa degët e sajw janë ne qiellin e shtatë.

Israja me trup dhe me shpirt

Israja dhe Mi’raxhi është kryer me trup dhe me shpirt, ndërsa ata qe mohojnë një gjë të këtillë pa dyshim se e kanë besimin e luhatshëm ose kanë prapavijë anti islame.
Parasegjithash, Allahu fuqiplotw është Ai i cili vërtetoi këtë ndodhi, ndërsa reagimet e pabesimtarëve, te cilët ia mohuan Muhamedit a.s dhe i thanw: A mos pretendon se shkove atje brenda një nate ndërsa ne nuk mund të arrijmë atje me deve për një muaj?! Vërtetojnë se Muhamedi a.s këtë e kishte kryer me trup dhe me shpirt. Sikur tw mos ishte me trup por vetëm me shpirt, ata nuk do ta mohonin një gjë të tillë, ngase shpirtërisht, do ta kishin kuptuar shumë më lehtë, dhe assesi nuk do ta thonin këtë. Madje kjo çështje nuk do të ngriste aq pluhur në mesin e pabesimtarëve në kohën e pejgamberit a.s.
Muhamedi a.s nuk pohoi se ka shkuar vetw, por tha: Jam bartur sonte nga Qabja deri në Kuds, pastaj, një gjë të tillë e tha edhe Allahu i Madhëruar: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes)”. (Isra-1)
Sikurse që Allahu i madhëruar dorën e Musait a.s e shndërronte në të bardhë-drite, shkopin e tij në gjarpër te vërtetë, ringjallte të vdekurit nga Isai a.s, ndërroi natyrën e zjarrit te Ibrahimi a.s kur i tha: “Po Ne i thamë: "O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!”. (Enbija, 69), po ashtu është e mundur që Muhamedin a.s ta ngrisë përmbi shtatë palë qiej.
Lidhur me Hadithin e transmetuar nga Muaviu se kinse e Aishja r. anha ka thënë se trupi i Pejgamberit a.s atë natë nuk është larguar në asnjë moment nga shtrati, Muhadithinët këtë e kanë sqaruar në detaje duke e demantuar se hadithi ose është i shpifur ose është i dobët, sepse kur ndodhi ngjarja në fjalë Aishja r. anha ose ka qenë fëmijë ose fare s’ka qenë e lindur si dhe shum demante të tjera që nuk ka hapsitë në këtë shkrim të spjegohen të gjitha. Andaj e vërteta është se kjo ngjarje ndodhi edhe me trup edhe me shpirtë dhe mohuesit e Isras sipas dijetarëve të apologjetikës Islame e nxjerrin njeriun nga besimi.

Përse Israja dhe Miraxhi ndodhën natën e jo ditën?

Disa orientalistë për të hudhur pluhur dyshimi në sytë e besimtarëve në formë provokuese shtruan pyetjen se pse kjo ngjarje nuk ndodhi ditën por natën dhe sipas tyre sikur kjo të kishte ndodhur para syve të njerëzve do të ishte më mirë sepse të gjithë do ta kishin besuar!
Sikur kjo ngjarje të kishte ndodhur mbrenda ditës dhe Muhamedi a.s të ngrihej me burakun e tij para syve të idhujtarëve, askush prej tyre nuk do ta kishte besuar, sepse do të kishin thënë se Muhamedi na magjepsi sytë tonë kurse në fakt ajo nuk ndodhi, sepse pikërishtë këtë e kishin thënë edhe pabesimtarët në kohën e Ibrahimit a.s me zjarrin e tij.
Ibni Muniri ka thënë se Israja ka ndodhur natën ngase nata, sipas zakonit, është koha e vetmisë dhe veçimit, madje ishte edhe koha e namazit obligativ për vetem Pejgamberin a.s siç vërtetuan edhe ajetet e para të sures El-Muzemmil.

Disa nga porositë e Isras dhe Mi’raxhit

Israja dhe Miraxhi ne vete bartin shumë porosi, të cilat përherë janë të freskëta, përherë janë aktuale dhe përherë janë në shërbim të vetëdijesimit të myslimanit, pastrimit të ndërgjegjes së tij, dhe forcimit të besimit të tij. Megjithatë, ndër porositë kryesore rradhisim:
1. Namazi. Pejgamberit a.s në shenje nderimi këtë natë iu obliguan pesë kohët e namazit, të cilat kohëra janë mi’raxh i shpirtit të muslimait, sepse sa herë që lexojmë në çdo ulje në namaz Ettehijatin ne përkujtojmë bisedën që ndodhi mbi horizontin më të lartë qiellor këtë natë në mes të Allahut fuqiplotë dhe Muhamedit a.s. Për rëndësinë e namazit dëshmojnë faktet Kur’anore si dhe ato te traditës profetike, ndërsa vetë Pejgamberi a.s namazin e kishte kënaqësinë më të madhe të jetës së tij të cilën duhet ta ketë edhe çdo musliman.
2. Durimi. Durimi është element i heroizmit kulminant, Pejgamberi a.s duroi shumë dhe kurr nuk u dorëzua dhe nuk hoqi dorë nga emaneti që iu besua; ia vranë dhe torturuan besimtarët në format më barbare, i vdiq gruaja, e cila i besoi e para dhe i dha përkrahje shpirtërore. Pastaj i vdiq xhaxhai, i cili edhe pse nuk i besoi, gjithmon ishte në krahun e tij dhe e mbronte. U persekutua ne Taif, por prapëseprapë, duroi dhe nuk lëshoi pe në fenë e Allahut. Dhe jo rastësishtë Allahu f.p në Kuranin f.l tha: “Ndërsa durimtarëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”. (Zumer, 10)
3. Pastrimi i rradhëve nga muslimanwt labil dhe tw dyshimt. Kur Muhammedi a.s lajmëroi për këtë ngjarje disa që kishin zemra te luhatshme në Islam, e lëshuan këtë fe, ndërsa pabesimtarët, e morën si mjet për t’iu kundërvënë Pejgamberit a.s, kështu që shkuan te Ebu Bekri dhe i thanë: Vërtet shoku yt po pretendon se mbrëmë ka shkuar në Sham dhe është kthyer, dhe ja tani është gdhirë në mesin tonë. A e ka thënë këtë ai pyeti Ebu Bekri? Thanë: Po. Tha: Nëse ai e ka thënë këtë, atëherë e ka thënë te vërtetën. Unë i kam besuar edhe në atë që është me e çuditshme se kjo. I kam besuar ne lajmin e qiellit, qe i vie mëngjes e mbrëmje”.
4. Forca në përhapjen e fesë. Pejgamberi a.s posa u kthye e informoi Ummi Hanen për këtë dhe i tha se do të dal e t’ua kumtoj njerëzve këtë. Ajo i tha se ka frikë për të ngase ata do ta përgënjeshtrojnë. Por, ai, nuk u dobësua aspak dhe doli duke thirrur dot ju tregoj dot ju tregoj. Në rrugë për te vendi ku mblidhej paria kurejshtie, u takua me ebu xhehlin dhe ia rrëfeu ngjarjen. Ky njeri mendonte se meqë Muhamedi a.s e pa vetëm e shfrytëzoi rastin ta bënte për vete, kështu që i tha: Nëse shkoj dhe i thërras të tjerët a ua thua këtë? Tha: Po. Shkoi dhe ua tha edhe atyre. Ata i bën disa pyetje kinse per ta vërtetuar në ishte apo jo i vërtet. Kërkuan përshkrimin e Mesxhidul-Aksas duke e ditur se kurr pejgamberi a.s se kishte parw ate, ndërsa Allahu i madhëruar nëpërmjet Xhibrilit ia solli atë mbi shtëpinë e Akilit dhe ai ua përshkroi në detaje. I informoi po ashtu për karvanin se do t’iu vinte në mëngjesin e ditës së tretë dhe ashtu ndodhi. Madje, Pejgamberi, Alejhi selam, ua kishte treguar disa detaje te karvanit, dhe potirin me ujë të cilin e kishte pirë vetë gjatë udhëtimit me burak dhe e kishte lënë në vend, ndërsa udhëtarët e karavanit e dinin si të mbushur me ujë, ndërsa kur u kthye karavani, të njëjtat gjëra i pohuan edhe vetë ata.

5. Zbulime shkencore. Vetë ngjarja e Israsë dhe Miraxhit i ka inkurajuar shkenctarët e shkencës së matematikës që të zbulojnë edhe dimensionin e katërt në hapsirë, që shkurton rrugën për qindra herë më tepër se tre dimensionet e para. Tërë kjo ngjarje është zhvilluar ne bazë të një procesi, jashtë ligjeve të kësaj natyre dhe pikërisht nga kjo ngjarje duke u bazuar në paskajoren e fjalës burak e cila është berk, që në gjuhën shqipe don të thotë rrufe, shpejtësia e së cilës është e barabartë me shpejtësin e të parit dhe dritës i ka shtyrë shkencëtarët e mëdhenjë që ta hulumtojnë këtë mrekulli të Pejgamberit a.s dhe pikërisht nga kjo ngjarje dhe nga dy ajete Kuranore buroi edhe teoria e relativitetit dhe me siguri se do të burojnë edhe qindra teori të tjera objektive shkencore.

Autori është Kryetar i Shoqatës së Ulemave të BFI në RSM

© ZHURNAL 02.04.2019, 14:17 | Xh.I. | 4,220 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."