Takim pune në OEMVP me kryeministrin dhe ministrat e Bujqësisë dhe të Arsimit
ekonomi
Takim pune në OEMVP me kryeministrin dhe ministrat e Bujqësisë dhe të Arsimit

Takim pune në OEMVP me kryeministrin dhe ministrat e Bujqësisë dhe të Arsimit

Shkup, 5 prill -  Sfidat me të cilat ballafaqohet sektori i biznesit, për masat e qeverisë dhe politikat për mbështetje të biznesit, për mundësitë e investimeve të cilat i ofron vendi ynë si dhe problemet aktuale të cilat i adresojnë kompanitë gjatë kryerjes së veprimtarisë të subjekteve afariste dhe  mënyra për zgjidhjen e tyre ishin tema në takimin e sotëm të punës të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore me kryeministrin Zoran Zaev, ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikollovski, ministrin për Arsim dhe Shkencë, Arbër Ademi.

Kryeministri Zaev gjatë fjalimit të tij dha një përshkrim për ambientin ekonomik në vend edhe perspektivat e reja së bashku me mundësitë e investimit të cilat hapen para kompanive me anëtarësimin në NATO dhe fillimin e negociatave me BE-në, por edhe nëpërmjet masave për mbështetje nga politikat ekonomike të cilat mbështesin ndjeshëm rritjen dhe zhvillimin e konkurrencës së kompanive vendase.

Kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha tha se dialogu publiko-privat i krijuar me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut është i rëndësishëm për përmirësimin e bashkëpunimit dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta që do të jenë në interes të kompanive dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Të gjithë përfaqësuesit nga OEMVP e kishin mundësinë të parashtrojnë pyetje për tema të cilat janë në interes të komunitetit të biznesit dhe për tejkalimin e disa situatave.  Brenda këtij takimi pune janë konfirmuar angazhimet e të dyja palëve për mbështetje të ndërsjellë dhe bashkëpunim, e cila do të jetë në funksion të intensifikimit të rritjes ekonomike të vendit si një objektiv i rëndësishëm për rritjen e sektorit privat dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

© ZHURNAL 05.04.2019, 19:11 | B.L. | 2,907 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."