EDITORAL: Banka Popullore në lojë me LSDM e VMRO-DPMNE për të përjashtuar gjuhën shqipe ?!
maqedonia
Editoral: Banka Popullore në lojë me LSDM e VMRO-DPMNE për të përjashtuar gjuhën shqipe ?!

Editoral: Banka Popullore në lojë me LSDM e VMRO-DPMNE për të përjashtuar gjuhën shqipe ?!

Editorial, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 10 Maj, Zhurnal.mk –
Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut dje njoftoi se gjuha shqipe nuk do të përdoret në kartëmonedhat dhe bankënotat e reja që kjo bankë pritet që t’i prodhojë dhe lëshojë në përdorim që nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Governatorja e bankës, Anita Angellovska-Bezhovska dje tha se në bankënotat prej 500 dhe 10 Denar të reja që do të futen në përdorim do të përmbajnë ndryshimin e emrit të vendit ‘Republika e Maqedonisë së Veriut” vetëm gjuhën maqedonase e jo edhe në gjuhën shqipe.

Mirëpo pse ky vendim kaq i ngutur i krerëve të bankës, kur dihet se qeveria e vendit është duke pritur mendimin e Komisionit të Venedikut të Këshillit të Evropës për përdorimin e gjuhës shqipe pikërisht në kartëmonedhat dhe bankënotat e vendit ?

Ligji i ri i miratuar për herë të parë në Janar dhe për të dytën herë në Mars të këtij viti i publikuar në gazetën zyrtare të vendit nuk përmban pjesët e mëhershme të propozuara për përdorimin e gjuhës shqipe në bankënota, letrat me vlerë dhe uniformat e ushtrisë dhe policisë.

Për këto pjesë të ligjit Kryeministri i vendit Zoran Zaev ka bërë një kërkesë për mendimin e këtij Komisionit në Janar të këtij viti.

Komisioni i Venedikut do ta ketë në rend ditë këtë kërkesë nga Shkupi në qershor për ta trajtuar. Ndërsa mendimi i tij parashihet që të bëhet jo para tetorit.

Neni 8-të i miratuar në parlament thotë se kartëmonedhat dhe monedhat, si dhe pullat postare do të përmbajnë simbole që paraqesin trashëgimi kulturore të qytetarëve që e flasin gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe (v.j. interpretim).




Mirëpo ky nen nuk është ende zyrtar. Ky nen, dhe nenet e tjera që kanë të bëjnë me letrat me vlerë dhe uniformat e ushtrisë dhe policisë, nuk është pjesë e versionit të ligjit të gjuhëve të botuar në gazetën zyrtare të vendit.

Situata e krijuar nga ankesat e palës maqedonase në pushtet dhe në opozitë për këto nene, zyrtarisht ia lejon bankës popullore të vendit që të prodhojë që sot bankënotat dhe kartëmonedhat e reja vetëm në gjuhën maqedonase, pra jo edhe në gjuhën shqipe.

Por pse kjo nguti kështu e krerëve të bankës ?

Pse banka në pajtim me qeverinë e Zoran Zaevit ndodhet në kaq nguti dhe tashmë kanë marrë vendimin se si do të duket përmbajtja e kartëmonedhave dhe bankënotave të reja që do të shtypen dhe futen në përdorim ?

Pse Banka Popullore dhe Qeveria e LSDM-së, BDI-së, Alternativës, PDSH-së dhe RDK-së nuk e presin tetorin për të parë se çfarë thotë Komisioni i Venedikut për propozimin për përdorimin e gjuhës shqipe në bankënota e kartëmonedha ?
 
Arsyetimet mund të jenë po të njëjtat sikur ato që kanë të bëjnë me faktin se qeveria edhe pse u pajtua në vitin 2017 për këtë ligj, nuk i dërgoi që para dy vitesh këto nene për mendim në Komisionin e Venedikut ?

Por, a kishte nevojë qeveria që të kërkojë mendim nga komisioni në fjalë nëse këto nene të lëna anash në gazetën zyrtare janë kushtetuese apo kundër-kushtetuese ?

VMRO-DPMNE thotë se janë kundër-kushtetuese. LSDM dhe Zaev kanë heshtur dhe po heshtin plot dy vite dhe nuk po e thonë mendimin e tyre. Partnerët e saj qeveritar shqiptar po ashtu.

Kushtetuta e vendit thotë se gjuha shqipe është zyrtare për përdorim ashtu si thonë ligjet. D.m.th. kushtetuta ia delegon këtë çështje ligjeve. Pra, janë ligjet janë ato të cilat e përcaktojnë se ku mund dhe ku nuk mund të përdoret zyrtarisht gjuha shqipe.
 
E ligjet propozohen në këtë rast nga qeveria dhe ato miratohen aty në parlament.

Ligji i ri për gjuhën shqipe është votuar dy herë nga parlamenti dhe përsëri u dashka një Komision i Venedikut të jap mendim, apo edhe Gjykata Kushtetuese e vendit.

Këtu ka një konflikt të madh.

Pse u dashka mendimi apo vlerësimi i trupave të jashtëm apo të brendshëm të këtillë kur vet kushtetuta thotë se përdorimi zyrtar i gjuhës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës përcaktohet me ligj.

Zaev këtu si duket po bënë një lojë për t’iu përshtatur opinionit vendas maqedonas i cili nuk e do gjuhën shqipe të plotë zyrtare, por e do gjuhën shqipe si gjuhë për përdorim të kufizuar nga shqiptarët e vendit.

Këtu si duket kemi të bëjmë me lojë të Zaevit, i cili po e përdorë kundërshtimin e VMRO-DPMNE-së për të arsyetuar para publikut maqedonas kufizimet për të drejtat e shqiptarëve duke e përdorë madje edhe Komisionin e Venedikut, madje edhe me pajtimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.

“Do të çmendej VMRO-DPMNE sikur ky ligj për gjuhët të përdorej ashtu siç është propozuar nga qeveria,” përcillnin kështu vitin e kaluar fjalët e Zaevit diplomatët në Bruksel të një vendi anëtar të BE-së.

Me fjalë të tjera Zaevi si duket ende po e luan kartën e kinse frikës së tensioneve që mund të shkaktohen nga VMRO-DPMNE nëse ai do të pranonte krejt kërkesat e shqiptarëve për të drejta te plota,  në këtë rast për gjuhën shqipe.

Në këtë kontekst duhet futur edhe vendimin e bankës popullore që të dërgojë në gazetën zyrtare vendimin për tekstin se di do të duken bankënotat dhe kartëmonedhat e reja të Maqedonisë së Veriut, pra vetëm në gjuhën maqedonase.

Për të heshtur VMRO-DPMNE apo për të heshtur shqiptarët e vendit, në të dy versionit, dërgimi i këtyre pjesëve të ligjit që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut janë vërtetë vendim i çuditshëm dhe po aq ironik, kur dihet se ligjet dhe kushtetutat anekënd botës bëhen ashtu siç pajtohen dhe bëjnë kompromise ata që janë në qeveri dhe shumica e tyre parlamentare.

Nuk ka ndonjë trup evropian apo ndërkombëtar jashtë Maqedonisë së Veriut, shtet i BE-së, apo kushdo të jetë ai apo ajo udhëheqëse nëpër BE që ka të drejtë t’iu jap mësime shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut e as më pak që t’iu vendos kufij të kuq se ku mund dhe ku nuk mund të përdoret gjuha e tyre shqipe.

© ZHURNAL 10.05.2019, 13:25 | B.M. | 15,133 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."