EDITORIAL: Tundu Ali Ahmeti dhe ju të tjerët në pushtet dhe opozitë
maqedonia
Editorial: Tundu Ali Ahmeti dhe ju të tjerët në pushtet dhe opozitë

Editorial: Tundu Ali Ahmeti dhe ju të tjerët në pushtet dhe opozitë

    BDI, PDSH, Alternativa, RDK, ASH dhe Besa kanë nevojë për një RIFRESKIM të madh me qasje dhe punë të përbashkët për të mirën e shqiptarëve të vendit pikërisht aty ku e nisën dhe e ndalën në të njëjtën kohë në janar të vitit 2017 me deklaratën e përbashkët e cila tash ka nevojë që të zgjerohet e pasurohet njëkohësisht.

Shkup, 11 maj, Zhurnal.mk - Pas 15 viteve në pushtet, në fillim me LSDM, pastaj me VMRO-DPMNE e tash përsëri me LSDM, BDI dhe Ali Ahmeti ende mbetet forca politike më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut. Por, ajo tashmë nuk është e vetmja parti shqiptare në pushtet sepse nuk e ka përkrahjen e shqiptarëve të vendit të cilën e kishte si më parë.

Humbja e nëntë ulëseve në parlament në zgjedhjet e Dhjetorit 2016 shënon momentin e fillimit të zhvendosjes së madhe të votës së votuesve shqiptarë dhe rënien e përkrahjes ndaj partisë së Ali Ahmetit.

Me 10 deputetë, BDI tash ka vetëm gjysmën e ulëseve shqiptare në legjislativin e vendit.

Arsyet e rënies së përkrahjes ndaj BDI-së kryesisht duhet kërkuar në gjendjen ekonomike-sociale të shqiptarëve të vendit e po aq edhe me të drejtat ende të kufizuara të tyre të cilat  burojnë nga ligjet e dikurshme dhe të reja të cilat vazhdojnë që të miratohen me të njëjtën logjikë të kufizimit të dominuar nga pala maqedonase.

Shqiptarët e vendit gjatë këtyre viteve adresë kryesore të punësimit e kishin dhe ende e kanë sektorin publik, përkatësisht institucionet dhe agjensionet e tyre si dhe ndërmarrjet publike.

E tërë kjo në emër të përfaqësimit proporcional të tyre nëpër këto adresa të punësimit i cili tash në krahasim me atë të para luftës shtatë muajshe të vitit 2001 është rritur dukshëm dhe ndodhet në 19.4 për qind, por i cili megjithatë ende çalon dhe nuk ndodhet në 25.2 për qind sa thuhet të jenë shqiptarët e vendit sipas regjistrimit të vitit 2002.

BDI dikur dhe tash së bashku me tre partitë e tjera shqiptare në pushtet (Alternativa, PDSH dhe RDK) ende nuk kanë arritur që të në sektorin privat të bëjnë punësime ashtu siç ka bërë VMRO-DPMNE dhe po bënë përsëri LSDM për maqedonasit përmes investimeve të huaja.

Po bëhen gati dy vite dhe rezultatet dhe tendencat vazhdojnë që të jenë të njëjta. As kësaj here nuk ka ndonjë shenjë të fortë se këto parti shqiptare në qeveri do të ndajnë në dysh energjinë e tyre për punësim në të dy sektorët.

Përgjegjësia bie mbi të katër partitë shqiptare, por më së shumti mbi BDI-në e cila u përcaktua që të marrë ministrinë e ekonomisë dhe zyrën e investimeve të huaja.

Hapja e fabrikave në zonat shqiptare është tejet prapa. Edhe në këtë qeveri, janë maqedonasit ata të cilët vendosin se në cilat zona do të shkojnë këto investime të huaja dhe kush do të punësohet kryesisht aty.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Zëvendës-Kryeministri për çështje të investimeve Koço Angushev janë duke vazhduar të njëjtën traditë sikur edhe në të kaluarën ministrat e mëparshëm.
Dështimet e Bekteshit për të hapur fabrika dhe vende pune në zonat shqiptare është dështim i tij personal është po aq edhe dështim i krejt BDI-së.

Në asnjë qeveri të deritashme që nga përfundimi i luftës së 2001 nuk ka pasur marrëveshje për shpërndarje proporcionale të investimeve të huaja nëpër zonat e banuara kryesisht me shqiptarë dhe zonat e banuara kryesisht me maqedonas. Dhe për fat të keq nuk ka ndonjë sinjal se edhe do të ketë një marrëveshje të detyrueshme të këtillë edhe përkundër faktit se tash LSDM nuk mund të gjendet në pushtet pa partitë shqiptare, për dallim me VMRO-DPMNE e cila nuk kishte nevojë për partitë shqiptare për të krijuar qeverinë dhe shumicën parlamentare.

BDI po ashtu mund të kritikohet edhe me qasjen ndaj gjuhës shqipe sa do që kritika nuk mund të jetë absolute.

Qasja e kësaj partie, e përqafuar tash edhe nga partitë e tjera shqiptare në pushtet, vazhdon që të jetë e njëjtë : pas secilës palë të zgjedhje nga një ligj i ri për zgjerimin e fushave të përdorimit të gjuhës shqipe.

Dhe përsëri edhe kësaj here, edhe pse këto hapësira me ligjin e ri u zgjeruan bukur shumë, gjuhes shqipe përsëri i janë vendosur vijat e kuqe se ku mund dhe ku nuk mund të përdoret ajo zyrtarisht.

Për shkak të qasjes për zyrtarizimin e gjuhës shqipe sipas metodës « Pas çdo zgjedhje nga një kat », shqiptarët e vendit do të duhej pritur edhe disa palë zgjedhjesh parlamentare për të mbushur krejt zbrazëtirat e bërjes së gjuhës shqipe zyrtare përmes ligjeve për shkak të kushtetutës e cila ua lë përsipër këtë çështje ligjeve, përkatësisht partive politike të kualifikuara në parlament.

Por, kohëve të fundi sfidat e partive shqiptare në pushtet dhe në opozitë nuk kanë të bëjnë vetëm me gjendjen ekonomike-sociale dhe të drejtat që ndërlidhen me çështjet themelore të identitetit të tyre, përkatësisht me vendet e punës në sektorin publik e privat dhe gjuhën e kufizuar shqipe.

Pasoja e së parës, papunësisë së madhe e cila për pasojë shkakton fuqi blerëse të dobët tek shqiptarët e vendit dhe pra edhe degradim të krejt gjendjes ekonomike e sociale të tyre, tash ka filluar që të godas më të madhe banorët shqiptarë të vendit.

Tashmë tek të rinjtë është krijuar opinioni se në këtë vend nuk ka perspektivë. Prindërit gjithnjë e më shumë po ashtu nuk po shohin perspektivë për fëmijët e tyre. Dhe pasojat tash po shihen viteve të fundit kur është në rritje numri i atyre që po lëshojnë vendin për një të ardhme më të mirë në Evropën perëndimore.

Dikush ndoshta do të mund të ngushëllohet me këto tendenca negative të kësaj gjendjeje përmes shifrave inkurajuese të lindshmërisë të fëmijëve tek shqiptarët.

Por propozim-ligji i dërguar në parlament për shtesat e fëmijëve i cili sipas të gjithë njohësve të mirë të çështjeve sociale është synim i hapur i partive maqedonase për të de-motivuar prindërit shqiptarë për të shtuar familjet me qëllim që të ndalet trendi i lindshmërisë tek shqiptarët që është më i madh sesa tek maqedonasit, i godet këto lloj ngushëllimesh në aspektin afatgjatë.

BDI, natyrisht se ka me çka të krenohet prej se gjendet në pushtet, plot 15 vite. Hapja e universiteteve në gjuhën shqipe, rritja e punësimit në sektorin publik  dhe zgjerimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe janë tre përparimet e mëdha që kreu i saj Ali Ahmeti dhe të tjerët e partisë i theksojnë vazhdimisht.

Por, të kërkosh votën përsëri nuk do të thotë se do ta marrësh atë për të kaluarën. Kur BDI u dobësua nga 19 deputetë në 10, ajo e mori përgjigjen e madhe të trendit të disponimit të qytetarëve shqiptarë ndaj saj.

E ardhmja e zbehtë është shqetësimi kryesor i qytetarëve të vendit. Dhe në periudhën kur gjithnjë e më shumë pikërisht të ardhmen e tyre qytetarët nuk e shohin brenda vendit të tyre po jashtë, BDI dhe partitë e tjera shqiptare duhet përvjelë mëngët shumë.

Ato jo vetëm që duhet freskuar përbërjen e tyre dhe të deleguarit e tyre në parlament e qeveri, por ato duhet freskuar së pari programet e tyre dhe përparësitë sipas nevojave të qytetarëve dhe trendeve negative.

Që të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni të Veriut kanë nevojë për një RIFRESKIM të madh. BDI dhe Ali Ahmeti në rend të parë.

Prandaj, BDI e Ali Ahmet dhe krejt parti shqiptare në pushtet dhe opozitë dhe krejt krerët e tyre: ZGJOHUNI, FRESKOHUNI , TUNDUNI E SHKUNDUNI se jeta dhe qytetarët nuk presin.

Bëjeni një RIFRESKIM të madh në qasje dhe punë të përbashkët aty ku e nisët dhe ndalët në të njëjtën kohë në janar të vitit 2017 me deklaratën e përbashkët dhe pasurojeni dhe zgjeroheni të njëjtën.

© ZHURNAL 11.05.2019, 14:32 | B.M. | 34,629 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."