EDITORIAL Freskimet në qeveri, “fshesë” apo shëtitje e ministrave ?!
maqedonia
Editorial Freskimet në qeveri, “fshesë” apo shëtitje e ministrave ?!

Editorial Freskimet në qeveri, “fshesë” apo shëtitje e ministrave ?!

Shkup, 13 Maj, Zhurnal.mk – Qeveria e vendit e aprovuar nga parlamenti me 31 Maj 2017, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016, këtyre ditëve ndodhet përballë një freskimi të paralajmëruar nga vet Kryeministri Zoran Zaev.

Kur u formua koalicioni qeveritar ajo përbëhej nga LSDM dhe dy parti shqiptare : BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.

Pas largimit të ASH-së nga qeveria, Zaevit iu deshtë që të ruajë shumicën e votave në parlament dhe në ndihmë i erdhën PDSH-ja, një pjesë e ASH-së (RDK-ja), dhe një pjesë e Lëvizjes Besa (Alternativa). Në opozitë kaluan ASH-ja e Ziadin Selës dhe mbeti në opozitë Lëvizja Besa e Bilall Kasamit.
 
Dy vite që nga formimi i qeverisë, tash kryeministri ka paralajmëruar një analizë të rezultateve të ministrave të tij dhe freskime emrash apo siç ai disa herë e quajti “fshesën” në qeveri.

Analiza e brendshme e rezultateve të ministrave ende nuk është bërë publike nga qeveria, mirëpo deri më tash në opinionin publik vendor kanë qarkulluar disa emra të ministrave shqiptarë për të cilët thuhet se do të jenë rezultat i « fshesës » së paralajmëruar nga Zaevi.

“Fshesë” do të thoshte largim i tyre nga qeveria, mirëpo nuk mund përjashtohet as ndërrimi i posteve të disave prej tyre dhe dërgimi i të njëjtëve në poste të tjera.

Emrat më të përfolur deri më tash nga kampi i ministrave shqiptarë janë Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ai i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraki.

Që të dy kanë deklaruar se është kreu i partisë Ali Ahmeti, ai i cili vendos nëse ata do të mbesin apo jo në qeveri apo nëse ata do të kalojnë në ministri të tjera.

Deri më tash në BDI nuk ka pasur një analizë, të paktën publike, për rezultatet e ministrave të saj.

Nga radhët e ministrave të BDI-së, Bekteshi ishte ndër emrat më të përfolur në publik për nepotizëm, përkatësisht për ndikimin e tij në dy punësime të dy familjarëve të tij. Ai është pjesë e listës së Komisionit Shtetëror kundër-korrupsionit për këtë arsye.

Ministri në fjalë ndërkohë është përgjegjës bashkë me Zëvendës-Kryeministrin Koço Angushev për investime të huaja. Që të dy, së bashku me Zaevin, janë lavdëruar javë më parë për 624.5 miliardë Euro investime të huaja që paskan sjellë ata vitin e kaluar. Këto shifra janë mohuar nga VMRO-DPMNE e cila tha se reth 70 për qind e këtyre projekteve investimesh janë projekte të nisura nga qeveria e kaluar.

Është e vështirë të besohet se Bekteshi dhe Angjushevi do të jenë pjesë e « fshesës » së paralajmëruar, për çështje investimesh nga Zaevi. Mirëpo nuk mund të përjashtohet edhe « fshesa » e BDI-së për Bekteshin për shkak të mos dërgimit të investimeve në zonat shqiptare, e as largimi i tij nga vet Zaevi dhe Ali Ahmeti nën arsyetimin se punësimeve familjare, shkruan Zhurnal.

Duraki ndërkohë nuk mund të lavdërohet për ndonjë rezultat të madh në masat e ndërmarra kundër ndotjes së ambientit. Dimri ka kaluar dhe ajri mbi qiellin e vendit tash është pak më i pastër meqë nafta, drutë e peleti nuk përdoren për ngrohje gjatë stinëve pranverë dhe verë siç janë përdorë gjatë vjeshtës dhe dimrit.

Ndërkohë ndotja e ajrit nga industria e rëndë, veturat e vjetra me karburante po vazhdon me të njëjtin ritëm, përderisa nëpër vendet e BE-së tashmë e disa vite ka filluar që të zbatohet ku më shumë e ku më pak largimi nga qarkullimi i veturave të vjetra me diezel dhe benzinë.

Mirëpo, në rast se Zaevi dhe Ahmeti vendosin për të dëbuar apo ndërruar Bekteshin dhe Durakin, me çfarë kriteri do të merrnin ata këtë vendim : në bazë të përgjegjësisë individuale apo kolektive ?

E para do të thoshte se LSDM dhe BDI nuk janë të kënaqur nga këta ministra me zbatimin e programeve të pajtuara nga partnerët e koalicionit, ndërsa e dyta do të thoshte se vet LSDM dhe BDI nuk kanë pasur vendime të nevojshme dhe më pastaj as një koordinim të duhur në zbatimin e zotimeve të mëhershme të programit qeveritar të pajtuar atëherë kur u pajtuan për të formuar qeverinë.

Krejt ky vështrim mund të bie në ujë, nëse që të dy ministrat do të mbesin aty ku janë apo edhe pjesë e qeverisë në poste të reja.

Ndërkohë, pos faktit se ministri i Alternativës, Asaf Ademi, do të ndërrohet nga radhët e të njëjtës parti për shkaqe shëndetësore, mbetet ende e panjohur se çfarë do të ndodhë me ministrat dhe zëvendës-ministrat e tjerë të partive shqiptare dhe LSDM-së.

Deri më tash nuk është dëgjuar ndonjë fjalë se cilët do të mund të jenë të tjerët të cilët do t’i kapte “fshesa” e Zaevit.

Edhe ata të pa përfolurit deri më tash, mund të jenë pjesë e bisedimeve të ardhshme të paralajmëruara nga kreu i LSDM-së dhe i BDI-së.

Krejt ndryshimet, përkatësisht freskimet e mundshme të përfolura në qeveri, janë çështje analize e gjendjes aktuale politike dhe socio-ekonomike si dhe reformave në ligj e rend në vend nga këndi i krerëve të partive politike qeveritare, e po aq edhe e vullnetit të tyre për masa të reja nëse të njëjtit do të konstatonin se rezultatet e deritashme nuk kanë qenë ato që janë pritur.

BDI gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes me LSDM-në mund të krenohet me arritjen e marrëveshjes me Greqinë për emrin e ri të vendit dhe hapjen e rrugës drejt NATO-s dhe BE-së, si dhe me ligjin e ri për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, por jo në frontin ekonomik dhe social.

Shqiptarët mbeten ende pas maqedonasve në këtë front e në të njëjtën kohë ende me të drejta të kufizuara me fushën e përdorimit të gjuhës shqipe dhe përfaqësimit proporcional në sektorin publik.

Ndërsa në punësimin e tyre në sektorin privat edhe më keq. Mjafton që të shihet se nëpër cilat zona  po dërgohen investimet e huaja për të pasur një pasqyrë të gjendjes e cila po vazhdon edhe tash me këtë qeveri gjë që po shkakton largimin e njerëzve nëpër vendet e BE-së për punësim të përkohshëm apo të përhershëm.

© ZHURNAL 13.05.2019, 12:35 | Xh.I. | 21,210 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."