O.H Hilal me aksion humanitar në Prilep
maqedonia
O.H Hilal me aksion humanitar në Prilep

O.H Hilal me aksion humanitar në Prilep

Prilep, 13 maj - Në kuadër të aksionit Mëshira dhe Solidariteti i Ramazanit, të hënën, më 13 Maj, Organizata Humanitare Hilal e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërmori aksion humanitar në qytetin e Prilepit, gjegjësisht me myftininë e këtij qyteti, pra me Koordinatorin e Myftinisë së Prilepit Shefket ef. Imeri, ku në formë të organizuar u bë shpërndarja e 8 tonelata ndihma humanitare që kishte për qëllim ndarjen e ndihmave humanitare për familjet skamnore, të pastrehët, jetimët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, në këtë qytet.

Ashtu siç u njoftua në fillim të këtyre aksioneve, OH Hilal për këtë muaj të bekuar ka planifikuar të shpërndan mbi 200 tonelata ndihma. Ashtu si edhe vitet e kaluara këto aksione mbështeten nga muftinitë e Bashkësisë Fetare Islame në RMV dhe këshillat e xhamive në tërë vendin.

Gjatë këtij aksioni, Kryetari i OH Hilal, Mustafa ef. Dauti bëri një falënderim të posaçëm për Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi për angazhimin e palodhshëm në sferën e humanitetit dhe sigurimin e ndihmave për skamnorët e tërë territorit të Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorinë e Vakufit të Republikës së Turqisë e cila si çdo vit po bashkëpunon me BFI dhe i dhuron nga 5 mijë pako ndihma humanitare për nevojtarët e kategorive të ndryshme në Maqedoni. Gjithashtu, ai falënderoi edhe fabrikën e ujit Kozhufçanka për mbështetjen disa vitëshe.

Në prani të mediumeve, edhe Koordinatori i Myftinisë së Prilepit, Shefket ef. Imeri, falënderoi Oh Hilal dhe Reisul Ulemanë që si çdo vit, nuk i harrojnë skamnorët e këtij qyteti.

Sipas Kreut të OH Hilal, ky aksion i emëruar Mëshira dhe Solidariteti i Ramazanit, për hir të këtij muaji të bekuar të Ramazanit dhe ashtu si deri tash, do të vazhdojë me një fluks të shtuar edhe në ditët në vijim, ku OH Hilal për muajin e Ramazanit ka planifikuar të bën shpërndarjen e 200 tonelatave ndihmave, të cilat kapin një shumë prej 420 000 euro.

© ZHURNAL 13.05.2019, 15:59 | Z.H. | 2,912 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."