Prokuroria deklarohet rreth arrestimit të Dardan Molliqajt: Kreu sulm ndaj personit zyrtar
kosova
Prokuroria deklarohet rreth arrestimit të Dardan Molliqajt: Kreu sulm ndaj personit zyrtar

Prokuroria deklarohet rreth arrestimit të Dardan Molliqajt: Kreu sulm ndaj personit zyrtar

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se më 22 tetor të 2015, ndaj të dyshuarit Dardan Molliqaj, është pranuar kallëzim penal i ushtruar nga Policia e Kosovës.

Sipas Prokurorisë Themelore, Dardan Molliqaj asokohe kishte kryer veprën penale ‘’Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’’, njofton Klan Kosova.

Për më shumë detaje ja kumtesa e plotë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës:

”Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të drejtë e të saktë, njofton opinionin se ndaj të dyshuarit D.M., më 22.10.2015, është pranuar kallëzimi penal i ushtruar nga Policia e Kosovës, në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410 paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokurori i cili aktualisht është duke e trajtuar këtë rast, më 02.10.2017, ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve, pasiqë ekziston dyshimi i arsyeshëm se, më 12.10.2015, rreth orës 21:30, para stacionit policor Qendra në Prishtinë, i dyshuari D.M., ka sulmuar një zyrtar policor-Komandantin e këtij stacioni policor, D.I., ashtu që i njëjti përkundër disa ftesave të dërguara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për t’a siguruar deklaratën e tij, nuk është paraqitur dhe asnjëherë nuk e ka arsyetuar mos paraqitjen e tij në intervistim.

Prokurori i çështjes, më 10.04.2019, ndaj D.M., ka ushtruar kërkesë për lëshim të urdhërarrestit për sigurimin e prezencës së tij në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Duke vepruar sipas kërkesës së prokurorit të çështjes, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12.05.2019, ka lëshuar urdhërarrest, i cili është zbatuar sot, më 13.05.2019, në ora 10:00, si dhe i dyshuari i lartcekur është intervistuar e më pas është liruar në procedurë të rregullt”

© ZHURNAL 13.05.2019, 16:17 | Z.H. | 585 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."