Nga sonte rreshje të rrëmbyeshme të shiut, autoritetet në këmbë por nuk ka vend për panikë
maqedonia
Nga sonte rreshje të rrëmbyeshme të shiut, autoritetet në këmbë por nuk ka vend për panikë

Nga sonte rreshje të rrëmbyeshme të shiut, autoritetet në këmbë por nuk ka vend për panikë

Shkup, 13 maj - Stuhi dhe reshje të rrëmbyeshme të shiut do ta kaplojnë Maqedoninë e Veriut gjatë ditëve në vazhdim, thonë nga enti hidrometeorologjik. Deri të premten meteorologët paralajmërojnë mot me shi edhe vetëtima. Nëse reshjet e raportuara zgjasin në një periudhë prej 72 orësh, nuk duhet të ketë probleme. Por nëse bien pandërprerë, me intensitet të lartë mund të vijë deri te vërshimet, informojnë nga Drejtoria për punë Hidrometeorologjike .

“Këtyre ditëve dhe deri të premten do të kemi mot me vranësira, me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Pritet që të bie shi prej 50 deri në 70 litra metër katror sasi ujore. Pastaj në ditët në vazhdim, pas kësaj, do të kemi kryesisht mot të thatë stabil”, theksoi Dushanka Tanushevska nga Enti Hidrometeorologjik.

E që në orën 7 të mëngjesit punëtorët e ndërmarrjes “Ujësjellës dhe kanalizime” kanë dalë në terren. Ata po pastrojnë dhe po kontrollojnë të gjitha pusetat nëpër territorin e Shkupit. Thonë se sot po punojnë me orar të zgjatur që të sigurohet se gjithçka është nën kontroll.

“Po, zakonisht ka mbeturina dhe papastërti të zakonshme në kapak. Kemi pastruar më shumë në sipërfaqe, që të ketë hapësirë për ujin që do të bie, që të derdhet nëpër ulluqe. Mendoj se po, për momentin nuk duhet të merakosemi për përmbytje”, u shpreh Filip Taseski, punëtor i NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”.

Nga sot deri të premten pritet që të bie shi prej 50 deri në 70 litra metër katror. Drejtori i drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim apelon që qytetarët të bëjnë kujdes këtyre ditëve. Ai paralajmëron se mund të ketë rrëshqitje të tokës veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit tonë, në aksin rrugor Mavrovë – Dibër – Strugë.

“Kujdes në lëvizjen e qytetarëve pranë brigjeve lumore, qytetarët të cilët jetojnë përreth koritave të lumenjve, drejtimet rrugore, gjithashtu ka rrezik edhe nëpër rrugët, mund të ketë rrëshqitje të tokës dhe veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit tonë, në aksin rrugor Mavrovë – Dibër – Strugë, kemi paralajmëruar për rreziqet nga rrëshqitje e tokës”, potencoi drejtori i Entit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Adnan Xhaferovski.

Sekretari shtetëror për bujqësi Nefrus Çeliku apeloi që edhe bujqit të kenë kujdes. Ai thotë se moti i ligë mund të shkaktojë probleme me të mbjellat pranverore, të mbjellat e duhanit dhe te aktivitetet tjera bujqësore.

Shtabi për menaxhim me kriza i Qytetit të Shkupit apeloi deri te qytetarët që t’i denoncojnë problemet në 195 dhe të mos parkojnë afër drunjve dhe në afërsi të kanaleve. Gjithashtu apelohet që në rast rrufeje të mos qëndrohet në vende të hapura.

© ZHURNAL 13.05.2019, 18:12 | T.E. | 16,642 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."