Ambasada britanike e italiane: Distancohuni nga dhuna, rinisni dialogun
shqiperia
Ambasada britanike e italiane: Distancohuni nga dhuna, rinisni dialogun

Ambasada britanike e italiane: Distancohuni nga dhuna, rinisni dialogun

Ambasadat e Britanisë së Madhe dhe Italisë në vendin tonë kanë qenë në të njëtën linjë si të gjitha selitë e tjera diplomatike në Shqipëri në lidhje me shfaqet e dhunës të manifestuara në protestën e opozitës në 11 maj.

Në një deklaratë për mediat, ambasada italiane kërkon vetëpërmbajtje nga drejtuesit e opozitës por edhe forcat e rendit, duke shprehur shqetësim gjithashtu për kanosjet ndaj kreut të OSBE në Shqipëri.

“E drejta për të protestuar është tipar thelbësor i një demokracie të shëndetshme, por protestat duhet të mbeten paqësore. Gjatë protestës së dhunshme të 11 majit pati të lënduar në radhët e policisë dhe të protestuesve, si dhe u dëmtuan disa godina publike. Ambasada italiane në Tiranë u bën thirrje udhëheqësve të opozitës që të dënojnë dhunën dhe të garantojnë që protestat e ardhshme të jenë paqësore dhe të qëndrojnë brenda kornizave ligjore. I kërkon gjithashtu forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje. Ambasada e Italisë dënon pa rezervë kanosjet ndaj Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, veprime të papranueshme në një demokraci. Së fundmi, Ambasada italiane u kërkon të gjitha palëve të fillojnë dialogun si mënyra e vetme për të zgjidhur krizën aktuale politike dhe për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë.”

Ndërkohë selia britanik në vendin tonë pasi bën thirrje që opozita të shmanget nga dhuna, apelon për rinisjen sa më shpejt të dialogut.

“Ne u kërkojmë liderve të opozitës të dënojnë dhunën dhe të sigurojnë që protestat që do të mbajnë të jenë paqësore dhe të mbahen në përputhshmëri me ligjin. Gjithashtu bëjmë thirrje për policinë të tregojë maturi dhe të respektojë ligjin. Dënojmë zemërthyer intimidimin e ambasadorit të osbe dhe dëmet e shkaktuara në rezidencën e tij zyrtare. Nuk ka vend për aksione të tilla në demokracinë modern. Ne u bëjmë thirrje të gjithë palëve të hyjnë në dialog që është rruga e vetme me të cilën mund të zgjidhet ngërci actual. Dhuna dhe retorika nuk janë përgjigja.”

© ZHURNAL 13.05.2019, 18:08 | T.E. | 550 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."