Presidenti dhe Kryeministri
opinion
Presidenti dhe Kryeministri

Presidenti dhe Kryeministri

Kjo u pa qartë në rastin e Kartonit të Gjelbër kufitar, ndonëse Brukseli e kishte dhënë dritën e gjelbër, e kuqja e Presidentit e kishte zbythë këtë nismë të qeverisë së Kryeministrit. Në rastin e Kartonit të Gjelbër, Presidenti me ministrin e Jashtëm morën qindra miliona harac nga qytetarët e Kosovës dhe Diaspora, kurse Kryeministrit, titullin ``haracgji`` ia dha partia e Presidentit.

Shkruan: Kreshnik Berisha

1.
Hapat i kishte të rënda. Ndërsa qëndrimin hala më të rëndë. Kur u duk në hyrje të sallës së mbledhjeve të Qeverisë, ra heshtja dhe të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë.
Ishte Presidenti. Ai bëri me duar një lëvizje që nënkuptonte uljen e telefonave të mencur në rast se dikush do të incizonte me pa faj, prezencën e tij.
Ishte mbrëmje, vonë, c´kërkon Presidenti në këto hapësira? Ishte nata historike e përpjekjes për të shfuqizuar Gjykatën Speciale nga Paralamenti i Republikës së Kosovës.
Presidenti hapëroi para hundës time që isha ngritë në këmbë si të gjithë të tjerët. E kush isha unë të mos ngritesha për Presidentin?
Presidentit i bënë një vend pranë Kryeministrit. Ky i fundit, që kishte pak kohë që kishte marrë drejtimin e Qeverisë, e priti me fjalë mikëpritje dhe që të dy tashmë e kishin përballë njëri tjetrin.
Bisedat zor se dëgjoheshin.
Kryeministri ishte i përkushtuar ta bënte të ndjehej rehat Presidentin, i cili sic thash, nuk zbriste nga madhështia.
Gjëja e parë që mendova ishte, Kryeministri e ka frikë Presidentin? Apo, thjesht një mirësjellje kjo nga ana e Kryeministrit, ndonëse nuk kishte kamera që të detyrojnë mirësjelljen?
Mbase bashkërendimi për të cuar Procesin përpara, e imponon këtë marrëdhënie? Ndonëse, lajmet e fundit nga portalet, thonin se zëvendësuesi i Presidentit në Parti, nuk ishte i gatshëm të prishej me ndërkombëtarët. Ai e kundërshtonte me forcë këtë nismë.
E pse Kryeministri të guxonte?
A nuk ishte vet Kryeministri që e pranoi ftesën e evropianëve për shkuar në Hagë?
Nëse Presidenti ka një arsye, përse Kryeministri të urrejë evropianët?
Po vihet në lojë Kryeministri?
Dhe vërtetë nuk e di këtë?
 

2.
Ishte Taksa dhe trumbetimi për rrezikun e prishjes së raporteve me amerikanët, ajo që e bëri Kryeministrin të reagoj se po vihet në lojë nga Presidenti.
Po qe kështu, a nuk ishte dhe përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e njëjta gjë? Një prishje të marrëdhënieve me amerikanët – pyeste Kryeministri nga Deqani.
Kryeministrit po i ndaloheshin vizat për në Amerikë.
Dhe me këtë talleshin publikisht të gjithë. Madje, edhe zëvendëskryeministrat e afërt me të, se si Kryeministrit po, e atyre nuk po i ndaloheshin vizat.
Ministri i Jashtëm që është dhe bashkautor i aferës më të madhe korruptive nga paslufta në rastin e Kartonit të Gjelbër kufitar - bashkë me Presdentin – më kot e mbron këtë të fundit se nuk ka gisht në shprishjen e imazhit të Kryeministrit tek amerikanët.
Në emër të unifikimit të spektrit poliltik (cfarë mashtrimi) Kryeministri i vetmi po humbiste në këtë garë politike.
Në fakt, nënshtrimi i Kryeministrit - me a pa dëshirën e tij - para lojërave të Presidentit janë më shumë se kaq.
Rasti ``Veteranët e rrejshëm`` ishte njëri prej tyre.
Kurse rasti tjetër ``Gylenistët``, është një tjetër shembull se si Kryeministri ishte pjesmarrës në këtë krim institucional që për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian nuk mund të anashkalohet me lehtësi.
Në fakt, një vit më parë, Kryeministri ishte shantazhuar nga Presidenti në rastin Gylenistët. Këtë mbase nuk e di.
Kërcënimi që i erdhi nga Erdgoani atëbotë, i ishte kurdisur nga Prizreni, ose Jerusalemi i PDK-s. Gjegjësisht, nga krahu i Islamit Politik me të cilin ka lidhje të ngushta Presidenti.
Por dora e Presidentit në jetën politike është vështirë e rrëzueshme dhe këtë e kishte kuptuar, Kryeministri që e rrespekton atë me ``Shkëlqësia e tij``.
Kjo u pa qartë në rastin e Kartonit të Gjelbër kufitar, ndonëse Brukseli e kishte dhënë dritën e gjelbër, e kuqja e Presidentit e kishte zbythë këtë nismë të qeverisë së Kryeministrit.
Në rastin e Kartonit të Gjelbër, Presidenti me ministrin e Jashtëm morën qindra miliona harac nga qytetarët e Kosovës dhe Diaspora, kurse Kryeministrit, titullin ``haracgji`` ia dha partia e Presidentit.
Prandaj Kryeministri e ka frikë Presidentin. Muskujt e Presidentit janë të padukshme, të shtrira ca në gjykata, ca në media, madje dhe pak nëpër partitë politike.

3.
Presidenti e di se i vetmi që mund ta rrëzoj atë nga skena politike është Kryeministri.
Në emër të unifikimit të spektrit politik, gjë për të cilën asnjëherë nuk kishte kontribuar (a nuk u pa kjo së fundmi në mbledhjen e komisionit parlamentar për Gylenistët?) Presidenti mashtroi me LDK-n vite me radhë.
VV asnjëherë nuk i besoi dhe mirë bëri, kurse me AAK-n e Kryeministrit mbase pritet të shihet.
Dhe nëse jo me tjerat, me Taksën ndaj Serbisë, Kryeministri me kokëfortësinë që tregoi mori vëmendjen e duhur të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Presidenti mund të kishte qenë zot i kufijëve nga paslufta, por ai a mund të blejë lirinë e vet personale me kufijtë e Kosovës?
Gjykata Speciale është dhuratë e Presidentit që ia bëri vetes. Përse duhej të mërzitej Kryeministri për këtë?
Presidenti nuk është Ushtria Clirimtare e Kosovës dhe as Ushtria Clirimtare e Kosovës nuk është Presidenti, sado e trumbeton këtë.
Presidenti, vetëm me një Proces të Dialogut si ky që po ndodhë mund të vazhdojë të jetë një vegël e nevojshme për Ndërkombëtarët për t´i shpëtuar (dhe për pak kohë) Hagës.
Mirëpo, përse duhej të mërzitej Kryeministri për Presidentin?
Këtë hala se kuptoj! 

(Kreshnik Berisha ka qenë së fundmi Këshilltar Politik në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike)

© ZHURNAL 04.05.2019, 21:32 | B.M. | 1,378 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."