As ti Hashim Thaçi nuk do të mund ta paguash askë për të vuajtur dhimbjet tuaja, dhe as vdekjen tënde!
opinion
As ti Hashim Thaçi nuk do të mund ta paguash askë për të vuajtur dhimbjet tuaja, dhe as vdekjen tënde!

As ti Hashim Thaçi nuk do të mund ta paguash askë për të vuajtur dhimbjet tuaja, dhe as vdekjen tënde!

Cili do të jetë fati i Presidentit Hashim Thaçi?

Shkruan: Idriz Morina

Pasi Samiti i Berlinit varrosi projektin serbo-rus, për copëtimin e Kosovës, që nga Hashim Thaçi thirrej si projekt i këmbimit të territorit, tani presidenti i Serbisë ka nisur t’ia zbulojë sekretet Thaçit në lidhje me Kosovën, duke e degraduar ashtu siç është ai, në një shërbëtor të Serbisë, por tanimë i padobishëm.

Dy goditje përnjëherë i erdhën nga Serbia presidentit të Kosovës, i cili e mori këtë detyrë ndërmjet kundërshtimeve të fuqishme në opinion dhe në Kuvendin e Republikës. Zgjedhjen e arriti me blerje votash, dhe kryesisht në saje të manipulimit dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare që kishte fillimisht si Ministër i Jashtëm e zëvendëskryeministër, dhe duke u zotuar për përmbushjen e premtimeve me marrjen e detyrës së presidentit.

Këtë e realizoi duke i emëruar ambasador, konsuj dhe në detyra të tjera të avancuara ata deputetë që shkelën zotimin para elektoratit dhe konceptet e tyre, mbi të cilat kishin fituar vota dhe mandatin e deputetit, si Hashim Thaçi është koka e krimit, si njeriu që me SHIK-un mban përgjegjësinë për vrasjet politike etj.

Goditja e parë i erdhi nga njerëz të besueshëm në media të presidentit të Serbisë Vuçiqit, nëpërmjet mediave serbe, të cilat sigurisht bazuar në informacionet e zyrës së Vuçiqit, njoftuan se kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Macron i kanë thënë Vuçiqit: “se nuk do të ketë rrugë evropiane nëse “normalizimi me Kosovën nuk ndodh së shpejti dhe nëse Serbia nuk heq gjithë mekanizmat e saj nga veriu i Kosovës, duke mundësuar integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës””.

Pra, kancelarja Merkel dhe presidenti Makron, përveç që u kujdesen për ta ruajtur tërësinë tokësore të Kosovës, duke e zmbrapsur Serbinë në përpjekjet e saj për zgjerim të territorit në kurriz të më shumë se 10 % të territorit të Kosovës, por, ata bën edhe punën tjetër fundamentale, atë për të cilën është i ngarkuar presidenti i vendit dhe Qeveria, rikthimin e sovranitetit të plotë në veri, duke paralizuar apo nxjerrë jashtë Kosovës, strukturat ilegale të Serbisë!

Pra, në vend që të ishte Hashim Thaçi i fokusuar në këtë projekt fundamental, ai e bëri të kundërtën, që përveç si ai dhe kryeministri Haradinaj krijuan rrjet bashkëpunimi me struktura kriminale e mafioze serbe në veri, ai kreu funksion prapavajtës, në kundërshtim me mandatin kushtetues e ligjor, duke ofruar territor shqiptar, në këmbim të një territori minimal shqiptar, që administrohet nga Serbia (veriun në këmbim të qytetit të Preshevës me disa fshatra).

Goditjen e dytë u kujdes që t’ia jepte vetë presidenti i Serbisë Vuçiq nëpërmjet një interviste për televizionin serb “Pink”, ku duke folur për Kosovën thotë se ideja e tij për korrigjimin e kufijve është mundur nga shërbimet sekrete perëndimore. “Sot e kuptoj mirë se atë që e kam ofruar nuk ka mundur të kalojë për shkak të presioneve të fuqishme të disa vendeve, shërbimeve të tyre sekrete, të cilat i aktivizuan të gjitha agjenturat në vende të ndryshme, edhe ato politike edhe ato mediale që të punojnë apriori kundër një zgjidhje të tillë”, ka thënë Vuçiq. “Cila është zgjidhja tash, përveç asaj që Kosova dhe Metohia, jo me dëshirën time ose që unë e kam njohur, do ta fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin”, ka thënë Vuçiq.

Pra, derisa tashmë presidenti i Serbisë dhe shteti serb nuk sheh shanse as për t’u përzier në veriun e Kosovës e lë më për ta gllabëruar atë, qoftë nëpërmjet aktit të tradhtisë nga Hashim Thaçi, ky i fundit, edhe pse i betuar për të mbrojtur interesat e Kosovës, dhe të vetë shqiptarëve këtu, vazhdon ende të ëndërrojë për opsionin e ndarjes së Kosovës, herë duke u deklaruar hapur, si pas kthimit nga Samiti, por edhe kur deklaron se vetë është tërhequr nga ai projekt tashmë i dështuar, ndërsa i shtyn njerëzit e tij në media, që të propagandojnë se ende nuk është mbyllur ‘kapitulli’ i shkëmbit të territoreve, që në fakt është projekt i dhurimit të territorit.

Këto dy dëshmi të reja, pastaj deklarimet e mëparshme të presidentit të Serbisë, qëndrimet e Samitit të Berlinit argumentojnë se:

  1. Hashim Thaçi ka punuar kryesisht në shërbim të interesave të Serbisë,
  2. Hashim Thaçi e ka penguar gjatë tërë kësaj kohe shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në veri të vendit, duke punuar në një projekt tjetër (si më sipër), dhe
  3. Hashim Thaçi ka punuar kundër këshillave dhe kërkesave të agjencive të inteligjencës, të cilat me përkushtim kanë punuar në krijimin e shtetit të Kosovës, dhe tash në ruajtjen e integritetit të Kosovës.

Pra, Hashim Thaçi ka punuar në dëm të interesave të Kosovës, prandaj është koha që ngrihen akuzat zyrtare në Kuvend, dhe në institucionet e hetuesisë, për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve themelore të vendit.

Po ashtu padi penale mund të ngrejë vetë Prokuroria e shtetit bazuar mbi premisat e argumentuara tashmë.

Sa i përket insistimit të miqve tanë, që Hashim Thaçi të largohet nga posti i presidentit në mënyrë që Gjykata speciale të mos e gjejë në momentin e arrestimit të tij në detyrën më të lartë të shtetit, dhe që në atë mënyrë të mos e baltosë vetë institucionin, por edhe të mos e dëmtojë më tej imazhin e Kosovës, shihni si në vijim:

Për ta përmbyllur këtë shkrim, po e motivojë me thëniet e gjeniut të teknologjisë së informacionit, Stive Jobs, i cili në ditët e fundit të jetës së tij thotë: “Cili është shtrati më i shtrenjtë në botë? – “Shtrati i vdekjes”… Mund të punësosh dikë të ngasë makinën për ty, të fitojë para për ty, por s’mund të punësosh dikë që të përballojë sëmundjen tënde, për ty”. Pra, Hashim t’i edhe mund ta paguash dikë, mbase edhe të vuajë në Hagë, për mëkatet e tuaja, dhe t’i shpëtosh Gjykatës speciale, me aq shumë para sa ke bërë, por kurrë nuk do të mund t’i shpëtosh mallkimit të shqiptarëve, për gjithë këto vuajtje sa ua ke bërë, andaj: nuk do të mund ta paguash askë që të vuajë për ty, për dhimbjet e sëmundjes tënde (sipas Jobsit), dhe edhe më keq akoma, nuk do të mund ta paguash askë për të vdekur për ty! (Sipas meje!), atëherë kur ajo do të trokasë në derën tënde! Prandaj, lëre Kosovën të qetë!

© ZHURNAL 05.05.2019, 22:15 | B.M. | 2,899 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."